11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ftesa e kohës për mendësi shqiptare

Prend Buzhala, shkrimtar(ÇASTE SHKRIMI IV, 15)
1.
Duke e parë ende të pazgjidhur çështjen tonë, atëherë vjen edhe ftesa e kohës sonë: për mendësi shqiptare e për mendimin shqip. E për ngritjen e kësaj mendësie, kjo ftesë porosit njohjen, vetënjohjen, që janë kusht i ndërtimit të identiteti individual, nacional e besimit të lirë.
Për deri sa koha jonë e ka materializuar Hyjin, e ka deformuar pamjen e tij, intelektuali shtrëngohet të mbajë qëndrim ca më të rreptë kritik; gjithnjë me brengën aq njerëzore; sa poshtë ka rënë njeriu në humnera të errëta të pasigurisë, ankthit e tmerrit, aty ku ndodhin luftërat, gjakderdhjet, dhuna, padrejtësitë e shkeljet e të drejtave të njeriut. Këtu shprehet edhe një brengë tjetër, siç është dëmi që sjell dyfytyrësia. Të mos tradhtohet njeriu, klith intelektuali, sepse “duke u kënaqur me pamjen e jashtme – me përmbushjen e formës – ligjit”; duke qenë formalistë, indiferentë, të zbrazët e të pamëshirshëm, ne do të na mungojë thellësa e zemrës; do të thoshim, se kështu e humbim esencën, ontos-in. Me aq vendosmëri kjo ftesë e kohës shprehet kundër dhunës dhe shkeljes.
2.
Intelektualët e mirëfilltë artikulojnë gjakimet e shqiptarëve, pa dallimet fetare, ideologjike a botëkuptimore, “se në këtë trung të përbashkët e kemi djepin e identitetit kombëtar, kulturor dhe civilizues.” Ata e duan shqiptarin sa më të përsosur; një qenie të lirë e jo të skllavëruar, të bashkuar e jo të ndarë në disa shtete apo të shkapërderdhur nëpër Perëndim a Lindje; që iu falet e iu përkulet vlerave shpirtërore, mbas atij gjenocidi, tmerri e holokausti e jo të jepet mbas adhurimit të vlerave të rrejshme… Ndryshe, populli ynë, posi Jeziu, e pësoi deri në fund vuajtjen më të lartë, ashtu edhe Triumfin, që e zhduki vërtet skandalin millosheviqian “të një Zoti tiran.” Ata dëshirojnë të mos e shohin konfrontimin aty ku të tjerët e kërkojnë me çdo kusht këtë: “Lindja dhe Perëndimi – dy shpirtra plotësues”, sepse gjendemi në pikën gjeostrategjike midis tyre. Së këndejmi ndodhi edhe ai shtresimi oriental: veçoritë e tij janë emocionaliteti, adhurimi i të kaluarës, me mitin e kultin e paprekshëm fetar a nacional. Te Perëndimi: racionalizmi, mendësi pa emocione, e pamëshirshme, që të kaluarën e sheh si Mësuese të Jetës, për ta krijuar të ardhmen, por e jeton të tashmen. Pragmatizmi lëshon lozën e tij të shfrenuar luksi, mobilet e kushtueshme, droga, erotika e sëmurë…), … por kjo ka edhe anën tjetër të medajles: të kënaqur me atë që kanë arritur. Në këtë konflikt mendësish, shpallet dhe ftesa për mendësi shqiptare, jo duke ndërruar fenë, kulturën a doket, por për ta shkarkuar atë baltën shekullore, paragjykimet, egoizmat, klanet, postet… Kurse gjithë ato që na ndodhën, le të jenë kalitje, kthjellim, vetëdijesim…./Prend BUZHALA/

Më Shumë

Zweig pas vdekjes së Moisiut: Ai që na e solli këtë art të shenjtë, qoftë i bekuar

Nga: Stefan Zweig (fjalë lamtumire shkruar pas vdekjes së Aleksandër Moisiut më 22 mars 1935) Përktheu: Albert Vataj Kush pati fatin e lumtur ta njihte nga...

Marku rikthehet në ring me një super përballje më 31 mars

Florian Marku do të rikthehet në ring të dielën e 31 marsit. Kundërshtari i tij do të jetë Chris Kongo dhe pritet të jetë...

Lajmet e Fundit