16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

“Kamarja e tradhtarit”, roman i Ismail Kadaresë, një alegori e pushtetit të Shqipërisë së vjetër

“Kamarja e tradhtarit” është një alegori e pushtetit dhe e Shqipërisë së vjetër, një roman me fantazi e humor dhe me tre koka të prera. “Kamarja e tradhtarit” nga Ismail Kadare është botuar nga Harvill Secker.

Në vitet 1970, romancieri i madh shqiptar Ismail Kadare shkroi tre romane ambicioze dhe të ndërlidhura. Dy të parët “Ura me tre harqe” dhe “Kamarja e turpit”, (anglisht Kamarja e tradhtarit), u botuan në vitin 1978, ndërsa i treti, Pallati i Ëndrrave”, u shfaq në vitin 1981. Romani i tretë, u ndalua në Shqipëri menjëherë pas paraqitjes së tij, duke nënvizuar vendin delikat të Kadaresë në shtetin represiv, por edhe rritjen e popullaritetit të tij: në kohën që u vendos heqja e librit nga qarkullimi, të gjitha kopjet ishin shitur.

“Kamarja e tradhtarit” është i fundit nga tre romanet e mësipërme që po bën rrugën e tij në anglisht, nën përkthimin e kthjellët të Jonathan Hodgson. Me këtë roman tani në dorën e lexuesit, është e vështirë të kuptohet pse i duhesh kaq kohë botuesit në gjuhën angleze për ta kompletuar këtë portret alegoriko-burlesk të Shqipërisë së shekullit të 19-të, dhënë prej Kadaresë

Ngjarjet e romanit janë vendosur gjatë një dimri të hidhur në fillim të viteve 1800, kur Shqipëria ishte në skajet e perandorisë së madhe osmane. Personazhet kryesore janë kokat e prera që popullojnë një kamare të vogël dhe të pastër në një nga sheshet kryesore të Konstandinopojës. Tre kokat e njëpasnjëshme në kamare turbullojnë turistët, gazetarët dhe diplomatët, rrethohen nga frika dhe admirimi i qytetarëve.

Ndërsa romani hapet, ne, si turistët, jemi të tronditur me ardhjen e kokës së parë. Kthesat narrative të godasin me të qeshurën dhe me befasinë. Fund e krye, kjo është një alegori serioze mbi pushtetin, një ironi e mprehtë me strukturat përbërëse të tij .

Koka e parë, përpunuar me lëng balsamimi dhe e vendosur në një tas me mjaltë, është koka e vezirit Bugrahan Pasha. Koka iu pre pasi ai nuk arriti të pushtonte Ali Pasha Tepelenën, ose Aliun e Zi tetëdhjetëvjeçar, guvernatorin rebel të Shqipërisë. Koka mbikëqyret nga një roje e sapomartuar në ankth. Dy herë në javë, aty është i pranishëm një mjek shumë i këndshëm, i cili nuk mund ta besojë se perandoria ende kërkon ta bëjë atë një ndjekës të zjarrtë të Rregulloreve të lashta, për kujdesin e kokave të kryetarëve të dënuar.

Koka e dytë në kamare është ajo e rebelit Ali. Por përpara kësaj, ne ndjekim forcat otomane ndërsa marshojnë përgjatë shtrirjes së ngrirë të Ballkanit. Aliu ka njoftuar se do ta çlirojë Shqipërinë nga perandoria. Për habinë e tij, populli shqiptar refuzon të ngrihet me të dhe ai e humb kokën. Këtu hiqet një paralele shumë pranë me Shqipërinë e viteve 1970. Diktatori shqiptar i izoluar Enver Hoxha, posi Aliu i Zi dëshiron ta shohë veten një hero çlirimtar.

Poshtë në një nga burgjet e Aliut të Zi, jeton ende një disident. Para se Aliu të humbasë kokën, zbret për t’i thënë atij: “Ja, unë e kam bërë Shqipërinë një shtet të pavarur, por ti nuk do ta shohësh”. Njeriu, i mbuluar me pluhur dhe gjysmë i vdekur, qesh. “Ti nuk ke bërë asgjë, sepse je ende një pasha.” Aliu i Zi përpiqet ta heshtë njeriun, por ai ngul këmbë, “Ti ke hipur mbi një kalë të verbër, Ali”. “Shqipëria nuk është nëna jote Hanko. ” Ashtu si në shumë romane të Kadaresë, ekziston bashkëveprimi midis heshtjes represive dhe nevojës së pashuar për të folur. Aparati i fuqishëm burokratik i perandorisë është i vendosur në eliminimin e gjuhëve kombëtare dhe në shtypjen e kujtimeve disidente. Sidoqoftë, historitë popullore, thashethemet dhe pyetjet e vështira nuk mund të kontrollohen. “Arkivi qendror mund të bënte shumë mrekulli, siç kishte bërë me Ballkanin, por ishte përtej aftësive të tij për t’i fshehur këto pyetje që ngriheshin përmes mjegullës si malet dhe dukeshin e shkëlqenin mbi gjithë botën”.

Malet, fushat dhe moti janë gjithashtu karaktere. Edhe era flet: “Erërat e muajit shkurt u përkufizuan në një mijë gjuhë përgjatë fushës së errët nga dimri dhe lufta”. Por heshtja nuk është vetëm një mjet represioni: mund të jetë gjithashtu një armë e përdorur kundër të fuqishmit. Kur Aliu i Zi kërkon që populli shqiptar të ngrihet kundër osmanëve për ta mbrojtur atë, njerëzit heshtin me vendosmërinë e shurdhit. Kështu Aliu i Zi kontribuon një kokë të dytë në kamaren e Konstandinopojës. Sidoqoftë, Kamarja e Tradhtarëve është e uritur. Jo shumë kohë pasi Tunxh Hatai kish udhëtuar nëpër tokat djerra për të sjellë kokën e prerë të Aliut, duhet të kthehet prapë në Shqipëri për kokën e tretë: atë të Hurshid Pashait, “heroit” që mposhti Aliun e Zi. Fatkeqësisht, ylli i Hurshid Pashës u rrit shumë. Ndaj ai, gjithashtu, duhet të heshtë.

Ka mundësi që Kadaresë, tani mbi 80 vjeç, nuk do t’i jepet Çmimi Nobel për Letërsi. Sidoqoftë, “Kamarja e turpit” tregon se romanet e tij më të mira me siguri e justifikojnë atë

M Lynx Qualey

December 21, 2016/ Shkrimi është ribotuar (e përditësuar), mars 2018 në revistën “The National.ae”

Më Shumë

Kurti pranon nga Nagavci raportin e teksteve të rishikuara për klasat 1-9

Kryeministri Albin Kurti e konsideron thelbësor rishikimin e teksteve shkollore për cilësinë e arsimit dhe edukimit në Kosovë. Këtë deklaratë ai e ka bërë...

Dhimbja

Skënder Berisha Nganjëherë më ngjan se nuk e njoh Pas bredhjeve vjen në tjetër trajtë E lyer me tjera ngjyra Si blerim i shkrryer Si dritë e errësuar Që përvidhet...

Lajmet e Fundit