11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Hoti takohet me drejtorët e shkollave në Prizren

“Do t’i kthehemi arsimit fuqishëm pasi që pa arsim as liria nuk ka kuptim. Ju drejtorë keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Vullneti dhe gatishmëria juaj ka qenë e pakontestueshme andaj në nivel vendi kemi gjithsej 44723 fitues. Vetëm komuna e Prizrenit ka gjithsej 3241 fitues në të dyja garat në të tria nivelet. E vlerësoj shumë edhe përfshirjen e komuniteteve në Programin Nacional për Rininë, pasi që ai është hartuar për të gjithë nxënësit pa dallim, kjo është edhe e bukura e Prizrenit”.

Kështu tha Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, para drejtorëve të shkollave të komunës së Prizrenit.

Koordinatori Hoti tha se suksesi i nxënësve të Prizrenit i arritur në gara garat nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e drejtorisë komunale të arsimit, drejtorëve dhe stafit të shkollave. Ai tha se gjatë realizimit të garave ka pasur sfida mirëpo janë tejkaluar në bashkëpunim me këta akter.

Ndërsa, Drejtoresha e DKA-së Vezgishi falënderoi Koordinatorin Hotin dhe drejtorët e shkollave për vullnetin e treguar për kryerjen me sukses të garave nacionale.

“Garat zhvillohen për t’u shërbyer nxënësve, ndërsa angazhimi dhe vullneti juaj ka bërë që rezultatet e nxënësve të mos mungojnë. Sigurisht se ka pasur sfida dhe lëshime, por është hera e parë që ky program po zbatohet andaj ne do ta përkrahim Programin Nacional për Rininë, një program shumë i nevojshëm për vendin tonë”, tha Vezgishi.

Drejtorët e shkollave treguan sfidat që kanë hasur gjatë garave, por shtuan se rezultatet që kanë arritur ishin më të mëdha se sfidat, e kjo për ta ka qenë një arritje e lartë si përkushtim i tyre ndaj nxënësve.

Në shenjë falënderimi për bashkëpunim dhe për kontributin e dhënë në garat e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garat e Diturisë, Hoti ndau mirënjohje për drejtoreshën e DKA-së dhe drejtorët e shkollave.?

Më Shumë

Lajmet e Fundit