4.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Immanuel Mifsud, tri zemrat e një burri

Poshtë fenerit Te porta e kazermës, E dashur kujtoj Mënyrën si prisje ti Dy fjalë të vetme ishin ato që ti me butësi Pëshpërite Që më doje Që ti ishe përgjithnjë Lili im, drita ime Si dikur Lili Marlen Si dikur Lili Marlen Zhuzepe Maria Mifsud nga Valeta, proletar dhe socialist i deklaruar ndonëse nuk kishte lexuar kurrë libra të kuq , ushtar i Luftës së Dytë Botërore nuk do ti fshihte lotët në varrezat e Adoloratës.

Një ushtar nuk duhej të qante por atij i pëlqente kur i turbullohej shikimi…Imazhi i Zhuzepes të shfaqet menjëherë i veshur me kapotën e ushtarit, mustaqet që i dallohen në fytyrën e lëmuar, sapo nis të lexosh faqet e para të romanit “Në emër të Atit (e të Birit)”, shkruar nga Immanuel Mifsud, përkthyer nga Sadedin Limani, e botuar nga “Fan Noli”.

Autori është fitues i çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë në vitin 2011. I shkruar me një stil plot ngjyra ky roman është një homazh mbi kujtesën dhe rëndësinë e udhëtimit në kohë, për të ruajtur identitetin. Si një kronikë e cila asnjëherë nuk mbaron autori na zhvendos në Luftën e Dytë Botërore, për të rindërtuar dhe njëherë historinë e një ushtari që ashtu si çdo ushtar besonte tek atdheu i tij.

Një libër i nisur thjesht nga disa ditarë, nuk mund të kishte si të mos kishte në ndërtimin e tij ditarët, si një formë e cila jo vetëm e zhysin lexuesin në një njohje më të thellë të personazhit, por e bëjnë më të plotë veprën. Një libër që lexohet lehtë, por jo aq lehtë mund të iki prej teje. Më shumë se një kronikë familjare, është kronika e një kohe e cila nuk duhet harruar. I lindur në Maltë në vitin 1967, Immanuel Mifsud e ka nisur jetën e tij me letërsinë përmes poezisë e tregimeve të shkurtra.

Kjo ndjehet dhe në librin “Në emër të Atit (e të birit) në mënyrën sesi peizazhi bëhet menjëherë i plotë tek ty. Një udhëtim që nis nga varrezat e Adoloratës e përfundon në këto varreza ka brenda filozofinë e një raporti të përjetshëm mes Atit dhe birit. Çdo udhëtim nis prej Aldoratës e përfundon aty. Vetë autori përpiqet ta shpjegojë fabulën e këtij libri në parathënien që i bën librit duke marrë rastin e Roland Barthes i cili do të tronditej shumë nga vdekja e së ëmës.

Vepra e fundit e Barthes përmban disa nga pasazhet më tronditëse që ai kishte shkruar ndonjëherë , me shumë ndjenjë për këtë grua, mbase e vetmja që ai kishte dashur. Barthes shprehej se vështrimi i kujdesshëm i fotografive të nënës së vet, ishte thjesht një kundrim “pa humbur” në to; duke shtuar më pas, pasi i shikonte mirë se kurrë nuk do tua tregonte të tjerëve, pasi ato foto nuk mund “të flisnin”. E njëjta gjë i ndodhi dhe Emmanuel Mifsud.

Arti është gjithnjë historia jote, e ky libër nis nga një përvojë personale. Disa vite para se babai i tij të ndahej nga jeta, ai do të zbulonte rastësisht një libër të vogël me kapakë të trashë ngjyrë kafe që kishte brenda një ditar të shkruar, të cilin e kishte filluar në vitin 1939, pasi i ishte bashkuar Regjimentit Mbretëror të Maltës. Gjithnjë e kishte ditur prirjen e të atit për të dokumentuar përvojat e veta personale në formën e ditarëve. “Ndonëse unë i referohem përmbajtjes së librit të shënimeve si një “ditar lufte” ai nuk është aq i hollësishëm në krahasim me vepra të tilla si Tahht in Nar (Nën zjarr) të Elul Mercerit, ai përmban pak informacion në kuptimin e një informacioni të përshtatshëm historik.

Në fakt është një dokument mjaft i palidhur dhe i hapërdarë i shkruar nga një 19 vjeçar, i cili nuk mund të shkruante shumë mirë, ashtu i mbushur plot entuziazëm dhe emocione që vinin nga mbajtja e një uniforme si edhe nga ngjarjet dramatike që zhvilloheshin gjatë kohës kur shkruhej ditari”, shkruan Mifsud. Atëherë mendoi se dikur do ta publikonte ditarin kur të vinte koha. Por në mbrëmjen që erdhi pas funeralit të të atit, teksa përkundte në krahë të birin, do të merrte në dorë edhe njëherë librin e shënimeve.

“Në vend të tekstit në ditar, unë zbulova se po lexoja një tjetër tekst, atë që filloi të nxirrte në sipërfaqeje fletë pas flete një tekst të kompozuar, jo vetëm me kujtime por edhe me refleksione mbi maskilitetin dhe atësinë”, shkruan Mifsud. Ashtu si Barthes edhe ai do të kishte të njëjtin shqetësim që kjo fotografi “nuk do të flasë”; sepse më së pari ato fotografi janë formuluar me një regjistër krejtësisht të ndryshëm nga ai me të cilin ai ishte mësuar. Por këto ditarë ishin mjaftueshëm për të treguar historinë e një burri që e jetoi luftën me dinjitetin e një ushtari, dhe që një ditë u takua me Lili Marlen…

Në të vërtetë ajo nuk ishte një bjonde dhe nuk priti kurrë nën fener për të. Ajo ishte një refugjate nga Bormla që ndante një shtëpi në Qormi me njerëz si gjithë të tjerët. Sipas Lili Marlen ata mblidheshin rreth tavolinës së ngrënies dhe përderisa nuk kishte mjaftueshëm lugë, pirunë, thika e pjata për të gjithë sa ishin, ata zhysnin duart në një tenxhere të madhe. Por pastaj një ditë të bukur, ai ia nguli sytë. Në shkurt të vitit 1942 ai e mori për grua.

Nuk e vrau mendjen për portokollin e regjimentit dhe u martua me të me rroba civile. Fustanin e dasmës së saj e kishte bërë një rrobaqepëse nga Mdina, dhe Lili Marlen shkonte në këmbë deri atje për të marrë masën e një ditë ishte trembur shumë nga një sulm ajror që kishte nisur teksa ajo po ngjitej. Më pas u martuan. Kjo është historia e një burri që i besonte një trakti: Burri duhet të ketë tre zemra.

Një zemër prej flake që digjet me dashurinë për Zotin, një tjetër për mishi që rreh me dashuri për komshijen e tij dhe një tjetër prej bronzi për të shtypur dëshirat e trupit…. Ka shumë arsye për ta lexuar këtë roman. Një prej tyre është se të bën të qash. E nëse në fund të leximit ndjen stuhinë në sy, thjesht mbylli dhe lërë erën t’ju thajë lotët. Dhe nëse e dëgjon muzikën këndo dhe ti…

20 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)

Më Shumë

“Gjekovë” huqja drejtshkrimore në tabelë te hyrja e Prizrenit

Në hyrje të Prizrenit kanë gabuar në drejtshkrim në tabelë ku shkruan Gjekovë në vend të Gjakovës Ndërsa ajo në gjuhën serbe është shkruar si...

Hapet në Prizren edicioni parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës

Në Prizren u hap edicioni i parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe...

Lajmet e Fundit