6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

“Gardhi” që po shkon drejt “Oscars” u mirëprit në “DokuFest”

Gardhin si ndarje, si kufizim apo si ngushtim? Diçka të tillë mund të aludojmë se ka pasur në mendje regjisorja Lendita Zeqiraj kur ka vendosur ta titullojë filmin e saj “Gardhi”, ose në anglisht “Fence”. Filmi i Zeqirajt erdhi si premierë kombëtare për publikun e Kosovës në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”, i cili po mbahet aktualisht në Prizren. Ky film erdhi para publikut shqipfolës pas një premiere të suksesshme në “Palm Springs International Short Film Festival” të SHBA-së. Në këtë festival “Gardhi” i Lendita Zeqirajt rrëmbeu çmimin “Filmi më i Mirë” dhe automatikisht fitoi të drejtën të kualifikohet për çmimet “Oscars”. Për këtë film premtues interesimi në Prizren ishte i madh. Kësisoj filmi rreth 15-minutësh u shfaq në “DokuKinoPlate”, ku nuk mbeti asnjë ulëse e zbrazët shkruan sot gazeta “Zëri”.

“Gardhi” i Lendita Zeqirajt flet për kontradiktat e një familjeje dhe disa dallime pikëpamjesh mes gjeneratash. Është personazhi Genti (Art Lokaj) që kërkon të ketë një qen si bashkëmoshatari e shoku i tij Xeni, por kjo kërkesë e tij refuzohet nga familja. Nëna e Gentit, tezja e tij, e disa gra e vajza të tjera rreken në diskutime që prekin tema të ndryshme teksa pihet çaji e reflektohet një mentalitet i caktuar. Pak a shumë kapërcimi ose jo i gardhit të shtëpisë na vjen si simbolikë e kapërcimit të pengesave ose të mospajtimeve që mund t’ua zënë rrugën dëshirave e synimeve.

Teknika e filmit “Gardhi”, të cilën e ka aplikuar regjisorja Zeqiraj, është një nga teknikat më të vështira në kinematografi, ajo e xhirimit me një plan të vetëm. Megjithatë nuk është hera e parë që Zeqiraj sjell një film me një teknikë të tillë. Njësoj ishte realizuar edhe filmi i saj “Ballkoni”, i prezantuar në qindra festivale ndërkombëtare dhe me një bagazh çmimesh të rëndësishme.

Pas premierës në “DokuFest” regjisorja Zeqiraj tha për gazetën “Zëri” se emocionet e saj gjatë prezantimit të filmit para publikut kosovar ishin të pakrahasueshme me shfaqjen e tij diku tjetër. “Edhe pse filmi premierën botërore e pati në Festivalin e Madh të Filmit të Shkurtër në Botë dhe u shpërblye si ‘Filmi më i Mirë’, duke e marrë të drejtën të kualifikohet për në ‘Oscar’, premiera kombëtare, kur filmi shfaqet para publikut vendas, jep një emocion të veçantë. Publiku kosovar edhe kësaj radhe ishte i jashtëzakonshëm e në numër të madh, gjë që më bëri të ndihem jashtëzakonisht e kënaqur dhe e lumtur që po e ndaja me ta filmin tim të radhës”, u shpreh regjisorja Zeqiraj.

E zgjedhja e “DokuFest”-it për premierën kosovare nuk ishte rastësi sepse Lendita e vlerëson punën e këtij festivali dhe kjo nuk është hera e parë që ajo prezantohet në Prizren. “‘DokuFest’-i është adresa e vetme ku unë bëj premierat e filmave të mi në Kosovë. Kjo ndodh për arsye se ‘DokuFest’-i është një ndër festivalet më të mira në rajon dhe më gjerë. Vizitohet nga një numër shumë i madh e i shumëndryshëm i publikut dhe kjo bën që filmi të shihet e të vlerësohet në mënyrën më të mirë të mundshme që secili regjisor do të dëshironte ta ketë për punën e tij”, tha Zeqiraj.

Pas triumfit në “Palm Springs International Short Film Festival” tashmë synimi i ekipit të filmit është akademia “Oscars”. Regjisorja Zeqiraj thotë se shpreson edhe në përkrahjen e institucioneve kulturore të Kosovës. “Planet për filmin ‘Gardhi’ tashmë janë shumë të qarta, të bëjmë përgatitjet për çmimin ‘Oscar’. Kjo është ajo që tani duhet të fokusohemi me tërë vëmendjen dhe për këtë na duhet një përkrahje shtetërore, të cilën shpresoj ta gjejmë tek institucionet tona kulturore. Në ndërkohë filmi është përzgjedhur për pjesëmarrje edhe në shumë festivale botërore tjera të mëdha të kategorisë ‘A’, por tani për tani nuk kam të drejtë të përmend cilët janë ata për arsye të rregullave të festivaleve, por shumë shpejt do të fillojmë me shpalosjen e tyre në momentin që na lejohet ta themi”, tha Zeqiraj.

Në këtë film luajnë aktorët: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina.

Filmi “Gardhi” është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare “N’art”, “Sacrebleu Productions” nga Franca dhe “Woof Films” nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, “Cinema Fondacioni” – “Region Ile de France”, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

Regjisorja Zeqiraj menjëherë pas përfundimit të filmit “Gardhi” ka filluar të punojë për filmin e saj të ri që titullohet “Aga”. Për “Zërin” ajo tregoi se xhirimet e këtij filmi kanë përfunduar dhe aktualisht është në fazën e postproduksionit./ZËRI/

Më Shumë

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në...

Paraqitje e jashtëzakonshme: KFF Liria triumfon kundër KFF Intelektualeve

Në ndeshjen mes KFF Lirisë dhe KFF Intelektualeve, skuadra e KFF Lirisë triumfoi me një rezultat të thellë, 6:1. Trajneri Sinan Osmani drejtoi vashat e Lirisë,...

Lajmet e Fundit