10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Fitues i sivjetshëm i “Çmimit Kadare” Leor Kume

Loer Kume është shpallur fitues i “Çmimit Kadare” për vitin 2019. Ai nga juria vlerësuese është përshkruar si përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe së zakonshmes.

Juria e “Çmimit Kadare”, kryesuar nga Bashkim Hoxha në përbërje të së cilës janë shkrimtarët Mehmet Kraja, Genciana Abazi, Alda Bardhyli dhe Diana Kastrati janë mbledhur në Razmë, ku mbajtën dhe mbledhjen finale për të vendosur fituesin. Ky është viti i pestë i krijimit të “Çmimit Kadare”. Në katër vjet më shumë se 100 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar 4 vepra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, vepra që kanë qenë fituese të këtij çmimi.

“Të përzgjidhesha në 10 finalistët e ‘Çmimit Kadare’ 2019 ishte në njëfarë mënyre habi dhe shpërblesë. Sepse, për brezin tim çmimet në Shqipëri janë kthyer prej kohësh në një farsë të madhe, ku cilësohen dy-tre emra në fillim dhe më pas dihet kush e fiton. Skema e përhershme me po ata emra të lakuar e të lashtë në juri ose në kandidim, që i kthejnë favoret njëri-tjetrit. Ndaj u habita që u prish kjo tabu dhe u kënaqa që këmbëngulja ime prej ‘kokëshkëmbi’, do të thosha, për të marrë pjesë në konkurs për herë të dytë, dha një rezultat fillestar”, kishte thënë para një jave Loer Kume. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10. 000 eurosh, ku përfshihen kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe Ditët Letrare të Razmës.

Loer Kume është 37 vjeç. Në vitin 2005 mbaroi studimet në Degën e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Fillimisht ka botuar tregime në revistat “Milosao”, “Obelisk”, “Drita”, “ARS”, “Fjala” e “Pelegrin”. Në vitin 2011 shtëpia botuese “Toena” ka botuar librin e tij të parë, “LUX”, një përmbledhje me tregime që ngjalli kureshtje dhe reaksione në rrethet e lexuesve me poezinë e fjalisë, temat e reja në letërsinë shqipe, stilin e të shkruarit dhe kontroversin për titullin si referencë ndaj okultizmit, kultit të Luciferit, pornografisë, nekrofilisë e aparatit shtypës të shtetit. Në vitin 2015 bashkëkrijon librin artistik antologjik të një grupi artistësh e poetësh të rinj të quajtur “Antologjia e poezisë dhe arteve vizuale – A Dangerous Method” e më 2017 ka botuar librin “Histori e shkurtër e rrëmujës”.

Në këtë edicion, për këtë çmim ishin zgjedhur si finalistë Imer Topanica me veprën “Lavdi marrëzive”, Fate Velaj me veprën “Itaka”, Fasil Haliti me “Për një gjysmë dielli”, Gaverina Muzhaqi me “Velloja e Majës”, Loer Kume me “Tregime”, Mimoza Hysa me veprën “Bijat e gjeneralit”, Majlinda Rama me “Lulet e bardha të janarit”, Roland Gjoza me “Te Deum”, Saimir Muhaka me “Mart Kajani” dhe Ylljet Aliçka me “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Ky është edicioni i pestë i çmimit letrar “Kadare”. Themeluesit e çmimit konsiderojnë se në katër vjet ky konkurs ka arritur të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin e letërsisë, dhe të kthejë debatin e munguar mbi letërsinë shqipe. Fakti që konkursi është për vepra në dorëshkrim ka nxitur dhe nxit shkrimin e prozës shqipe, gjë që vihet re dhe në numrin e madh të dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë edicion.

Fituesit e deritanishëm kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi.

Më Shumë

243 drunj në nderim të 243 të vrarëve në Krushë të Madhe

Shpimi i tokës duket jo i lehtë. Megjithatë në të po vendoset një dru dekorativ. Në parkun para shkollës fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe...

Thjesht por bukur, ja si duket Shkurte Fejza kur rri në shtëpi

Është një ndër këngëtaret më të dashura të muzikës popullore në vend. Shkurte Fejza vazhdon të jetë shumë e njohur për këngët e saj,. Shkurta vazhdon...

Lajmet e Fundit