7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Hoçia prezanton në Prizren të vërtetën përmes fotografisë

Ekspozita e fotografisë, e cila mbahet çdo vit në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”, sivjet i është besuar fotografes dhe artistes nga Shqipëria Blerta Hoçia.

Pra, programi i sivjetmë i fotografisë “DokuPhoto” po shënohet përmes bashkëpunimit me artisten, kuratoren Blerta Hoçia, e cila ka krijuar punimin që reflekton temën qendrore të festivalit e që është e vërteta. Publiku i “DokuFest”-it po ftohet të qëndrojë buzë lumit të Prizrenit tek ura e kaltër, që ta përjetojë një hologram që shfaqet si një fantazmë gjatë natës si një metaforë ndaj pakapshmërisë së të vërtetës. Titulli është referencë nga piktura Giorgione nga viti 1500 ‘Il tempo scopre la verita’ (E vërteta e zbuluar nga koha). Në pikturë koha përfaqësohet nga një plak, i cili e zbulon të vërtetën e zhveshur të personifikuar nga një grua e re prapa petkut.

Për gazetën “Zëri” Blerta Hoçia, e cila e ka përgatitur këtë ekspozitë, tregon se nuk ishte e lehtë të flitet për të vërtetën si koncept, mirëpo përmes metaforave janë përpjekur ta zbërthejnë edhe këtë temë. “Imazhet që kam zgjedhur janë pjesë e arkivit të pafund të internetit, janë ngjarje të viteve të fundit, të cilat edhe pse kanë zbuluar të vërteta kanë kaluar përmes newsfeed-it tonë virtual dhe indiferencës së përgjithshme. Për këtë arsye secili imazh është përkthyer në gjuhën e kodimit duke u bërë edhe një herë i padukshëm. Ajo çka shohim në fillim është data dhe më pas si prej një perdeje aty zbulohet imazhi i fshehur”, tregon Hoçia.

Kësisoj sivjet “DokuPhotos” fton audiencën të reflektojë mbi të dhënat që shohin. Të dhënat do të përkthehen në imazhe të zgjedhura nga arkiva jonë e përditshme kolektive, si lajmet, mjedisi, politika, shoqëria, lajmet e përditshme që shfaqen në faqet tona, vazhdimisht të ushqyer nga të vërtetat dhe gënjeshtrat, na mbetet indiferenca ose paaftësia për të dalluar mes tyre. Ekspozita ngre pyetjen se a është gjuha e të dhënave mediumi për të arritur te e vërteta apo vetëm për të sjellë miliona të vërteta? Instilacioni dëshiron t’i vërë në pikëpyetje mundësitë e pafundme të së vërtetës dhe natyrën e saj të paarritshme përmes hologramit fantazmë dhe përmes të dhënave të palexueshme që përbëjnë çdo imazh. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë festivalit. “Mbaj mend se herën e parë që kam qene në ‘DokuFest’ para shumë vitesh më ka përcjellë një energji shumë të mirë, të cilën vazhdon ta përcjellë edhe sot. Mendoj se ekziston një bashkëjetese e përkryer midis qytetit të vjetër dhe programit të pasur të filmave dokumentarë. Për sa i përket ‘DokuPhotos’ dhe bashkëpunimit, e shoh se duhet të reflektohet tema e secilit vit dhe ato gjithmonë janë frymëzuese dhe aktuale”, thekson fotografja duke shtuar se është e lumtur që pati rastin ta vizitojë “DokuFest”-in edhe si pjesëtare e fototekës së famshme “Marubi”. “Në vitin kur ‘Marubi’ erdhi në ‘DokuFest’ tema ka qenë ‘Future’. Në atë kohë unë punoja si përgjegjëse e arkivit së muzeut dhe e gjithë dëshira ime ka qenë dhe është që ai arkiv po ashtu si të gjitha arkivat që përbëjnë trashëgiminë tonë kulturore të shihen në marrëdhënie me të ardhmen. Prandaj edhe aktivitetet sillen që nga ‘Marubi Street Art’ e deri te videomapping me fotografitë e ‘Marubit’. Duhet që ta shndërrojmë shikimin tonë dhe jo trashëgiminë tonë kulturore, qofshin ato arkiva, muze ose teatro”, konsideron Hoçia.

Ekspozita “DokuPhotos” si çdo vit po qëndron e hapur që nga nisja e deri në përfundim të festivalit. “DokuFest”-i ka nisur edicionin e 18-të më 2 gusht në Prizren dhe përfundon të shtunën, më 10 gusht. Deri atëherë kërkon të vërtetën përmes filmave, duke organizuar shumë punëtori, ekspozita, mbrëmje muzikore, por edhe programe për fëmijë. Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër e Dokumentar, që mbajti edicionin e parë në vitin 2001, sivjet në programin e vet ka 282 filma, që po shfaqen gjatë 9 ditëve të festivalit. Siç kanë bërë të ditur organizatorët, 100 filma do të jenë pjesë e programit garues përmes dokumentarëve. Ky edicion ka edhe programin e muzikës, që sivjet shtrihet në katër skena të ndryshme, që nga iso-polifonia e deri te muzika elektronike eksperimentale.

Më Shumë

Malishevë: Arrestohet një person për sulm seksual

Një person është arrestuar nga policia në Malishevë. Ai dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një femër. Rasti është raportuar të mërkuren, më 17 prill rreth...

Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit. Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat...

Lajmet e Fundit