11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Kanuni, vepër unikale me frymë humaniste

kanuniDy prej figurave më të diskutuara të historisë së Shqipërisë, Gjergj Fishta dhe Lekë Dukagjini, vijnë në një libër të ri nga studiuesi dhe kritiku letrar, Tonin Çobani. Sipas tij, këta dy emra të rëndësishëm ende nuk janë pastruar nga përbaltja që u është bërë ndër dekada, aq sa emri i Lekë Dukagjinit i mungon enciklopedisë shqiptare. Në këtë vepër rrëfehen pikëpamjet e Gjergj Fishtës mbi fenomenin e gjakmarrjes, si edhe për lidhjen e tij me Lekë Dukagjinin. Tonin Çobani është i njohur për dhjetëra monografi, ese, studime e artikuj veçanërisht për Gjergj Fishtën dhe veprën e tij. Gjithashtu ai ka studiuar edhe ndikimin e Kanunit në kulturën, psikologjinë dhe mentalitetin shqiptar nga vitet ’50 e deri në ditët tona.

Në monografinë “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, autori ka sjellë në vëmendje princin e harruar të shek. XV, i cili ishte një ndër princat iluministë shqiptarë, e që lidhet me një moment të veçantë të kulturës shqiptare siç është themelimi i Kanunit. Sipas autorit, ky princ i shqiptarëve, në ndryshim nga Skënderbeu, ka qenë gjithmonë i anashkaluar dhe prandaj duhet risjellë për brezat e sotshëm historia e vërtetë, ashtu siç ka ndodhur. E natyrisht, për të bërë këtë nuk mjafton vetëm një vepër. Ndoshta kjo është arsyeja që autori sjell një tjetër libër i cili vërtitet rreth të njëjtit subjekt, por këtë herë së bashku me qasjen e të madhit Gjergj Fishta.

Libri “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” u promovua ditën e premte në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Një vepër e cila shërben si vazhdim i monografisë, por që synon të nxjerrë në pah edhe më shumë të vërteta të mohuara apo të harruara që lidhen sidomos me Kanunin. Duke pasur parasysh se ka shumë autorë e studiues që e kanë mohuar krejtësisht ekzistencën e bashkë me të edhe vlerën e Kanunit- si për shembull Pupovci, sipas të cilit, për vetë faktin se kjo vepër nuk është gjetur e shkruar, nuk është aspak e lehtë të argumentosh pas disa vite studimi dhe kërkimi, jo vetëm ekzistencën e Kanunit por edhe ndikimin e madh që ka pasur kjo vepër qysh para pushtimit osman. Autori Çobani është shprehur në një intervistë për gazetën “Vatra”, realizuar përpara disa muajsh, se edhe pse vepra madhore si Iliada e Odisea kanë qenë të mbledhura nga rapsodë shëtitës, pra nuk janë gjetur kurrë të shkruara, përsëri Homerit i njihet autorësia.

Një nga shqetësimet e autorit është edhe fakti se pothuajse të gjitha vrasjet e ndodhura prej gjakmarrjes në Shqipëri i lidhin në mënyrë të gabuar me Kanunin, kur në të vërtetë ky i fundit është institucioni më i lashtë e i rëndësishëm, që me ligjet e tij ka ruajtur jetën e njerëzve, pronën, nderin dhe dinjitetin e tyre. Sipas z. Çobani, Kanuni është një vepër unikale me frymë humaniste e periudhës së Rilindjes Europiane dhe një vepër monumentale, e cila përcjell trashëgiminë kulturore shqiptare.

Kanuni ka qenë gjithmonë objekt diskutimesh dhe debatesh të forta në shoqërinë shqiptare dhe këto vepra vijnë për të shmangur keqkuptimet dhe tjetërsimet që i janë bërë historisë së tij gjatë viteve. Ai është quajtur një sprovë e mirëfilltë letrare, e cila sjell përgjigjet rreth debateve mbi marrëdhëniet e Fishtës me institucionin e Kanunit.

Më Shumë

Lajmet e Fundit