7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Vendlindja e Shtjefën Gjeçovit – Janjeva, qyteza e harruar

Janjeva, qyteza e harruarSipas gjetjeve arkeologjike, konsiderohet se Janjeva është lokalitet mjaft i lashtë. Këtë e dëshmojnë mbishkrime të shumta që janë gjetur në këtë vend. Në dokumentet e shkruara, përmendet për herë të parë në vitin 1303.

Janjeva, po ashtu, është vendlindja e Shtjefën Gjeçovit, veprimtarit të shquar të lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar.

Janjeva ka qenë e njohur për xehetari, zejtari, shkrirje dhe përpunim të metaleve, artizanateve, nga argjendi e ari, dhe në fund edhe me ato të plastikës. Në vitin 1488, kjo qytezë e kishte edhe ligjin e vet të xehetarisë.

Nga një qendër kaq e njohur shumë kohë më parë, historia e Janjevës ka ndryshuar shumë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në ditët e sotme, komuniteti pakicë i kroatëve që jeton në Janjevë, lufton për mbijetesë dhe përballet me kushte shumë të rënda ekonomike, gjë që edhe është arsye për largimin e shumë banorëve, të cilët kërkojnë jetë më të mirë.

Tashmë, shumica e shtëpive në Janjevë janë të braktisura dhe të shkatërruara.

Nga kisha, që gjendet në majë të një kodre në Janjevë, me disa minuta të paktë ecjeje, mund të mbërrish në qendër të qytezës.

Rrugës nuk është e zakonshme të takosh shumë njerëz. Në qendër, shihet numri i paktë i shitoreve dhe kafeneve. Nëpër kafene janë të ulur pak njerëz, të cilët flasin me njëri-tjetrin pranë një gote me raki të vendit.

Petar Palic, një nga ata që Radio Evropa e Lirë i takoi, kishte jetuar në Janjevë deri në moshën 30 vjeçare, dhe pastaj, në vitin 1995, ishte shpërngulur në Kroaci.

Ai kohë pas kohe kthehet në Janjevë për t’i vizituar familjarët, ndërsa shton se ka kohë që ata nuk ndihen si në shtëpinë e tyre.

“Ne nuk jemi pakicë si serbët. Por, jemi pakicë brenda pakicës. Ne jemi këtu me lojën e fatit, tash e 700 vjet. Duam të na respektojnë si më parë. Tash e kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës. Nuk kërkojmë më shumë se të na respektojnë, ashtu sikurse edhe ne i respektojmë të tjerët. Të ndjehemi si në shtëpinë tonë”, thotë Palic.

Por, ka edhe banorë që janë rikthyer në qytezën e tyre. Nikola Brkic është një prej atyre që ishte shpërngulur për në Kroaci, por tani ai është rikthyer të jetoj në vendlindje.

Ai është baba i katër fëmijëve. Shqetësohet për fëmijët e tij, e arsye kryesore për këtë është që ata mësojnë në gjuhën serbe, e jo në atë kroate.

Brkic, është i papunë. Duke e parë që nuk ia del ta mbajë familjen, ai ka filluar të punojë tokën.

“Kam filluar ta kultivoj tokën, pasurinë që e kam. Jetoj këtu dhe punoj këtu. Kam një ndihmë sociale. Jetohet vështirë në Janjevë dhe tashmë kanë mbetur vetëm pesë për qind të kroatëve këtu. Rreth 95 për qind të njerëzve janë shpërngulur nga Janjeva. Ka pak njerëz të punësuar këtu. Janë disa që punojnë në arsim dhe në shëndetësi. Të tjerët merren me bujqësi, por nuk kemi kushte për të nxjerrë prodhime bujqësore”.

Ai kujton kohën sa ka qenë i shpërngulur në Kroaci, dhe thotë se është e rëndë të mendosh se në çfarë kushte kanë jetuar atje, dhe në çfarë kushtesh jetojnë sot në Kosovë.

“Është e çuditshme, sepse në Kroaci kemi pasur kushte të mira, për shkollim, për shëndetësi. Të gjitha kanë qenë të rregulluara. Kur jemi kthyer këtu, ka qenë rëndë. Fëmijët nuk kanë dashur të jetojnë këtu. Unë ju thosha se do të rrimë një javë apo dy, sepse babanë e kam këtu. Kështu kaloi koha dhe ne mbetëm. Ndryshe, për fëmijët dhe të rinjtë është mjaft rëndë, sepse nuk ka ndonjë zgjidhje apo perspektivë për fëmijët dhe të rinjtë në Janjevë”, rrëfen Brkic.

Marian Palic, punon herë pas here në ndonjë punë sezonale. Ai nuk ankohet, sepse thotë se është një kohë kur shqiptarët, që janë shumicë nuk kanë punë, dhe natyrisht që edhe kroatët e kanë të vështirë punësimin.

“Në Janjevë janë krejtësisht dy familje me të punësuar, që kanë biznese. Të tjerët janë krejtësisht të varfër dhe jetojnë buzë ekzistencës”, thotë ai.

Banorët e Janjevës kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’ua mundësojnë fëmijëve të paktë kroat që jetojnë në këtë vend, që të mësojnë në shkolla në gjuhën e tyre amtare kroate.

Sipas tyre, do të ishin të nevojshme investimet në kulturë, sport dhe në infrastrukturë, në mënyrë që t’ju lehtësohej jeta kroatëve që jetojnë në Janjevë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit