16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Hidrocentrali që deri në vitin 1973 furnizoi Prizrenin me energji elektrike

Në dalje të qytetit të Prizrenit, në drejtim të burimit të Lumbardhit të Prizrenit është një objekt i veçantë. Është ky hidrocentrali i Prizrenit, objekt muze. Deri në vitin 1973 banorët e Prizrenit janë furnizuar me dritë nga ky hidrocentral.

Përpjekjet për elektrifikim të Prizrenit datojnë nga vitit 1908

Në historinë e elektro energjetikës së Kosovës thuhet se përpjekjet e para për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë janë të vitit 1908, kur janë bërë përpjekje për formimin e një organizate për ndërtimin dhe shfrytëzimin e energjisë elektrike në Prizren, ndërsa pas një viti ka filluar aksioni për ndërtimin e centralit elektrik mbi lumin e qytetit.

Mirëpo, thuhet më tej në këtë histori, luftërat ballkanike dhe lufta e parë botërore e kanë ndërprerë këtë nismë për ndërtimin e hidrocentralit në lumin e qytetit të Prizrenit.

Centralet e para në Kosovë ndërtohen me mjetet e kapitalit të jashtëm apo të brendshëm privat dhe qyteti i parë në Kosovë, që ka pasur fatin të “shijojë” dritën elektrike është Ferizaji.

Në vitin 1922 në këtë qytet, në një mulli të një hoxhe identiteti i të cilit, nuk dihet, instalohet një gjenerator, i cili ditën shërbente për nevoja të mullirit kurse natën për ndriçimin e lokaleve të rëndësishme, tregut dhe rreth 60 amvisnive të këtij qyteti.

Më 1927 në Prishtinë ndërtohet një termocentral me avull, me fuqi 60 kVA e më vonë 400kVA. Në të njëjtin vit ndërtohet hidrocentrali mbi lumin Ibër për ndriçimin e Mitrovicës, i cili, pas 12 vitesh më 1939 pushon së punuari.

Në vitin 1928 në lokalet e një mulliri në Pejë, montohet gjeneratori që njëkohësisht ndriçon edhe disa rrugë kryesore të qyteit.

Ndërsa në Prizren drita e parë vjen në vititn 1929, njëzet e një vjet pas nismës së parë për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin e qytetit, nga i cili do të bëhet elektrifikimi e qytetit..

Në këtë vit ndërtohet hidrocentrali që sot është objekt muze nën mbrojtjen e shtetit. Hidrocentrali në fillim ishte me fuqi 160kVA, ndërsa pas tetë vjetësh montohet gjeneratori i dytë dhe kapaciteti elektrik zmadhohet në 320kVA.

Ky hidrocentral në atë kohë ka qenë më rentabil dhe teknikisht më i pasuri në Kosovë. Sipas dëshmitarëve të kohës, nga hidrocentrali i parë i Prizrenit kanë mundur ta marrin dritën vetëm familjet e pasura prizrenase.

Në vitin 1931 në Prizren kanë funksionuar tri trafo që kanë prodhuar 220 000 k£h. Nga historia e elektrifikimit të qytetit të Prizrenit është interesant të përmendet e dhëna se me elektrifikimin e Prizrenit, qyteti e fiton edhe kinoaparaturën e parë, më të cilën kanë mundur të shihen filma dokumentar dhe artistik në sallën e kinemasë së qytetit.

Në ato vite prodhimi i energjisë elektrike te afaristët e Prizrenit zgjoi interesim për rritje të kapacitetit të hidrocentralit me qëllim të zhvillimit të veprimtarive ekonomike dhe të zhvillimit të veprimtarive të tjera në bazë të shfrytëzimit të energjisë.

Tregtarët prizrenas mendojnë për hekurudhën e parë elektrike në Ballkan

Në historikun e elektrifikimit të Prizrenit thuhet se personalitetet autoritative nga radhët e tregtarëve të pasur prizrenas formuan këshillin nismëtarë që kishte për detyrë ta vlerësojnë mundësinë për ndërtimin e hekurudhës elektrike në rrugën Prizren- Ferizaj- Shkup.

Ky këshill në të cilin ishin Haxhi Rrustem Shporta, Shani Llausha etj e filloi punën seriozisht, madje mblodhi edhe kapitalin fillestar, i cili nuk ishte i vogël, por pushteti i atëhershëm nuk ishte i interesuar që të zhvillohej Kosova e lëre më për zhvillimin e Prizrenit, prandaj idea për ndërtimin e hekurudhës së parë elektrike në Ballkan ra në harresë.

Me zhvillimin në këtë fushë të Kosovës, hidrocentrali mbi lumin e qytetit të Prizrenit e ndërprenë prodhimin e energjisë elektrike më 1 nëntor të vitit 1973 për shkak të kapacitetit të vogël dhe vjetrimit të stabilimenteve, përkatësisht zgjerimit të qytetit.

Me rastin e 50 vjetorit të themelimit të këtij hidrocentrali me 8 nëntor të vitit 1979 nga Enti për Mbrojtjen e përmendoreve kulturore të Prizrenit ky objekt shpallet objekt muze i elektroekonomisë së Kosovës.

Në këtë objekt muze gjenden: stabilimentetet e hidrocentralit, materiali arkivor mbi nismën dhe përfundimin e objektit, grafikonet dhe fotografitë e objekteve të elektroekonimisë së Kosovës, veglat dhe materialet instaluese prej ditëve të para të elektrifikimit të Prizrenit, trafoja e vjetër nga Ferizaji, pjesët e hidrocentraleve të vogla nga anë të ndryshme të Kosovës, pjesë të centralit me gaz të Gjilanit etj. /Gazetaere.com/

Më Shumë

 Marrëveshje për zhvillim ekonomik dhe inovacion në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka nënshkruar sot një Marrëveshje të Mirëkuptimit me Innovation and Training Park (ITP) dhe Makerspace – Innovation Center Prizren për të bashkëpunuar në agjendën digjitale të...

Kurti: Me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë për çlirim

Kryeministri Albin Kurti, tha se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit për çlirim. “Kushtrimi i lirisë dhe lufta...

Lajmet e Fundit