2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Handke – non grata në Kosovë, hero për serbët

Nobelisti nga Austria, Peter Handke, do ta ketë të pamundur rikthimin e paralajmëruar në fshatin Hoçë të Madhe. Ka mjaftuar një vendim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës që nobelisti 77-vjeçar të shpallet “persona non grata”.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pasditen e së mërkurës ka njoftuar për vendimin që ia ndalon hyrjen në territorin e Kosovës shkrimtarit austriak, Peter Handke.

Pavarësisht kritikave të shumta, ku ishin përfshirë institucione akademike, qarqe letrare e emra të njohur shkrimtarësh ndërkombëtarë, në Graçanicë të martën në Shtëpinë e Kulturës ishte mbajtur një akademi solemne, në të cilën shkrimtari, mohues i gjenocidit, ishte vlerësuar si alamet krijuesi e “apostull i së vërtetës”.

E burime të “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se Kisha Ortodokse Serbe veç i ka bërë Handkes ftesë për të vizituar Kosovën.

Në vitin 2013, komuniteti artistik i Kosovës kishte kërkuar shpalljen “non grata” edhe të regjisorit serb, Emir Kusturica, i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste në projektet e tij filmike. Si shkas ishte bërë paralajmërimi i tij se do të xhironte një film me temë mbi trafikimin e organeve njerëzore që ua atribuonte shqiptarëve të Kosovës. I menjëhershëm kishte qenë reagimi i kryetarit të asokohshëm të Unionit të Artistëve të Kosovës, Lirak Çelaj, i cili kishte kërkuar që Kusturicës t’i ndalohej hyrja në Kosovë.

“Është e vërtetë se kam kërkuar publikisht në atë kohë që Kusturica të shpallej ‘persona non grata’, për shkak të qëndrimeve të tij publike pro luftës dhe gjenocidit që bëri Serbia ndaj shqiptarëve, boshnjakëve e të tjerëve. Por, me sa di unë, institucionet nuk kanë ndërmarrë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Çelaj për gazetën.

Ai ka vlerësuar vendimin e MPJ-së kundrejt Handkes, duke thënë se ky parim duhet të mbahet ndaj secilit përkrahës të Milosheviqit.

Sado që nuk është bërë e ditur, dhjetëra persona tashmë janë të përfshirë në listën e të padëshiruarve në territorin e Kosovës. Kjo listë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës përfshin kryesisht emra zyrtarësh, politikanësh e ushtarakësh serbë. Në krye të listës së të padëshiruarve është emri i politikanit ultranacionalist serb, Vojislav Sheshel, ish-gjeneralit të Armatës serbe, Lubisha Dikoviq, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin dhe ai i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq. Në maj të këtij viti, lista ishte përditësuar edhe me emrat e kryeministres aktuale serbe, Ana Brnabiq dhe shtetasit rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i UNMIK-ut që ishte arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri të vendit.

Më Shumë

Përkujtohet dëshmori Ismajl Kryeziu

Të enjten është përkujtuar në 25 vjetorin e rënies heroike, dëshmori Ismajl Kryeziu. Në 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Ismajl Kryeziu, është përkujtuar...

Malishevë: Arrestohet një person për sulm seksual

Një person është arrestuar nga policia në Malishevë. Ai dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një femër. Rasti është raportuar të mërkuren, më 17 prill rreth...

Lajmet e Fundit