7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

“Gënjeshtarë të vegjël” rikthen mjeshtrin e letrave shqipe

Romani “Gënjeshtarë të vegjël” është titulli më i ri që ka shënuar kthimin në letërsinë bashkëkohore të autorit të mirënjohur shqiptar Fatos Kongoli.

Në kuadër të Panairit të Librit ditën e premte u organizua edhe përurimi i këtij libri, i cili është botuar nga shtëpia botuese “Toena”.

Irena Toçi nga “Toena”, në fjalën e hapjes falënderoi gjithë pjesëmarrësit, shkrimtarët, artistët e lexuesit duke e vlerësuar si një aktivitet shumë të rëndësishëm.

“Këtë vit përveç librave të tjerë një nga librat e rëndësishëm që ne kemi botuar dhe e kemi sjellë në Prishtinë është edhe romani i ri i shkrimtarit të mirënjohur Fatos Kongoli, i cili këtë herë është i pranishëm në promovim. Fatosi pati para disa kohësh një sëmundje të rëndë, që shpëtoi fatmirësisht dhe pas një sëmundjeje të gjatë solli librin e fundit, pra këtë që po e promovojmë. Ta quaj këtë një riardhje në letërsi dhe një riardhje me gjithë fuqinë e letërsisë së tij”, u shpreh Toçi.

Në mënyrë analitike për librin foli studiuesi nga Shqipëria, Behar Gjoka. “Për të ardhur te libri që kemi në duar do të thosha se që në titull ka një situatë, e cila shumë flet. Nëse titulli mëton në atë që shpesh quhet gënjeshtra e parë, ka gjasa që prapa saj të fshihemi. E gënjeshtarët e mëdhenj ne i kemi çdo ditë në ekrane, nuk e di a ka mashtrues më të mëdhenj se politikanët që na premtojnë parajsën dhe nuk dinë çka na sjellin dhe këtu jemi në një tekst ku që në titull lajmohet se kemi të bëjmë me një situatë mirëfilli njerëzore. Situatë mirëfilli të njeriut si pjesë e shoqërisë, të individit si një situatë që përplaset me dy kohë, përplaset me dy mendësi, me disa këndshikime dhe ashtu si në veprat e tjera, së pari mendoj se te ky libër do të gjeni tematizimin e të thjeshtës, të zakonshmes e të të rëndomtës”, vlerëson Gjoka.Gjoka tutje theksoi se letërsia shqipe nuk duhet kërkuar temat e mëdha rapsodike, te bajlozët, se letërsia nuk është betejë, por art.

“Të thuash realizëm është pak, të thuash neorealizëm përsëri është pak. Autori në libër thyen tabutë e komunikimit. Njeriu është i madh ose është i vogël, është president ose është njeri zakonshëm, akademik ose lexues i zakonshëm nuk ka rëndësi në letërsi. Marrëdhënia mes krijuesit dhe lexuesit është një betejë, autori në logjikën time e kryen misionin drejt lexuesit. Tërhiqet vëmendja në raport me atë çfarë ndodh në një tekst. Tekst ky i autorit që na përfshin në kuptimin e mesazheve, na përfshin në kuptimin e përzierjes së kohërave, na përfshin në kuptimin e kapërcimit të mendësive”, thekson studiuesi që sipas tij autori këtë e bën për një arsye që lexuesit dhe atyre të cilëve ua dedikon shkrimin t’u thotë se njeriu kudo që të jetë duhet të mbetet i atillë siç është.

Sipas Gjokës, edhe sikur vampir të jesh, edhe sikur bishë të jesh, bëhu njeri duke thënë të vërtetën. Së dyti, ajo që i ka bërë përshtypje studiuesit dhe që lidhet pikërisht me atë situatë të prozëshkrimit është ajo që quhet mjeshtëri e rrëfimit.

“Te ky libër vijmë me një situatë që do të thosha se është diçka më interesante dhe për mua është e tillë për dy arsye. Është rrëfyesi autor që është paksa më i distancuar, më kronikal është më i papërfshirë në ngjarje dhe krijon një mundësi që në këtë distancë të krijuar të na thotë shumë bukur dhe në qartësi çka ka ndodhur me njeriun, me dashurinë. Autori në këtë rast qetësisht i këndon fatit të personazheve e gjithçkaje që ndodh në këtë libër. Kemi të bëjmë pikërisht me ngjizjen e realitetit letrar, ku gjejmë veten, ku gjejmë dëshirën, aspiratën tonë, ku rrekemi të fshehim shumëçka”, vlerëson Gjoka.

Duke i vlerësuar si momente shumë të rëndësishme të punës aktivitetet në kuadër të Panairit, Toci ka falënderuar Shoqatën e Botuesve.

Në anën tjetër Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, u shpreh se e ndien si obligim që në emër të institucionit të cilin drejton t’i falënderohet përzemërsisht shkrimtarit Fatos Kongoli.

“Çka është dyfish kënaqësi për mua është fakti që edhe pse dallojmë në gjenerata dhe mund të mos përputhen mendimet tona, unë në fakt që në faqen e parë të librit gjeta pykat dhe veten. Pashmangshëm tipari i shkrimtarit të madh është ky, të na artikulojë dyshimet, pakënaqësitë tona”, tha Zeneli.

Fatos Kongoli, autori i “Gënjeshtarë të vegjël”, në fjalën e tij falënderoi organizatorët e këtij Panairi që thotë se i ka pëlqyer shumë.

“Falënderoj Shoqatën që më ftuan të marr pjesë, botuesin tim zonjën Irena Toci, Beharin. Shumë u thanë fjalë të mira për mua unë dua të perifrazoj modestish Qosjen që tha në promovimin e djeshëm se ‘nuk e di nëse i meritoj të gjitha këto fjalë të mira’, edhe unë do ta thosha të njëjtën gjë. Por modestish do ta them se nuk është se nuk më bëhet qejfi, shumë edhe atë. Shoh personalitete shumë të shquara, nuk di ç’të them. Unë i detyrohem këtij vendi, ngase ky vend ka bërë shumë për mua. Nuk mund të rri pa thënë se Kosovës i detyrohem shumë dhe jam i dashuruar në këtë vend dhe është reciproke. Nuk rresht së foluri për marrëdhënien time emocionale shumë të thellë për këtë vend e për njerëzit këtu”, u shpreh shkrimtari i madh Kongoli.

Image

Rikujtojmë Fatos Kongoli është i lindur në Elbasan më 1944. Ka studiuar për matematikë, ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuar nga lexuesit shqiptarë dhe të huaj

Më Shumë

Reja, afër të emërohet trajner i skuadrës në Seria A

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja raportohet se mund të marrë drejtimin e skuadrës së Udineses deri në përfundim të këtij sezoni. Mediet...

Serbia paraburgos mërgimtarin nga Hasi që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Lajmet e Fundit