13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Ermir Nika: Tre libra për Arkën e Noes: Iliada, Odisea, Prometeu i lidhur

ermir-nika-300x199PYETESORI I LIBRIT

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Nga trashëgimia e bibliotekës familjare ruaj një botim nga fillimi i shekullit të kaluar: Fjaluer i Rii i Shcypes – Parsimi i Shocniis Bashkimit t’Giuhes Shcype, 1908. Është një botim i vjetër, por i ruajtur mjaft mirë në bibliotekën time personale.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Përgjithësisht librat yshtem t’i përzgjedh nga autori dhe ndikimi që ai ka lënë në letërsi.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Kjo besoj është dhe mbetet një nga fobitë e mia të pashprehura sa herë u avitem bibliotekave. Ato janë një arsenal i madh dijesh dhe gjithmonë të grishin të depërtosh dhe pse jo të ngacmohesh nga dëshira prej fëmije, për ta zotëruar gjithë atë galaktikë! Për të qenë i sinqertë, në lidhje me bibliotekën e familjes nuk kam arritur t’ia prek ende fundin, pasi biblioteka së pari është e trashëguar së paku nga tre breza dhe vijon të pasurohet në vijimësi.

-Libri i parë që keni lexuar…

“Rrëfime për heronjtë e Trojës”. Këtë libër e kam lexuar e rilexuar tri herë radhazi në verën e vitit 1986, në kampin e pushimeve në Malin e Dajtit, kohë kur sapo kisha përfunduar klasën e dytë fillore dhe kur lexoja rrjedhshëm, nganjëherë edhe me zë, për të ndjerë dhe përjetuar më mirë efektet e leximit.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Kujtoj se bashkë me tim vëlla, i cili ishte më i madh se unë, një periudhë kohe na sundoi një ndjesi dhe ndjenjë solidariteti për të kursyer për të blerë libra në një librari pranë shtëpisë sonë mbrapa Stadiumit Dinamo, dhe kujtoj se ndiheshim vërtet shumë të motivuar kur me kursimet tona dhe nxitjen e prindërve blemë romanin e Zhyl Vernit “Dy vjet pushime”, e më tej romanin e Defoe “Robinson Kruzo”.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Që në vogëli dhe deri pas arsimit të lartë librat i kam ndarë vetëm me tim vëlla, Klintin. Në raste të tjera e kam shumë të vështirë të ndaj libra nga biblioteka, por vetëm kur iu kushtoj si dhuratë miqve në raste të veçanta, por asnjëherë nga biblioteka ime personale!

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Në fëmijëri kam qenë i anëtarësuar në Bibliotekën e lagjes Nr. 8 Tiranë , më pas në atë të shkollës 8 vjeçare «Dëshmorët e Lirisë», më tej në bibliotekën e gjimnazit «Petro Nini Luarasi» dhe së fundi në Bibliotekën Kombëtare.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Frekuentoj me raste specifike fondin e Bibliotekës Kombëtare.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?

Nuk kujtoj në asnjë rast apo rrethanë të jem gjendur apo të sundohem nga joshje me prirje të tilla! Përgjithësisht interesat e mia sa i përket botimeve dua t’i zotëroj në një formë dhe mënyrë sa të ndershme aq edhe korrekte.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Kujtoj që vite më parë, në mirëbesim e pse ta fsheh naivitet, kam humbur një libër për mua tepër të vyer historik, botim i vitit 1935 në tri vëllime «Ditët e fundit të Pompeit». Jam munduar prej kohësh se mos shtie në dorë një tjetër komplet të tillë por tani i jam dorëzuar idesë se për të gjetur sërish një botim të tillë, është gati njësoj sikur të rindërtosh edhe njëherë Pompein nga e para.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Përgjithësisht i njoh vetes një tipar të theksuar fanatizmi dhe një ndjesie kapriçoze sa i përket përzgjedhjes së librave të cilët do të më duhet ti kushtoj kohën dhe vëmendjen e duhur.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Literaturën artistike preferoj ta lexoj i shtrirë në kurriz ; atë historike dhe shkencore e studioj në tryezën e punës, pasi në pjesën dërrmuese të punës më duhet të mbaj shënime dhe të punoj mbi tekste të caktuara.

-A lexoni në banjë?

Asnjëherë! Pse ta fsheh: e përçmoj atë kategori njerëzish që i kushtojnë një ambient të tillë leximit të një libri.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Përveç gjuhës shqipe, lexoj edhe në gjuhën angleze.

-Ç’libër keni në duar aktualisht?

Sapo kam përfunduar vëllimin e parë të romanit të Donna Tartt “Gardalina” dhe do të nis vëllimin e dytë.

-Mbani shënime kur lexoni?

Shënime më lipset të mbaj vetëm kur lexoj dhe konspektoj literaturë shkencore ose historike.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Përgjatë gjithë kohës që i kushtoj leximit, jam lexues i përkushtuar ndaj të dyja gjinive dhe nëse një autor më mahnit me artin e fjalës, ngulmoj pa as më të voglin hezitim t’ia lexoj të gjithë veprën.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Pyetje e vështirë dhe kam përshtypjen se do të vinte në vështirësi cilindo njeri që i ka kushtuar jetën librit. Por unë mund të përmend si vepra fondamentale: Epi i Gilgameshit; Homer – Iliada & Odisea; Virgjil Maroni – Eneida; Prometeu i lidhur – Eskili; Dante Aligeri – Komedia Hyjnore; Shekspir – Hamleti; Walt Whitman – Fije Bari; Leon Tolstoi – Ana Karenina; Fjodor Dostojevski –Vëllezërit Karamazov; Mihail Lermontov – Një hero i kohës sonë; Nikollaj Gogoli – Frymë të vdekura; Mihail Shollohov – Doni i qetë; Gustav Flauber – Edukimi i ndjenjave; Honore De Balzak – Komedia Njerëzore; Harper Lee – Të vrasësh zogun përqeshës; Primo Levi – A është vallë njeri?!; Tomas Eliot – Tokë e Shkretë; Luis Borges – Poezia; Mitrush Kuteli – E madhe është gjëma e mëkatit; Lasgush Poradeci – Poezia; Frederik Rreshpja – Në vetmi; Petro Marko – Nata e Ustikës; Ismail Kadare – Pallati i Ëndrrave; Vath Koreshi –Ulku dhe Uilli; Fatos Kongoli – Ëndrra e Damokleut

E shumë e shumë të tjerë…Sa herë më bëhet një pyetje e tillë, në fund ndihem në faj për emrat e shumtë dhe të dashur që padashur kam lënë pa përmendur.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Për mua libri i librave nëse mund ta quaja kështu është BIBLA.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?

Në Arkën e Noes së Librave pa më të voglin hezitim do të vendosja: Iliada – Odisea- Prometeu i lidhur.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Nëse do të mund të jetoja brenda një libri, nuk do të më mundonte kërshëria për të njohur më tej botën!

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Nuk mund të jem i qetë po të mos përmend një ndër miqtë e mi të paharruar dhe një ndër gjenitë e poezisë shqipe, Frederik Rreshpjen. Një ndër poezitë e tij, Testament, nis me vargun: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art!

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Një ndër ato personazhe që kanë trazuar vetëdijen time, dhe ka lënë një gjurmë të pashlyeshme edhe në përfytyrimin për realitetin është djaloshi Peçorin, në romanin “Një hero i kohës sonë” i Mihail Lermontov, një personazh i cili është krejtësisht i veçuar nga ai realitet që njeriut i përcillet në përditshmërinë e tij.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Autografet më të çmuara janë ato të cilat më janë dedikuar nga shkrimtari i përbotshëm, Ismail Kadare.

Më Shumë

Totaj priti në takim përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”, të këtij qyteti. Kjo shoqëri mban gjallë që 73 vjet...

Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën për kryeministër

Kryetari i Partisë Demikratike të Kosovës, Memli Krasniqi pritet ta propozojë sot Bedri Hamzën kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Kreu i PDK-së ka...

Lajmet e Fundit