11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

DokuFest, kur arti përballet me korrupsionin

Cili është qëllimi i kinemasë? Filmat, apo dokumentarët janë përgjigjja më e mirë e kësaj pyetjeje. Në një Ballkan që vijon të jetë i tendosur nga përplasjet politike e historike, kinemaja nuk mund të jetë ndryshe veçse një rrugëtim për të parë më qartë arsyet e kësaj stine të gjatë dimri në rajon. DokuFest një nga festivalet më të rëndësishme në rajon, nuk mund ta shmangë atë me të cilën hapen shpesh gazetat jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, përfshirjen e politikës apo eksponentëve të tjerë në korrupsion. Ky i fundit (korrupsioni) është tema që ky festival ka zgjedhur për edicionin e tij të 15-të që hap siparin më 5 gusht në Prizren. 238 filma pritet të shfaqen në ekranin e festivalit ndërsa nuk do të mungojnë të ftuar specialë, apo panele diskutimesh. Dhe për Nita Dedën ky jubile është ndryshe. Pas gjashtë vitesh përfshirje në ekipin e DokuFest këtë vit ajo është në krye të tij si drejtoreshë. Një sfidë që vajza e lidhur fort me artet, e sheh si një mënyrë për të kontribuar për rritjen e rolit angazhues të kulturës në hapësirat shqiptare.

Nita, kjo është hera e parë që ju drejtoni DokuFest. Si ndiheni?

Për mua, ky është fillimi i një kapitulli të ri në udhëtimin tim 6-vjeçar me Dokufest, dhe të drejtoj një festival prestigjioz siç është Dokufest është nder i madh. Ndonëse roli që kam ndërmarrë përsipër ka shumë përgjegjësi dhe kërkon punë të palodhshme, unë kam fatin dhe kënaqësinë të punoj me një grup njerëzish të përkushtuar dhe të vendosur që kolektivisht ta mbështesim momentin e rritjes së festivalit. Shpirti i Dokufestit janë njerëzit të cilët e mundësojnë atë, dhe unë jam tepër e lumtur që jam një nga këta njerëz.

Si është konceptuar ky edicion… Çfarë mendohet të ndodhë gjatë ditëve të festivalit?

Këtë vit ne shënojmë edicionin tonë jubilar të 15-të, i cili mbahet nga data 05-13 gusht në Prizren. Festivali do të prezantojë 238 filma në programet garuese dhe një numër të programeve speciale të përzgjedhura nga një numër rekord i mbi 5000 aplikimeve. Filmat do të shfaqen në kinema tanimë të njohura të Dokufest-it, si ajo përmbi lum dhe në kalanë e qytetit, që janë përzgjedhur ndër kinematë e hapura më të bukura në botë. Tema e festivalit është korrupsioni dhe kjo temë do të hulumtohet përmes programeve speciale të filmit, paneleve dhe diskutimeve, si dhe kampanjës zyrtare të festivalit. Tema tjera, si ballafaqimi me të kaluarën, tema për filmin dokumentar dhe prezantime të punëve të artistëve që janë mysafirë tanë do të vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e diskutimeve në DokuFest. Përveç shfaqjes së filmave dhe programit të paneleve, festivali do të përmbajë edhe ekspozitën e fotografisë DokuPhoto, që këtë vit përfshinë punën e fotografit të shquar, Seamus Muprhy. Do të ekspozohen fotografitë nga projekti The Hollow of The Hand, të cilin Murphy e ka realizuar në bashkëpunim me këngëtaren Pj Harvey dhe që përmban një koleksion të poezive dhe fotografive nga udhëtimet e tyre në Kosovë, Afganistan dhe Washington. Koncertet e muzikës DokuNights do të sjellin yje botërore si Omar Souleyman nga Siria, këngëtarja libaneze, Yasmine Hamdan, grupi Super 700 dhe shumë muzikantë tjerë. Për hir të 15-vjetorit, ne kemi kuruar edhe një program të muzikës në Kalanë e qytetit (sunset stage), ku do të ketë muzikë çdo perëndim të diellit. Në datë 12 në skenën e kalasë kemi ftuar grupin polifonik nga Saranda, Jonianët. Konferenca e teknologjisë Doku:Tech mbahet në objektin e Lidhjes së Prizrenit dhe prapë do të jetë vendtakim i personave me ndikim të madh në fushën e tyre për të nxjerrë në pah inovacionet e teknologjisë. Festivali i fëmijëve DokuKids këtë vit përfshinë një numër të madh të madh të punëtorive të ndryshme për të vegjlit për film animacion, vallëzi dhe pikturë.

Nita-DedaKohët e fundit përballemi gjithnjë e më tepër me një kinema politike, a ndihet kjo në filmat që do të shfaqen në ekranin e DokuFest?

Dokufesti është festival i filmit dokumentar dhe dokumentari është zhanër i cili zbulon të vërteta dhe si i tillë është një akt politik në vete.

Si drejtoreshë e festivalit, gjeopolitikisht çfarë është DokuFest?

DokuFest është një kanal lidhës në mes të Kosovës dhe botës. Duke qenë që vendi ynë mbetet i izoluar është tepër me rëndësi të lidhemi me botën, dhe mënyra më e mirë për të bërë këtë është përmes kulturës. Rëndësia e DokuFestit është shumëdimensionale. Programi i DokuFest po e prezanton vendin tonë si një vendtakim kulturor dhe pikë të rëndësishme të shkëmbimit të ideve, mësimit dhe eksperiencave. Një prezantim i tillë i Kosovës është tepër me rëndësi, sepse i thyen paragjykimet për këtë vend. Çdo vit festivali ka mbi 200 gazetarë të akredituar, ndërsa gjatë edicioneve të kaluara për festivalin është raportuar nga disa prej mediave më prestigjioze. Përveç rëndësisë së përmirësimit të imazhit dhe ndikimit në jetën kulturore të vendit, Dokufest po ashtu po e zhvillon turizmin në qytetin e Prizrenit, duke promovuar qytetin përmes kulturës dhe duke tërheqë më se 60.000 turistë për ato ditë sa mbahet festivali. Kjo padyshim që ka bërë që festivali DokuFest të ketë një ndikim në rritjen e ekonomisë së vogël të Kosovës. Raporti i Institutit GAP që vlerëson ndikimin ekonomik të DokuFest në vitin 2015 ka vlerësuar se festivali rrit aktivitetin ekonomik në shifër 4.2 milionë euro. Përveç si festival, Dokufest funksionon gjatë gjithë vitit si organizatë kulturore dhe projektet tona janë të shumta. Përmes qendrës së filmit që e kemi ndërtuar në Prizren, vetëm vitin e kaluar kemi prodhuar 17 filma dokumentarë përmes punëtorive të shumta dedikuar regjisorëve të rinj dhe nxënësve të shkollave të mesme. Përmes kinemasë udhëtuese ne shfaqim filma dokumentarë në vende rurale të Kosovës ku nuk ka aktivitet kulturor. Po ashtu, Dokufest menaxhon edhe kinemanë e vetme në qytet.

Nga përvoja në këtë festival, cilat janë temat që dominojnë në filmat që shfaqen?

Kategoritë garuese të festivalit janë gara e dokumentarëve nga Ballkani, për të drejtat e njeriut, dokumentarët e ambientit, ndërkombëtar, kombëtar dhe filmat e shkurtër. Programet speciale të festivalit do të sjellin filma me tema të ndryshme si programi View From The World që do të sjellë disa nga filmat më të rëndësishëm të këtij viti në Prizren, përfshirë fituesit e Sundance, Berlinale dhe SXSË; programi i dokumentarëve për muzikë, programi homazh për regjisorin e madh të kinemasë iraniane, Abbas Kiarostami, si dhe homazhi që do t’i bëjmë regjisores Chantal Akerman me shfaqjen e filmit të saj të fundit No Home Movie, si dhe shfaqjen e versionit të restauruar të kryeveprës Jeanne Dielman. Filmat e shkurtër të nominuar për “Oscar”, filma për internet, për sulme masive me armë në SHBA, për një shkëmb të vetëvrasjeve në Japoni, si dhe gjendjen e refugjatëve të cilët përpiqen të arrijnë Europën janë të gjitha pjesë e programit të edicionit jubilar të këtij viti.

A do ketë Dokufest një kënd për kujtesën…filmat që kanë bërë histori në Kosovë?

Jo, por e kemi një program special të kuruar me filmat e ri të shkurtër të prodhuar në Kosovë, të cilin e kemi titulluar ‘New Kosovo Shorts’. Këtu më duhet të theksoj filmin HOME me regji të Daniel Mulloy, i cili është një bashkë-produksion i DokuFest dhe dy produksioneve të Britanisë së Madhe, me Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore. Filmi është prodhuar me ekip nga Kosova dhe Anglia dhe xhirimet janë bërë në të dy këto vende. Filmi fitoi çmimin më të mirë në Palm Springs Festival këtë vit, ndërsa javën e kaluar e morëm lajmin e gëzuar që filmi tashmë është nominuar për çmimin e Akademisë Europiane të Filmit.

Më thuaj një film që të ka përlotur në skenën e DocuTIFF?

Filmi që më ka bërë më shumë përshtypje në DoocuTIFF është dokumentari i shkurtër THE REFLECTION OF POWER nga Mihai Grecu, i cili ofron një pamje të Koresë Veriore totalitare dhe monumenteve të tij të deluzionit.

Më Shumë

Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë në Kosovë

Policia e Kosovës ka shqiptuar një mijë e 516 gjoba trafiku në 24 orët e fundit. Ndërkaq, janë regjistruar edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve...

Serbia paraburgos mërgimtarin nga Hasi që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Lajmet e Fundit