16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Enver Hoxha, i preferuari i jugosllavëve: U bë komandant dhe u shndërrua në mit nga Mugosha e Popoviqi

Enver Hoxha-i preferuari i jugosllaveveLibri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden, është vlerësuar si punim shkencor që ballafaqon fakte e dokumente. Periudha e vendosjes së regjimit komunist, sidomos vitet 1945-1948, vazhdojnë të shqetësojnë të gjitha palët. Në librin e tij, Dode shkruan një shënim të veçantë mbi mitet dhe simbolet komuniste, ku ndër të tjera jep shpjegim biografik deri në kohën kur Enver Hoxha u bë komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pjesë të shkëputura të së cilës mund t’i lexoni më poshtë.

“…Revolucionari. Si veprimtar komunist, Enver Hoxha ka filluar në moshën 32-vjeçare, pas janarit të vitit 1940, në degën e Tiranës të Grupit Komunist të Korçës. Në atë kohë, kryetari i Grupit, Koço Tashko, qëndronte në kryeqytet. Në plenumin e Beratit, Hoxha rrëfehet: ‘Kur unë mora pjesë në Lëvizje me grupin e Korçës… u gjenda afër Koço Tashkos. Të tjerët kujtonin se unë isha kryetari i punës… por unë isha vetëm një simpatizant, unë nuk isha anëtar. Kur u formua Partia dhe u gjenda në Komitetin Qendror, këtu hyra me propozim të Koços [AQSH. Plenumi i Beratit. Në: Politikë, 153]’.

Enver Hoxha u hodh në ilegalitet të nesërmen e një demonstrate të zhvilluar në Tiranë më 28 tetor 1941, kundër zaptuesve italianë, ku u ndesh me një oficer të karabinierisë. Me krijimin e PKSH-së, Hoxha u zgjodh anëtar i KQ provizor të saj dhe u ngarkua me problemet e financës (Frashëri Kristo, 268).

Pas vrasjes së Qemal Stafës në maj 1942, për njëfarë kohe Popoviqi (Milladin) ‘s’kishte vendosur cili do të vinte në krye të Partisë’, thotë Tuk Jakova në Pl. e Beratit (AQSH).

Hoxha tregon se në Konferencën e Parë të vendit të PKSH-së, në mars 1943, gjatë “zgjedhjeve” të organeve drejtuesve të partisë, ishin të dërguarit jugosllavë ata që e vendosën në postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë, kurse Koçi Xoxen si sekretar organizativ. Po ata caktuan edhe anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike (AQSH, Politikë, Plenumi i Beratit, 74,75,170-1).

Sipas kritereve komuniste, prej këtij çasti në duart e Enver Hoxhës do përqendroheshin me radhë postet më të rëndësishme të Lëvizjes Nacional çlirimtare e cila mbizotërohej tashmë prej komunistëve.

Me krijimin e Shtabit të përgjithshëm të UNÇ, në korrik 1943, Hoxha u caktua Komisar i Përgjithshëm. Komandat u vendos oficeri i karrierës, major Spiro Moisiu. Në prill 1944, në një tubim ku kishin qenë të pranishëm disa nga anëtarët e KQ të PKSH-së, Dushan Mugosha dha mendimin se Spiro Moisiu nuk ishte në nivelin e detyrës së vet dhe propozoi që Enver Hoxha të ishte edhe Komandant (Dedier, 61). Një hap i tillë, pa dyshim, duhet të jetë miratuar nga ‘lart’, siç e quanin Popoviqi e Mugosha udhëheqjen e PKJ-së (Dedier, 24).

Propozimi u ‘miratua’ në Plenumin e parë të KQ të PKSH-së, që u zhvillua në mesin e majit në Helmës të Skraparit; pas dhjetë ditësh u “zyrtarizua” në Kongresin e Përmetit. Kështu, me kujdesin e jugosllavëve Enver Hoxha gëzoi edhe titullin ‘Komandanti’ me gradën e gjeneralkolonelit të marrë po në Përmet (Dedier, 6, Kongresi, 47).

Një muaj më parë Popoviqi kishte lajmëruar KQ të PKJ-së, se gradat në UNÇ-në do të shpalleshin në Kongresin e Përmetit, për t’u njohur botërisht (Dedier, 60 ku citon relacionin e Popoviqot, dt. 24 prill 1944). Në atë kongres, Hoxha u zgjodh edhe President i Komitetit Antifashist NÇ me atributet e një qeverie provizore. Në Përmet, pa dyshim sipas kërkesave të emisarëve jugosllavë, u hodh hapi i parë për një popullarizim më të gjerë të Titos dhe të Enver Hoxhës: Në ballinën e ndërtesës ku u mbajt kongresi, ishin vizatuar në formate të mëdha portretet e të dyve (Dervishi, 521, ku jep fotografinë e ballinës së ndërtesës).

Qysh para Kongresit të Përmetit, sipas udhëzimeve të Popoviqit e të Mugoshës, në shtypin komunist të luftës kishte filluar të shkruhej për Enver Hoxhën. Liri Gega shkroi një artikull biografik ku cilësohej si ‘udhëheqës i madh i LNÇ-së’ (në revistën ‘Ylli Çlirimtar’, nr. 1-2,1944). Artikulli u botua edhe veçanërisht në shtypshkronjë, në formë trakti, me portretin e tij dhe u shpërnda në tërë vendin.

Në atë kohë Nako Spiru e cilësoi si ‘faktori kryesor i luftës dhe i sukseseve’. Në ngjashmëri me Titon, Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare shkruante artikullin me titull ‘Vëllazërim armësh në Dibër. Ushtritë NÇ të Titos dhe Enverit çimentojnë vëllazërimin e tyre’. Shkruhej për ‘ushtarët e Enverit’, për ‘partizanët e Enverit’ (Buletin, 16 e 25 nëntor 1944).

Për popullarizimin e fryrë të Enver Hoxhës është diskutuar në Plenumin e Beratit. Tuk Jakova ka thënë: ‘Ne s’e kemi popullarizuar mirë Enverin… Kjo ka rrjedhur se Aliu (M. Popoviq) s’kish vendosur cili do vinte në krye të Partisë sonë… Shoku Enver, i lidhur pas Aliut, nuk ka ardhur të shohë ushtrinë dhe popullin… Ne popullarizojmë një njeri që s’e ka parë kush… Enveri ka qenë i mbyllur brenda pas Aliut… dhe jam i mendimit që Enveri të dalë të lëvizë, që të duket e të njihet në ushtri e në popull’.

Aty, Nako Spiru, pasi u justifikua për artikullin që pati shkruar më parë duke treguar se ‘në Panarit na është thënë nga Dushani e Miladini se tani Lëvizja duhej të lidhej me një figurë’, u shpreh: ‘Sot edhe në një listë gjellësh do të gjesh emrin e Enverit’. Po aty, Sejfulla Malëshova foli për një ‘popullarizim që mori formë banale’. Në autokritikën e vet Hoxha pohonte: ‘Unë e shija popullarizimin se ishte artificial dhe nuk më dukej i arsyeshëm’ (AQSH. Pl. e Beratit, në: Politikë, përkatësisht 84, 86, 122-3,130,155).

Por, kritikat dhe autokritikat nuk e ndryshuan kursin. Porosia e dy shokëve jugosllavë për popullarizimin e Enver Hoxhës, që pa dyshim kishte ardhur nga ‘lart’ u bë pjesë e ‘tezave’ themelore për drejtuesit komunistë shqiptarë. Qeveria do të hynte në Tiranë më 28 nëntor 1944. Gazeta ‘Bashkimi’ që kishte dalë në mëngjes si ‘Numër i posaçëm’, dhe që u shpërnda, u rishtyp si një ‘numër special’ se në ballinën e botimit të parë mungonte fotografia e Enver Hoxhës.

Pas ardhjes në fuqi s’kishte më pengesa për popullarizimin e komandantit, me gjithë pëshpëritjet që qarkullonin mes shokëve të vet ‘rreth popullarizimit të ekzagjeruar’ dhe për ‘një popullarizim në rrugë të drejtë’ të tij (AMPB, në: E vërteta 27, 115). Edhe në Beograd ngrihej lart figura e Hoxhës. Pas një viti pushtet, ‘Bashkimi’ i 28 nëntorit 1945, nën titullin e madh ‘28 e 29 nëntor 1945’, fotografia e Hoxhës qëndronte në krye, ndërsa nën të, me formate më të vogla, ishin vendosur ato të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit”. /Standard/

Më Shumë

Ekrem Kastrati vendos buqetë lulesh pranë lapidarit të dëshmorit të kombit Indrit Cara

Një delegacion i kryetarëve të komunave të Kosovës, me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, po qëndrojnë për vizitë punë në...

Viniciusi i përlotur: Gjithnjë e më pak po e ndjej futbollin

Anësori brazilian, Vinicius Jr, ka thënë se çdo herë e më pak po e ndjen lojën e futbollit për shkak të sulmeve raciste që...

Lajmet e Fundit