9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Dyshime të reja për degradimin e Qendrës Historike të Prizrenit

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj një qytetari për përdorim mjetesh shpërthyese në qendrën historike të qytetit dhe ndërtim të paligjshëm.

Në Qendrën Historike të Prizrenit, në rrugën “1 Tetori”, një qytetare e moshuar ankohet se fqinji i saj i ka shkaktuar dëme të pariparueshme në shtëpinë ku ajo banon.

Sejran Qavolli, pretendon se para gjashtë viteve fqinjët e saj Besnik e Krenar Krajku, babë e bir, kanë përdorur mjete shpërthyese për të rrafshuar bazamentin ku po ndërtonin shtëpinë e cila është në mexhë me atë të zonjës Qavolli.

Zonja Qavolli i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nga atëherë shtëpia e saj ka filluar të plasaritet në të gjitha anët dhe ka rrjedhje të vazhdueshme uji.

“Problemin e kemi që 6 vjet përafërsisht, kojshia ka ble shtëpi të serbit dhe e ka krisë me mina, vjehrri jem e ka thirrë edhe i ka thënë Besnik shtëpia nuk duhet me krisë se edhe unë e kam ndërtu shtëpinë po nuk e kam krisë me mina, duhet kadal kadal se po na kriset neve shpija se ne jemi te poshtë, ka thënë mos u tut se na jemi këtu”, tregon Qavolli.

Qytetarja i tregoi ekipit të Gazetës Jeta në Kosovë pjesë të shumta të shtëpisë ku kishin filluar të çara dhe plasaritje të mureve dhe pllakës së shtëpisë.

“Siç po e shihni ka qenë krejt në rregull, vetëm prej kur ka përdor minat krejt është çarë, krejt ka plasë qe qysh është bërë as nuk po muj me hy prej frikës, se siç po e shihni edhe dyert kanë dal prej vendit”, thotë e moshuara pa e fshehur brengosjen.

“Qe qysh po e shihni, librat e vjehrrit i kam largu se po dëmtohen, krejt ka nisë me u bë vllagë [lagështi]; këtu ka qenë dhoma e vjehrrit, prej atëherë shtatë vjet në podrum ka jetu prej tutës”, thotë Qavolli.

Në një përgjigje me shkrim të Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, të siguruar nga Jeta në Kosovë, thuhet se inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se shtëpia ka të çara, për të cilat ata nuk mund të japin vlerësim dhe siguri, pa mendimin e ekspertit të ndërtimtarisë, të cilin Komuna e Prizrenit nuk e ka.

Përgjigje të njëjtë për Gazetën Jeta në Kosovë dha edhe zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha. Ai tha se mungon ekspertiza e shpërthimeve që bëhet me mjete detonuese.

Redaksia e gJNK kontaktoi fqinjët e zonjës Qavolli, Besnik e Krenar Krajkun, për të cilët ajo pretendon se i dëmtuan shtëpinë.

Ata mohuan të kenë përdorur mjete shpërthyese në atë zonë.

“Nuk kemi përdorë mjete shpërthyese dhe absolutisht nuk kemi shkaktuar kurrfarë dëmi, sepse sikur ta kishim shkaktuar dëmin edhe do të ishim përgjigjë. Besojmë që pala dëshiron të shfrytëzoj rastin dhe të bëjmë ne riparime në shtëpinë e saj në bazë të insinuatave të trilluara”, tha Besnik Krajku.

Zonja Qavolli, lidhur me këtë rast ka ushtruar edhe padi civile në gjykatë, mirëpo për shkak të mos ushtrimit të padisë në kohë, gjykata e ka refuzuar si të pa-afatshme padinë e saj.

Ajo rastin e ka dërguar edhe në prokurori. Gazeta Jeta në Kosovë, e ka siguruar një kopje të aktakuzës të datës 27 prill 2015 të ngritur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila e akuzon Krenar Krajkun për veprën penale të punimeve ndërtimore të kundërligjshme për të cilën parashihet dënimi deri në tri vjet burg.

Madje, aktakuza përmend edhe dyshime se Krajku ka përdorur mjete shpërthyese.

“Gjatë punëve ndërtimore në minimin e gurit në ndërtimin e shtëpisë në distancë të afërt me shtëpinë e të dëmtuarës Sejran Qavolli, shkakton dëm të konsiderueshëm material si pasojë vije deri tek çarja e shtëpisë”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Në gjykatë ende nuk ka filluar procesi gjyqësor i kësaj lënde, për shkak se janë ndërruar dy gjykatës tek të cilët ka qenë më parë kjo lëndë, ndërsa tani gjykatësja që e ka pranuar rastin tha për Gazetën JNK se së shpejti pritet të caktohet gjykimi për këtë lëndë.

Por problemet nuk mbarojnë këtu. Qavolli, ankohet ndaj fqinjëve të saj edhe për bllokimin e rrugës që shpie në shtëpinë e saj.

Familja Krajku, e cila ushtron veprimtari në biznesit hotelerisë, në një pjesë të rrugës ka vendosur tavolina statike, për të cilat zonja Qavolli thotë se bllokojnë rrugën që shpie në shtëpinë e saj për kalimin e automjeteve edhe nëse ka raste urgjente.

“Sa i përket vendosjes së tavolinave, në procedurën mbi dhënien e lejes për Zonën Historike, kemi apliku te Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve dhe i njëjti e ka përcjellë kërkesën në MKRS dhe e njëjta na ka dhënë leje për vendosjen e tavolinave. Ndërsa Drejtoria e Urbanizmit na ka kthyer përgjigje se meqë është lënda në gjykatë duhet të pritet epilogu”, tha Besnik Krajku.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka siguruar vendimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të lëshuar më 28 tetor 2013 me të cilën i lejohet familjes Krajku vendosja e tavolinave.

Mirëpo kompetente për dhënien e lejes për vendosjen e tavolinave është Komuna e Prizrenit, saktësisht Drejtoria e Urbanizmit, dhe kjo e fundit thotë se nuk e ka aprovuar një kërkesë të tillë.

“Zotëri Krajku, ka kërkuar leje nga Urbanizmi, por Urbanizmi nuk i ka dhënë leje për operimin me tavolina në këtë pjesë për arsye se është rrugë publike që duhet të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët e asaj zone”, tha Berisha.

Ai tha se nëse Krajku ka vendosur tavolina në atë pjesë duke dëmtuar rrugën dhe infrastrukturën publike, atëherë ndaj tij do të merren masa siç i parasheh ligji.

“Shumë shpejt pas edhe kësaj interviste me ju, ne do të kërkojmë nga inspektoriati që të bëjë një vizitë në teren edhe të kërkojë që ato tavolina të largohen, në të kundërtën do të aplikojmë edhe gjoba konfrom ligjit për inspektime”, tha Berisha.

Aktakuza e Prokurorisë së Shtetit, në dispozitivin e saj e ngarkon Krenar Krajkun edhe për bllokim të rrugës.

“Pa leje të organit kompetent ka pamundësuar lëvizjen e lirë të automjeteve që lidh rrugën “1 Tetori”, në të cilën po ashtu, vendos tavolina prej konstruksioni në rrugë dhe mbi murin ekzistues”, thuhet në aktakuzë.

Kërkesa e fundit e Qavollit është ndërtimi i shtëpisë së re dhe lirimi i rrugës që shpie në shtëpinë e saj.

“Unë shtëpinë time prej themelit e du, po ashtu atë murin që e ka vendosë në themel temin edhe atë duhet me e hjekë si dhe rrugën [nga tavolinat] me pastru”, tha Qavolli.

Gazeta Jeta në Kosovë edhe më parë shkroi për degradimin e Qendrës Historike të Prizrenit. /Gazeta JNK/

Më Shumë

Sot i jepet lamtumira e fundit “Mjeshtrit të Madh” Jorgo Papingji, Begaj: Tekstet e tij i rezistuan të gjitha kohërave

Sot i jepet lamtumira e fundit “Mjeshtrit të Madh”, Jorgo Papingji. Në orën 11:00 do të zhvillohen homazhet, në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Më...

Vdes në vendin e punës mërgimtari nga Malisheva

Nazmi Morina nga Lubizhda e Malishevës, ndërroi jetë një ditë më parë në vendin e tij të punës në Itali. Lajmi u bë i ditur...

Lajmet e Fundit