10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Gjuha shqipe e klasës së dhjetë me plot lëshime

Shkruan: Gani K. Rudaj

(Vështrim për librin e klasës së dhjetë- Gjuha shqipe)

Teksti Gjuha shqipe për klasën e dhjetë të autorëve Idriz Mejtani dhe Mimoza Gjokutaj, si dhe me recensentë Hava Shala-Qyllalla, Xhabir Hajredinaj dhe Lumturie Lila është hartuar mbi bazën e programit të lëndës së gjuhës shqipe të shkollave të mesme.

Ky tekst është paraparë të jetë një armë aktive për nxitje të mësimdhënies së gjuhës shqipe nga mësimdhënësit, si dhe të ketë një aktivitet më interesant te nxënësit në orën mësimore në lëndën e gjuhës shqipe.

Mirëpo, duke e lexuar këtë libër kam vërejtur disa zbrazëti në këtë tekst.

Autorët e librit thonë se gjuha shqipe është varianti më i përpunuar për t’ u përdorur në komunikim zyrtar, në administratë, në arsim, shkencë, në praktikën shkrimore dhe botuese në të gjitha mjediset shqiptare.

Është thënë shumë bukur.

Në radhë të parë ky libër nuk guxon të ketë asnjë gabim gjuhësor, natyrisht se ky parim vlen edhe për libra të tjerë. Për shmangien e gabimeve gjuhësore gjithmonë na ndihmon FJALORI DREJTSHKRIMOR I GJUHËS SHQIPE.

Po filloj me analizën e librit nga këndvështrimi im.

Në faqe 14 në këtë libër është mësimi me titull: KTHIMI I TEKSTIT TË VJETËR SHQIP NË SHQIPEN STANDARDE dhe si nëntitull: NDRYSHIMET HISTORIKE TË TINGUJVE TË SHQIPES.

Në këtë mësim janë shkruar teksti i Gjon Buzukut KËNGA E  KËNGËVE  II , teksti i Lekë Matrëngës KËNGË E PËRSHPIRTËSHME si dhe vjersha e Pjetër Budit ADAMI DHE EVA. Në të trija këto tekste më tepër është shkruar për kuptimin e tyre përmbajtësor, d.m.th. analiza e tyre artistike dhe kjo punë është bërë mjaft mirë. Ajo që këtu nuk po shoh është se nuk janë përmendur ndryshimet historike të tingujve të shqipes.

Nuk ka shpjegime për rotacizmin, palatalizimin, metafoninë e apofoninë. Autorët është dashur të japin shpjegime për këto dukuri fonetike me shembuj konkretë.

Në faqe numër 18 kemi mësimin me titull: RIKAPITULLIMI I MBIEMRIT,PUNË PRAKTIKE,TEKST KREATIV. Në këtë mësim është dashur të jepet një shpjegim më i plotë për mbiemrin. P.sh. aty nuk është cekur se mbiemrat kanë kategorinë e gjinisë, kanë numër e rasë. Nuk është cekur se mbiemri është dy llojesh: i nyjshëm dhe i panyjshëm, si dhe nuk u përmend se mbiemri ka tri shkallë: pohoren, krahasoren dhe sipëroren.

Pastaj është dashur të jepet një pasqyrë e lakimit të mbiemrave. Nuk e shoh të arsyeshme që mbiemri të mësohet para emrit. Mësimi në faqe 21 mban titullin: RISHIKIMI I MODELEVE TË SENTENCAVE BAZIKE DHE HYRJE NË MODELET E SENTENCAVE TË REJA dhe si nëntitull: Ç’ ËSHTË SINTAKSA? PSE E STUDIOJMË ATË?

Në këtë njësi mësimore nxënësi duhet të marrë njohuri nga sintaksa.

Një gjë nuk mund ta kuptoj se si mund t’ i mësojmë nxënësit për sintaksën kur ata nuk kanë njohuri të plota për fonetikën dhe morfologjinë. Gjuhëtarët e dinë se SINTAKSA është LOGJIKA E GJUHËS dhe ajo është e thellë sa një oqean. Njohuritë për sintaksën arrihen vetëm atëherë kur nxënësi ka njohuri të mjaftueshme për fonetikën dhe morfologjinë.

Sa i përket mësimit me titull FJALIA, autorët janë përpjekur ta shpjegojnë mirë, por nuk e kanë cekur që kemi fjali pohore dhe mohore si dhe për të dhënë shembuj për to. Mësimi në faqe 23 me titull USHTRIME DREJTSHKRIMI, EFEKTET LETRARE. Ky mësim është për t’ u lavdëruar.

Është mësim që e plotëson mësimin e fjalisë. Pyetjet dhe ushtrimet që janë dhënë në këtë mësim janë të qëlluara.
Mësimi në faqe 34 mban titullin ANALIZA E TEKSTEVE LETRARE.

Në këtë mësim jepen shpjegime për analizën filologjike, analizën e strukturës dhe analizën e kompozicionit të një vepre letrare. Më duket se autorët kanë bërë punë të shkëlqyeshme. Mësimi në fjalë është i kapshëm për moshën e nxënësve. Unë mendoj se ky mësim është si një pasqyrë ku nxënësi vetëm duhet të shikohet në të.

Edhe mësimi SHKRIMI I NJE RRËFIMI që është në faqe 42 është i kapshëm për nxënësit. Autorët kanë bërë punë të mirë.

Në faqe 45 kemi mësimin RISHIKIMI I PJESËVE TË LIGJËRATËS. Këtu autorët kanë shkruar për pjesët e ndryshueshme dhe të pandryshueshme të ligjëratës.

FJALËT E NDRYSHUESHME – Këtu autorët i përmendin pjesët e ligjëratës, si: emri, folja, mbiemri, përemri dhe numërori. Në shpjegimin e emrit ata thonë se kemi emra frymorë, sende konkrete, dukuri të natyrës, emra cilësorë, veprime ose gjendje, nocione abstrakte ( e mira, e keqja ) ,emra të përgjithshëm e abstraktë, emra të përveçëm, emrat përmbledhës, emrat e lëndës.

Të gjitha këto u shpjeguan mjaft mirë, por unë mendoj se është dashur të jepej një pasqyrë e lakimit të emrit në numrin njëjës dhe shumës në të dy trajta dhe për të dy gjinitë.

Pastaj nuk u përmend se gjuha jonë ka edhe emra ambigjenë. Pastaj nuk u përmend që kemi emra, të cilët përdoren vetëm në njëjës dhe emra që janë vetëm në shumës.

 

Tek emrat me nocione abstrakte, si E MIRA, E KEQJA etj. nuk thuhet se këta janë mbiemra të emërzuar që kanë hyrë në klasën e emrave.

FOLJA – Këtu autorët janë marrë me shpjegimin e foljes, por me mangësi. Foljes ia kanë kushtuar vetëm 25 rreshta!!!

Folja është hapësja e gjuhës. Për këtë pjesë të ligjëratës duhet të shkruhet një kapitull i tërë. Këtu nuk shpjegohet se ne i kemi tri zgjedhime të foljeve plus foljet e parregullta me nënndarjen e tyre. Nuk shpjegohet se si zgjedhohen ato në kohë dhe mënyra dhe në dy diateza.

Këtu shoh vetëm foljen RRININ, por tjetër shpjegim nuk ka. Foljet JAM dhe KAM as që përmenden gjithashtu edhe foljet gjysmëndihmëse MUND e DUHET. Shpjegime të pamjaftueshme jepen për foljet kalimtare dhe jokalimtare.

MBIEMRI – Gjithashtu kemi mangësi në të shpjeguarit e kësaj pjese të ligjëratës. Këtu thuhet se mbiemri ka gjini, numër dhe rasë. Këtu duhet të themi se mbiemri ka tri shkallë: pohoren, krahasoren dhe sipëroren. Edhe këtu mungon tabela e lakimit të mbiemrave në të dy numra dhe në të dy gjini. Gjinia e mbiemrit përcaktohet nga gjinia e emrit.

PËREMRI – Këtu autorët bëjnë ndarjen e përemrave. Në të gjitha pjesët e ligjëratës autorët fillojnë me vargun: ” është pjesë e ndryshueshme e ligjëratë” , por asnjëherë nuk e shpjegojnë se PSE është e ndryshueshme.

Te përemrat vetorë autorët vetëm i përmendin se cilët janë ata. Nuk ka tabelë ku tregohet se si lakohen ato.

Asnjëherë autorët nuk përmendin se përemrat vetorë në rasën dhanore dhe kallëzore kanë edhe trajtat e shkurtra të tyre.

Te përemrat dëftorë, autorët vetëm i numërojnë ato. Nuk ka tabelë të lakimit të tyre. Te përemrat pronorë jepet një pasqyrë e lakimit të tyre sa për sy e faqe. Autorët te përemrat pyetës na shpjegojnë se për çka na nevojiten, por nuk ka lakime të tyre. Për përemrat e pacaktuar ka shpjegime të cekëta. Nuk ka tabelë të lakimit të tyre. Te shpjegimi për përemrat lidhorë më vjen çudi se këtu është përmendur vetëm përemri QË.

Shqipja ka edhe përemra të tjerë lidhorë, si: i cili, e cila si edhe në numrin shumës: të cilët, të cilat. Duhet të cek këtu se nuk jepet shpjegim për përemrin QË kur është lidhëz dhe kur është përemër. Për shpjegimin e numërorëve është paksa më i mirë. Prej të gjitha pjesëve të ndryshueshme autorët nuk e përmendën nyjën.

FJALËT E PANDRYSHUESHME – Për ndajfoljen u shkrua Fati krejt, por nuk u cek që edhe ndajfoljet sikur mbiemrat kanë shkallët e tyre.

Për PARAFJALËT, LIDHËZAT dhe PASTHIRRMAT, nxënësi mund të marrë njohuri të mira. Sipas asaj që kam lexuar në këtë libër mund te them se mësimet prej faqes 54 e deri në fund që është SHKRIMI I AUTOBIOGRAFISË, nuk kam ndonjë vërejtje.

GABIMET GJUHËSORE NË KËTË LIBËR – Gabimet gjuhësore në këtë libër janë: në faqe numër 5 në HYRJE është përdorur gabimisht përcjellorja DUKE PATUR trajta e drejtë është DUKE PASUR.

2. Në faqe numër 17 është shkruar: TË TRE TEKSTET… trajta normative është: të tri tekste. Po në këtë faqe është përdorur gabimisht parafjala e rasës emërore TEK te fjalia TEK DOKTRINA… , këtu duhet përdorur parafjala TE.

3. Në faqe 26 është përdorur fjala PIKËÇUDITËSE, ndërsa duhet të jetë PIKËÇUDITJE.

4. Vlen ta përmend se 52 herë është përdorur gabimisht fjalia: PËR KLASËN 10- të. Këtu duhet të mos shkruhet kjo

TË, sepse nëse numrin e shkruajmë me shkronja si p.sh PËR KLASËN E DHJETË- TË, mua po me duket qesharake. Kjo TË e ka vendin te numërorët 2,3 e 5. P.sh. klasa e 2- të, e kështu më tej.

Dhe për fund: në fund të librit ne faqe 108 e 109 është shkruar data 16.07.1980.

Data në gjuhën shqipe shkruhet pa ZERO.

Nëse largohen këto gabime dhe plotësohet libri nga këto vërejtje, por edhe nga të tjerat, ky libër mund të përdoret për klasën e dhjetë.

Ndryshe jo!

Më Shumë

Familja e 71 vjeçarit të vdekur akuzon urologun në Prizren për neglizhencë

Urologu Fatos Shukriu është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren për veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”. Kjo pasi që familja e...

Mirlind Daku flet për herë të parë: E kam pritur ftesën nga Kombëtarja, por është vendim i Sylvinhos

Kombëtarja e Shqipërisë e ka nisur me humbje vitin 2024, pasi u mund në miqësoren e parë për këtë muaj nga Kili me rezultat...

Lajmet e Fundit