10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Festa e Shën Gjergjit

Hajdar Mallaku, Zürich

Kjo festë më ka impresionuar si festë pagane e lidhur me jetën brenda një motmoti: si festë e ripërtëritjes së natyrës, si festë e luleve,si festë e luftimit dhe mallkimit të së keqes, si festë e trembjes së shpirtërave të këqij dhe dhimbjeve, si festë që e uron begatinë e verës, sepse gjashtë muaj të verës ishin ata që i ushqenin gjashtë muaj të dimrit.Kjo festë në fshatin Shëngjergj të Hasit të Prizrenit vazhdon të festohet edhe sot e kësaj dite, në një vend rural që prej kohësh ishte shumë i izoluar. Te pjesëtarët e besimit mysliman është pak e ndikuar nga feja, ndërsa te ata të besimit të krishterë ka marrë gati tërësisht karakter fetar dhe festohet vetëm nga një lagje. Edhe sot quhet me emrin Kreu i Motmotit. Ka mundësi që kjo ditë të ketë qenë fillimi iVitit të Ri sipas një kalendari të vjetër dhe të ketë pasur një emër tjetër që sot s’e dimë. Ky kalendar kishte sipas studiusve(Genc Kastrati dhe të tjerë) dhjetë periudha që merreshin dhe si festa mujore: Kreu i Motmotit (Shën Gjergji 6 -8 maj),Veror (9 maj-22 qershor), Korrik(23 qershor- 6 gusht), Djegagur (Muaji që e djeg dhe gurin7 gusht-20 shtator), Vjeshtë (Vjelshtë)(21 shtator- 4 nëntor), Mesi i Vitit (5,6 nëntor), Dimëror (7 nëntor -21 dhjetor), Brymës (22 dhjetor – 4 shkurt), Ngrijës (4 shkurt – 21 mars) dhe Pranverë- vera pranë apo pranë verës(22 mars – 5 maj).

Është kjo festë ndër katër pikat referuese të motmotit: Shën Gjergjit që festohet më 6 maj, Shën Mitrit që festohet më 8 nëntor, i Mjedisit të Verës që festohet më 6 gusht dhe i Mjedisit të Dimrit që festohet më 5 shkurt.

Kjo festëështë shumë e vjetër, e kohës kur njeriu ishte i varur plotësisht nga natyra dhe atë e merrte për Zot. Atëherë dukurive të natyrës dhe vetë natyrës u bënte lutje, yshtje, rite, flijime dhe përbehej për diellin, për hënën, për malin, për lumin, për qiellin, për tokën, për gurin, për bukën, për kripën etj. Madje përbemja në gurë ishte përballur me fenë sa vetë Gjeçovi pohon se të krishterët preferojnë të betohen në gurë e jo në ungjill.
Rrodhi pastaj kjo festë nëpër mijëvjeçarë me një emër që sot nuk e dimë, por është ruajtur emri Kreu i Motmotit si emërtim për fillimin e motmotit të ri. Faik Konica perëndinë e natyrës, te ilirët, e quante Surdi. Gjithnjë kishte rëndësi një kufi kohor „Shën Gjergj – Shën Mitër – verë“ dhe „Shën Mitër- Shën Gjergj – dimër“.

Kur lindi Krishterimi, emri i tij u zëvendësua me emrin Shën Gjergj, martir i të varfërve. Por Atë Bernadin Palaj thoshte: Kremtimi i ditës së Shën Gjergjit është me origjinë pagane se kisha e të dyja riteve nuk njeh ndonjë shenjtor të martirizuar më 23 prill me emrin Gjergj.

Sigurisht pasi nuk mundi ta zhdukte si festë pagane, feja e përvetësoi, i vuri emër tjetër, e ndërroi datën e festimit dhe i dha ngjyrim fetar edhe ceremonisë së të festuarit duke e lidhur me kishën. Filloi pra të festohet më 23 prill si ripozicionim.Kur një pjesë e popullit u myslimanizua, veç sa u forcua festimi i saj në datën e vjetër, më 6 maj, me të gjitha ceremonitë që bëheshin dikur. Edhe vetë të krishterët thoshin: „Shin Gjergji i Madh“, ose thoshin: “S’asht Shin Gjergj e shkado, po asht Shin Gjergj e mashallah”. E kishin kuptuar dhe madje e kishin të freskët se gjithçka përkonte me atë datë dhe efektet stinore vëreheshin çart. Natyra s’pranonte përdhunim. Mjerisht sot bëhet një propagandë nga hoxhallarët se kjo festë nuk duhet festuar, se është festë e magjupëve. Magjupët nuk e festonin këtë festë në Indi apo Egjipt prej kah kanë ardhur, as Bajramin, por i gjetën te vendësit dhe i festuan bashkë me të tjerët. Madje dhe vetë hoxhallarët, që kanë jetuar në vende rurale, edhe vetë deri dje e kanë festuar Shën Gjergjin dhe turp është që sot mundohen të çrrënjosin gjithçka nga tradita dhe historia jonë kombëtare.

Populli lëvizi nga paganizmi në krishterim e prej andej një pjesë në myslimanizëm. Asnjëra fe nuk ka të drejtë ta fajësojë tjetrën për tradhëti. As ta lëvdojë, as ta shajë, as të mbyllet në vetvete me fanatizëm, por të respektohen si motra të një gjaku e të një Zoti. Qenë nevoja historike dikur. Por me gjithë këto konvertime, populli e ruajti qenësinë shqiptare dhe gjuhën shqipe si një popull i lashtë dhe i veçantë që nuk u asimilua. Janë të rralla këto raste në histori.

Sot kuptohet se koha moderne, globalizmi kulturor, qytetërimi modern po e zbehin madhështinë e dikurshme të festës, por ç’të keqe ka të festohet edhe sot deri sa një ditë do të pushojëvetvetiu të festohet dhe do të ruhet vetëm si një begati nga trashëgimia kulturore. Kjo është një begati e filosofisë së jetës dhe traditës. Dhe mirë, shumë mirëështë që ruhet në vende rurale, me plot elemente të vjetra, ndërsa në shumë vende ose i janë dhenë ngjyrime fetare (te myslimanët natën e festës, më 5 maj bëhën ceremoni në tyrbe, shkruhen dhe bartën hajmali te njerëzit dhe bagëtia), ose nuk festohet më.

Unë e kam festuar si i vogël edhe me gjyshen, edhe me nënën dhe jam ndier i lumtur. Jo se u kam besuar të gjitha atyre këngëve, riteve, dokeve, bestytnive dhe ceremonive të tjera, por e dija se në një kohë kanë pasur kuptim të caktuar dhe domethënie për realitetin e hidhur të jetës. Ato e kanë qetësuar shpirtërisht, kanë krijuar vetëbesim te ai dhe e kanë mobilizuar për punë. Dhe po shkruaj pa pasur ndonjë pretendim shkencor. Po shkruaj për elementet pagane që janë ruajtur ende.
Pas një dimri të tmerrshëm që kalohej vështirë, pasi shtëpitë ishin të dobëta, gjendja materiale shumë e rëndë, bënte acar dhe binte borë e madhe, mungonte buka, ushqimi për kafshë, sëmuarjet sillnin vdekje, duheshin bërë shumë punë dhe në ato kushte; vinte Shën Gjergji, pushonin vuajtjet dhe çdo gjë ripërtërihej, si ripërtërihej edhe vetë jeta përmes brezave të rinj.

Kremtimi fillonte natën e Shën Gjergjit, më 5 maj.Në krye të fshatit, në vendin më të lartë, ndreqej një dushk me shkurre në formë të stogut të sanës. Të rinjtë nxirrnin barazaka (buriza), i ndërronin dhe i vënin në dyzen; nxirrnin pipa, bilbila, bishnica, fyej, kavalle nga lëvozhga e shelgut, vidhit opo frashërit dhe i futnin në ujë që të rrinin butë dhe të ishin funksionalë në kohën e duhur.Gjatë nxjerrjes ata këndonin dhe bënin yshtje:
Dil pipi i ri
Se të jap bukë e taxhi
Me tanore, me tepsi
E ta shti kryet n`Dri.
Buka për njerëz, taxhia për kafshë uroheshin si begati e verës, ndërsa lëngu brenda lëvozhgës ishte ai që sillte më shpejt gjelbërimin.

Vajza dhe djem mblidhnin lulebozhure, guracekë, lulenate apo lule të tjera; zienin vezë ose i ruanin ato që na i binin të krishterët për Festën e Pashkëve (të kuqe) dhe i përgatitnin bashkë me rrobat më të mira për të nesërmen, për ditën e Shën Gjergjit. Dikush më i vjetër nga familja shkonte rrëzë bjeshkës së Pashtrikut për të mbledhur barëra për kafshë, si lulemortunëza, sharrëza, lerthë, lulepini, hudhra të egra, kungull të egër dhe i përgatitnin për t’ua çitur të nesërmen bagëtive me kripë e krunde.

Besohej se këto barëra kishin aftësi mbrojtëse për shëndetin e kafshëve dhe nuk mbetej familje pa e bërë këtë. Në prag të festës laheshin rrobat e trupit, laheshin teshat e shtrojës e mbulojës, të dyshemesë; bëhej lyerja me gëlqere e shtëpisë, heqja e bërllokut nga plevicat dhe oborri, kallajisja e enëve të bakërta etj.
E zonja e shtëpisë digjte bajga të terura në mes të dyerve të oborrit, po dhe të shtëpisë, që kundërmonin tmerrshëm dhe besohej se i largonin shpirtërat e këqij të mos futeshin në shtëpi. Nëse në këtë ditë frynte erë e fortë, e zonja e shtëpisë e digjte një copë zhguni të vjetër që kundërmonte erë shkrumbi të rëndë dhe e vendoste aty ku e rrahte era. Paragjykohej se do të ndikojë në ndaljen e saj atë ditë dhe në thatësinë që mund ta shkaktonte gjatë verës. Shtëpia mbahej me dritë nga një pishë që rrinte ndezur tërë natën, ndërsa tash është zëvendësuar me qiri.

Darka ishte e veçantë. Po të ishte mundësia këshillohej gjella fasule me mish të terur,veçmas me gjuhë të terur të lopës, që e kishte kuptimin e mençurisë, të folurit ëmbël gjatë vitit, të mallkimit të të ngecurit në të folur (belbëzim) të fëmijëve apo gjendshmëria dhe funksionimi i të folurit në rast gjyqi apo dhe në shkollë.

Nuset merrnin bimë gruri dhe e vënin nën jastekë. Ishte kjo një shenjë pastërtiedhe freskie, ishte urim për begati dhe për lindje të shumëta.
Ditën e Shën Gjergjit zgjimi bëhej herët. Pikërisht në orën tre. Meshkujt dilnin për ta kallur dushkun. Prej shtëpisë e deri në vendin ku ndizej dushku shkohej duke u rënë barazakave, bilbilave, pipave; duke kënduar dhe duke u mahitur. Kush kishte, para së gjithash, shkonte duke ngrënë diçka tëëmbël me bindjen dhe besimin se vera do të kalonte ëmbël. Kur ende ishte terr, ndizej dushku. Flaka përpinte qiellin. Rreth tij brohoritej, u bihej barazakave. Unët e zjarrit hudheshin në katër anët në hapësirë dhe binin si meteorë duke lënë gjurmë flake në ajër. Para se të fikej zjarri, u bihej dhe një herë barazakave dhe thuhej:
„Barazakë, moj barazakë
Hiqma dhimtën e kresë

Dhe ethet e versë“dhe gjuheshin në zjarr dhe nuk u bihej më. Po të ndjeu kush duke i rënë pastaj të thoshte: “Kush ta njeftë, ta dheftë”.
Edhe nëpër oborre digjeshin mbetjet e kashtës, tallës apo sanës. Pas kësaj fillonin lojrat. Loja më e dashur(e preferuar) ishte Loja e Shejave që luhej me gurë dhe kishte simbolikën e luftës. E luanin kryesisht djem të rritur. Ata ndaheshin në dy grupe të barabarta në numër dhe mundësi. I ngulnin në këmbë nga tri rrasa guri, në të dy anët, ballë për ballë, në largësi 10 deri në 15 m njëra prej tjetrës. Secili grup qëndronte pranë shenjave të veta,në vendin kufi dhe gjuanin me radhë me nga tre gurë të rrumbullakët me madhësi sa ishte aftësia e gjuajtësit për t’i rrëzuar shenjat e kundërshtarit. Ai grup që i rrëzonte i pari shenjat e kundërshtarit shpallej fitues dhe e ndëshkonte grupin tjetër. Ndëshkimi ishte se grupi humbës ose ecnin këmbëklic (me një këmbë)deri te shenjat e kundërshtarit ose e bartnin grupin fitues hipur në shpinë. Për shpoti grupi fitues u thoshte: „Ush, ush ! (Vesh, vesh !) duke aluduar në gomarin ose : „Hajde gjok !“ duke aluduar në kalin. Pasi kryhej loja, të gjithë ktheheshin në shtëpi. Pasonte larja dhe kjo ishte larje rituale, larje simbolike. Lahej e keqja e një stine dhe hije i pastër në stinën tjetër. Larja bëhej me ujë të nxehtë ku qiteshin lulebozhure, guracekë, lulenate, lule të tjera të freskëta që pas shkëputjes nuk e kishin prekur tokën, vezë të ziera, madje dhe vezë Pashkësh që te ne Mallakajt i binin të krishterët sipas një marrëveshjeje të vjetër. Gudulisej fytyra e fëmijës me to duke uruar: „ U rritsh me babë dhe nanë! U rritsh i pastër si guracek! Të marrtë shneta ! U bafsh rrumllak si voja!”

Vajzat dhe nuset i bënin punët e tyre. Shkonin herët në krua. Merrnin ujë të ftohtë dhe nga tre coka gurësh të larë që i përdornin me ujë kur laheshin, që ishte shenjë e trupit të fortë për punët e verës, por dhe për pastërti dhe mbarësi lindjeje. Në ujët e ftohtë e zonja e shtëpisë e fuste një degë shelgu a kumbulle dhe i spërkaste të gjithë anëtarët e familjes dhe atë në befasi duke uruar “ Të marrtë shneta !”.Ujët e ftohtë të sillte krahnezë (mornica) që ishte shenjë se trazohej mahmurllëku, se jetës i duheshin njerëz punëtorë, të papërtueshëm se “një herë vjen vera kah dera” dhe po nuk të gjeti zgjuar, shkon fati(nafaka) te fqinji. Ky rit lidhej dhe me shëndetin: i trazonte dhe i trembte dhimbjet dhe shpirtërat e këqij, që i zinte në befasi. Spërkatjen nuk harronte t’ua bënte dhe kafshëve kur dilnin nga ahuri.
Në derën kryesore të daljes nga shtëpia lidhej në dy anët një pe i kuq. Në të vareshin lule të llojllojshme dhe duhej të përulëshe për të dalë jashtë apo për të hyrë brenda. Poashtu, mbi çdo derë të shtëpisë dhe në fllanik (flladnik) ngulej nga një rremb kumbulle, që tregonte se shtëpia ishte e mbrojtur nga engjëjt dhe se ishte e gjallë dhe e freskët.
Zakonisht fëmijët po edhe të tjerët hanin bukë herët. Të ushqyerit ishte një bazë për mundjen e shpendëve (por kishte edhe një prapavi se trupi ishte i përgatitur për t’i përballuar punët e ditës), sidomos gungaqit (gjingjashit), por dhe të tjerëve. Kur mundej turreci, duhej të kishe një njeri prezent, si dëshmitar dhe i thuhej: “A je ispat se e munda turrecin ?” Dëshmitari përgjigjej: “Jam, ti a je ?”Kështu vazhdohej deri kur turreci heshtëte. Mundja kurorëzohej me fjalët: “Të munda, të munda, mor b… huq! Ti në zarar e unë në qar !” Po të qëlloje vetëm, besohej se ai të mundëte dhe thuhej se gjatë verës nuk do të shkonin punët mirë. Thënia “Ka sa me të mujt turreci…”kishte domethënie të tillë.
Qyqja mundej duke qenë së pari i ushqyer mirë dhe duke e bërë një dialog imagjinar me të, me zë:”Qyqe, qyqe, pashë mu, pashë ty, pashë Isufin që e ki vëlla, sa vjet m’i jep uha ?” dhe numëroheshin sa herë qyqja bënte “kuku!”, aq vjet besohej se i shtoheshin jetës sate.
Pupëza mundej këtë ditë si dhe ditën kur dëgjohej së pari duke i thënë fjalët: “Pupëz, pupëz, ti gojëmshelë e unë gojëçelë!” Goja çelë ishte dhunti e të folurit lirshëm e bukur e sidomos ishte brengë për fëmijët që vononin të flisnin ose belbëzonin. Kështu shpendët me pingërimat e tyre sfidonin: turreci – turr e në punë; pupëza – pup e në punë dhe qyqja – kuku kush nuk punon.
Çakthi mundej duke thënë: “ Të rafsha në tarrakop, ta thefsha një gop! Të rafsha në kaci, ta thefsha një bri !”
Nuset dhe vajzat i bënin punët e tyre të mëngjesit. Pasi laheshin dhe visheshin me rroba të reja, vinin mbi kokë dhe në brez kurora shelgu (kularë) me gjethe të freskëta që t’i mbronte nga dhimbjet e kokës dhe brezit, sidomos kyçeve të shpinës nga punët e rënda. Vajzat më të reja vënin mbi kokë kurora mbaruar me luledele dhe përparëse mbaruar me kukurekë. Thuajse donin të bëheshin një me gjelbërimin. Nëse ndonjëra zgjohej vonë e pritnin këngët:
Fryni era u trazu lumi
Deri n’drekë s’po ju del gjumi.
Shkrepi dielli ra n’pengjere
Çohi ma , mori demele.
Bjeni djepin t’i përkuni
E t’i mloj me copa zhguni.

Po ta shihje këtë ditë fluturën, këtë e bënin vajzat dhe nuset, e thoshin formulën e përsëritur:
Flutur, flutur,
Ti sari(verdh) e zi,
Unë kuq e bardh.

Kjo i referohej sëmundjës së verdhëzës apo sëmundjeve të tjera që ia nxinin fytyrën të sëmuarit.
Kur në këtë ditë e shihje gjarpërin, që në fshatin Shëngjergj e quajnë përtokës dhe kafshimi i tij ishte tmerr dhe vdekjeprurës, dhe, kur kishe shpëtuar pa të kafshuar, duhej ta thirrje emrin tënd me zë të lartë:
O- Adem- o!
Sa larg zani
Aq larg dushmani!

Në rast kafshimi, kur mungonte mjeku ose ishte larg, shërimi bëhej së pari duke e lidhur dhe shtrënguar krahun ose këmbën nga ana e zemrës, duke e lyer vendin e kafshimit me nishadër, duke e prerë vendin e kafshimit që të kullojë gjaku i helmuar, duke e thither vendin e kafshimit dhe duke e shpërlarë gojën vazhdimisht (kjo bëhej nga njerëzit me përvojë), madje dhe duke e çuar të sëmuarin te ndonjë plak që e dinte lutjen magjike(Dovën), formulë që e dinte rrallëkush dhe e mbanin të fshehur.Me gjithë tmerrin që e sillte, respektohej gjarpëri i shtëpisë, se çmohej si mburojë e shtëpisë. Këtë e pohon dhe Gjeçovi në veprat e tij. Thuase jetonin nën një kulm gjarpër dhe njeri. Ka autorë që thonë se emri shqiptar vjen nga fjala gjarpër dhe ilirët e kishin simbol të tyre.
Në mëngjes herët e zonja e shtëpisë e mbilte bagëtinë:lopë, dhi, dele, u çitte krunde e në fund kripë të përzier me barëra të grira, të mbledhuara në bjeshkë që mendohej se kishin vlera mbrojtëse. Bagëtia lëshoheshin herët në kullosë. Me to shkonte bariu që lavdohej se e kishte bagëtinë më të mbajtur mirë në katund. Rrokëshin demat, qetë, deshtë, cjeptë dhe lëvdohej ai qëi kishte më të fortë. Pas kullosës, në drekë, bagëtia bihej nëvath për të pushuar. Ky pushim i drekës quhej Manges dhe quhej kështu se mungonin në kullosë. Kjo e kishte anën pozitive se bagëtia prapë mbilej, bënte pleh të nevojshëm shumë për ara dhe pushonte në fllad.Mbileshin lopët “plleja”, ndoshta metatezë e fjalës pjellëse dhe quheshin kështu se kishin pjellë viça atë stinë dhe që në ballë mbanin një hajmali druri(shenjë fetare) lidhur me tojë e në bisht një pe të kuq, që ishte shenjë se ishin të mbrojtuara, madje dhe nga syri ikeq.Ndërsa “maze” quheshin ato që nuk kishin pjellur atë stinë, kishin pak qumësht, por që ishte me yndyrë, me mazë.
Këtë ditë ishte e obligueshme që të zihej djathë, sepse besohej se shkonte vera duke e bërë një gjë të tillë. Djathi zihej me mullëz që dikur sigurohej prej zorrës së posaçme të lopës, të dhisë, apo deles.Kur qumështi zihej, bëhej fluçkë. Sa e shijshme që ishte. Ndahej prej saj hirra me pahar (enë e vogël),çitej në trastë të rrallë për ta kulluar, hiqej e vendosej në dërrasë të pastër, i vihej një rrasë guri e larë përmbi për ta shtypur në formë zemre. Mbi rrasë të gurit vihej edhe një copë bukë e kripë që ishte shenjë e mikpritjes. Kush kishte më shumë bulmet tundëte mazë në pi. Pini stolisej me lulepini që e kishte nën tokë një rrënjë sa një arrë, që i parandillte droçkat e tlynit. Gjatë tundjes me tundës e zonja e shtëpisë(shpnesha- shpinesha) këndonte:
Tunu pi, u tunsh i bardhë
Se Shingjergji na ka ardh.
Sa po gzohet zoja e shpisë
Mblidhet grumëll tlyni i dhisë.
Del ajroni si ujë deti
Kshtu na u shtaftë bereqeti.

Kur nuk ndahej tlyni (gjalpi) nga dhalla (ajrani), thuase merrej me të mirë me këngë:
Tunu pi e tunu shoq
Banu grun e kallamoq.
Tunet pini, dalin sumlla
Ndahet tlyni grumlla-grumlla.

Për drekë detyrimisht bëhej përshesh me bukë misri. Urohej që tërë vitin të ketë këso ushqimi të shijshëm.
Vetëm në këtë ditë e në vazhdim këshillohej të pushoje në hije, para Shën Gjergjit jo, se hija të shitonte, sigurisht sillte të ftohur.Për ironi gratë përtace që ato ditë kishin lindur fëmijë, veçmas djem,këndonin:
O Zot, që ma fale kët djalë,
Falemnderës!
Për sahanin e dimrit dhe hijen e verës.

(Pjesën që e linte në kutëll (pjatë druri) fëmija dimrit e hante e ëma, ndërsa verës, gjatë punës, për t’i dhënë gji ose për ta mëkuar foshnjën, e ëma rrinte në hije dhe shpëtonte nga vapa për një kohë).
Pasdreke lëshohej bagëtia, çohej për ujë dhe pastaj në kullosë. Në shtëpi e zonja e shtëpisë e përgatitëte darkën, magjetorja e bënte punën e magjes, jashtorja punët e jashtme të shtëpisë: e hiqte plehun, e fshinte oborrin etj. Nuset dhe vajzat visheshin me rrobat më të mira, luanin me defe, këndonin e vallëzonin. Vajzat dhe fëmijët veçmas luhateshin me shallangjak (shilarth).Kjo ishte ditë me shenj kur bëheshin fejesa, ndaheshin vade për martesë, merrej peri për nuse. Meshkujt i vizitonin fqinjët, arat, kopshtet. Kishte shumë raste kur ata tuboheshin në një fushëz që quhet Fusha e Lols (e lojës) ose Fusha e Gurapeshit(gur që peshohej) dhe bënin gara në lojra të ndryeshme si kapja me të rrëzuar e veçmas në gjuajtjen e gurapeshit, një gurë i rrumbullakët në formë gjyleje që peshohej dhe hudhej si peshk, si sot në lojrat moderne hudhja e gjylës apo e diskut. Këtë ditë bëheshin dhe gara në vrapime me kuaj.

Për mbrëmjen e dites së Shën Gjergjit vënin burjana. Kurbani i Shën Gjergjit ishte traditë dhe thuhej se therja bëhej pa e prekur kurbani tokën.Flijimi bëhej për Dragoin që luftonte kundër Kuçedrës. Në këto raste ndodhte ndonjë shtrëngatë që sillte dhe breshër dhe ishte rrezik të shkatrronte të lashta apo të dëmtonte dhe bagëtinë dhe vetë njerëzit me rrufe. Me këtë rast qitej në shi një tanore me një copë bukë e kripë dhe thuheshin lutje për të kaluar pa dëme. Mbrëmbjen e dytë te festës vazhdohej hareja e ditës së mëparshme. Për darkë çitëshin kryesisht pite, dikush dhe burjan dhe sultiash (tëmbëloriz). Kështu kalonin tri ditë të Shën Gjergjit kur nuk punohej, sidomos ditën e tretë, motrën e Shën Gjergjit, kur rreptësisht ishte e ndaluar të ziheshin qetë për të lavruar. Punohej këtë ditë po që se vihej në pyetje buka e motmotit.

Dita e Shën Gjergjit duhej të kalonte e gëzuar. Nëse rastësisht të delte ofshama, që është shenjë mërzitjeje apo brenge thuhej: “ Moj fshamë, mos ma ban zemrën gropë.. I rafsh gurit dhe drunit e e bafsh copë-copë !”

Po që se pyet lexuesi se a ka kuptim sot të merret me to njeriu bashkëkohor dhe unë them se jo po aq sa dhe me festa tjera joshqiptare(si Shën Valentini, kur e kemi festën tonë –Ditën e Verës), por pa u nënçmuar si një festë jona shumë e vjetër, me trashëgimi autoktone shqiptare.

Më Shumë

Totaj inspekton ndërtimin e obeliskut të UÇK-së

Në vazhdën e punimeve, në projektin “Ndërtimi i infrastrukturës (rrugëve dhe ambientit), turizmit kulturor në Leskovec”, sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku...

“Fortnight”, kënga e re e Taylor Swift thyen rekord!

Kënga e re e Taylor Swift “Fortnight” po korr një sukses të jashtëzakonshëm. Spotify së fundmi njoftoi se kënga e 34-vjeçares “Fortnight”, me Post...

Lajmet e Fundit