8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Dy dashuritë e Atjon Zhitit

Të bashkosh me buzëqeshje ato që s’i bën dot lufta

Në përurimin e librit të studentit Atjon Zhiti “Për atë që dua(m)”, në Universitetin Europian të Tiranës, në aula magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, befasitë e mesazhet që përcjell, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, Yll Haziri, që vinte nga Prishtina posaçërisht për këtë takim, student në Zyrih tashmë.

“Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – tha ai. – Jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri.

Atjoni kishte dy dashuri të mëdha, – tregoi ndër të tjera Ylli teksa dridhej mes emocionesh të dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt”.

Ishte vërtet e bukur të dëgjoje nga një student në tempullin e dijes, ku ishin mbledhur aq shumë njerëz të moshave të ndryshme, përvojave dhe fateve të ndryshëm, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të rinj plot, që rrinin dhe në këmbë, etj., etj; të dëgjoje “për dashurinë për atdhe”, që s’është ndjenjë arkaike që mund t’i duket ndokujt në kohën e globalizimeve, por virtyt, që vjen nga shekujt, i trashëguar nga brezat, me një shkëlqim të ri, modern, që tashmë është strategji e program, ndjenjë e brendshme, pa bërtitma, por dhe jo e fjetur.

Ndërkaq na ra në dorë dhe një foto domethënëse e Atjonit në një nga takimet rinore të Parlamentit Europian. Janë bashkë djem shqiptarë e serbë, Ylli me Flamurin nga Kosova dhe serbët me Flamurin e tyre, dhe Atjoni në mes me qeleshe shqiptare, përbashkues i dy flamurëve, duke e çmitizuar urrejtjen dhe mospranimin e tjetrit, të fqinjit, të shtetit të tij, atë që është qëllim i së ardhmes për politikat rajonale dhe europiane. Stabiliteti në rajon nis aty me ata të rinj, që prekin flamurin e njëri-tjetrit, që dinë t’i thonë hapur dëshirat dhe i bëjnë realitet ëndrrat duke i sfiduar luftërat, tmerrin dhe absurdin e tyre me buzëqeshjet rinore, të pafajshme.

“Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, thoshte Atjoni, dhe na la buzëqeshjen e Tij të tretur në dritë …

Më Shumë

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Lajmet e Fundit