18.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Kitara që nuk u shit

Hajdar Mallaku

Edhe pse ishte mesditë, Prizreni më dukej i ngrysur dhe i heshtur. Kish dalë nga një agoni, tamam si një i sëmur që kish rënë në gjendje kome, që pastaj fillon e këndellet, i luan buzët, i hap sytë dhe shikon se në ç’botë jeton dhe zë e përshpërit. Kishte dy muaj e shtatëmbëdhjetë ditë që s’e kasha parë dhe kjo kohë nuk ishte shumë, po të isha larguar nga ai në rrethana normale, por mua më dukej se isha larguar para dhjetë vjetësh e sa. Kuptohet ishim larguar me tyta pushkësh ngulur në shpinë, në rrethana klithmash e kërcënimesh, duke shkelur nëpër shkrumb e hi, pranë kufomave të masakruara dhe të lëna pa u varrosur. Ishim larguar atëherë kur laku na ishte shtrënguar në fyt. Rezervat po shterreshin.

Në furrat ku merrnim ngapak brumë, më nuk jepnin. Madje një ditë në vitrinat e tyre gjetëm lajmërimet “Nema hleba za albance !(Nuk ka bukë për shqiptarë!”) Kjo do të thoshte se s’ka jetë. Na nxorën nga banesa duke lënë tryezën e bukës shtruar dhe me pak plaçka të rastit në duar iu ngjitëm karvanit të të dëbuarve dhe secila familje i mblidhte me sy anëtarët e familjes së tij. Drejtimi ishte i deklaruar në fillim “Drejt e në Shqipëri !” dhe atë e ruanin me tytat e automatikëve paraushtarë me koka të lidhura, me fytyra të njollosura dhe me rroba të kamufluara djajsh. Po mbetej këndej biri ynë, Behari, që sapo i kish mbushur të nëntëmbëdhjetat në këtë behar; po mbetej banesa me gjithçka kishte brenda, që me vete kishim vetëm njërin çelës se tjetrin ia lamë fqinjës sonë boshnjake, po mbetej Kosova e përvëluar në tym e flakë e shkrum.

Po nuk ishte vetëm kjo, ishte dhe malli i atdheut që vjen e shtohet posa t’i bësh tre- katër ditë larg tij. Të kujtohet me këtë rast tërë jeta e kaluar në të.
E në Shqipëri vinin të tjerë të dëbuar që lajmëronin se qytetet ishin kthyer në qytete fantazmash, ndërsa fshatrat në shkrumb e hi , në gërmadha tmerruese. Shpresa na shtohej prej një fjale të mirë e na përmbysej prej një tjetre të keqe.

Më në fund u kthyem. Hyrja në korridorin e apartamentit m’u duk si të isha futur në një grykë shpelle. U gjetëm para derës së banesës sonë. Ajo rrinte hapur si të na priste krahhapur mua, shoqen time, vajzën dhe djalin e vogël, Jetonin. Së pari më ra në sy se i mungonte brava. Brenda mbi tavolinë shihej një libër i hapur.Vërejta se ajo ishte në gjuhën serbe që sigurisht nuk e kasha lënë unë dhe m’u duk jasht logjikës që një paraushtar i shkolluar të vinte si kriminel në vendin tim. Po ku dallohej djalli prej djallit! Në mur shkëlqente e varur fotografia e djalit të madh, Beharit, së paku kështu më bëhej mua, fotografuar duke i rënë kitarës.

Ajo që më së shumti e prisnim ishte se a kishte gjurmë të tij, a ishte kthyer ai. Kishte pesë ditë që forcat e Natos kishin hyrë në Kosovë dhe në Prizren.

– Asnjë gjurmë, mor burrë, të djalit tonë,- më tha gruaja.
– Edhe unë e paramendoja Beharin para derës, krahhapur, me uniformë të UÇK-së, të buzëqeshur, të na gjuhej në qafë radhazi, mua, ty, motrës dhe vëllait të tij. E prisja të na uronte për lirinë e fituar. Por …mos mendo keq. Luftë ishte kjo. Mund të ketë detyra dhe s’ është kthyer ende.
– Dhëntë Zoti të jetë ashtu. Më ka marrë malli si nënë që jam. Më ka mbetur në kujtesë shembëlltyra e tij kur e përcollëm. …Disi u kthye prapa duke na shikuar me mallëngjim dhe e hodhi dorën disa herë hark e kurorë mbi kokë duke na përshëndetur.

Kjo bisedë u mbyll për një çast, por nuk kishte minutë e orë që nuk na shkonte mendja te ai. Sa herë unë kthehesha nga qyteti, shoqja më priste tërë sy e veshë, mos i sillja ndonjë lajm. Por… asnjë lajm. M’u bë se njerëzit nguronin të na jepnin lajmin e kobshëm, prandej heshtnin. Madje bënin një përshëndetje të zakonshme dhe largoheshin. Kuptohet ishte një barrë e rëndë ta merrte dikush mbi vete edhe po të dinte diçka.

Ditët kalonin njëra dhe tjetra dhe e treta dhe asnjë lajm. Jetonim në varfërinë e përditshme me ndihmat që na ofroheshin dhe nga ato pak kursime të ruajtura. Quditërisht ishim kthyer në kërkimtarë të gjërave të humbura. Mungonin gjëra me vlerë, stolira, që s’patëm mundësi t’i merrnim nga kërcënimet e paraushtarëve që u derdhën si hiena dhe na nxorën nga banesa. Mungonin veshje, libra, enë e deri te televizori dhe teknika e bardhë, mungonte dhe kitara e Beharit që rrinte te koka e krevatit të tij, e gjëra të tjera.

Sa qenie e çuditshme qenka njeriu! I dhimbsen gjëra që vërtet janë të nevojshme për jetë, por nuk janë vetë jeta. Ku e kemi djalin !? Pse e qojmë mendjen te gjërat që nesër apo pasnesër mund të blihen. Vetëm jeta nuk blihet.

Dhe një ditë në derën tonë trokitën njerëz të panjohur. Ishin me rroba ushtarake. Me vete nuk mbanin armë. Hynë në korridor, e mbyllën derën prapa, na e shtrinë dorën radhazi. Më i vjetri shoqen dhe mua na mbajti për krahu, u kthye nga ne dhe na tha: “Mbahuni ! Bëhuni të fortë ! Biri juaj, Behari, ra heroikisht për atdhe. Lavdi i qoftë atij e nderim juve. Ju e edukuat me ndjenja atdhedashurie !”
Si duket fjalët e para i dëgjuam, ndërsa të tjerat ushtaraku i radhiti si detyrim që e kishte se ne nuk ishim më, ishim të shtangur, të zbehur si mumje, tamam si dy vuvë fatkqinj. Na kish rënë bjeshka mbi kokë.

Para se të largoheshin na thanë se të nesërmën do të shkonin te vendi ku ishin varrosur, ai bashkë me disa shokë. “Do të vijnë në mëngjes dy makina dhe ju marrin juve”, thanë dhe u larguan. Unë u mbajta disi deri në momentin kur shoqes i shkuan lotët gurrë poshtë fytyrës e i ranë në këmishë. E shtrëngova fort atë, vajzën dhe djalin e vogël. Më vonë shoqja shpërtheu në gjamë dhe s’u përmbajt. Si nëna që e kujton gëzimin e ardhjes së tij në jetë, përkushtimin e saj prindëror për rritën, edukimin e tij dhe tash fundin e tij sublim. Shpërtheu me një hakërrimë dhe klithmë :” Paç mallkimin e pashterrshëm, o dushman !”
Kishim harruar se kishim detyrim prindëror të përmbaheshim para fëmijëve që qanin me zë dhe mund të pësonin ndonjë tronditje psikike.
Pak ditë më vonë u pajtuam me fatin. Ishim bërë një me dhimbjen, por krenarë që patëm ç’t’i jipnim atdheut. Biri ynë ishte dëshmor në mesin e dëshmorëve. Një gur gjaku në themelet e atdheut. Vinin e shkonin dashamirë që na ngushllonin dhe na e lehtësonin dhimbjen. Kishte dhe të tillë që vinin të na ngushllonin e na rëndonin me ndonjë proçkë. Ç’t’i bësh!

Përballë nesh e kishte banesën fqinji ynë i parë. Dera e tij na binte në sy sa herë që hynim dhe dilnim. Kur një ditë ime shoqe më tha:
– Mor burrë, bagllama e derës së fqinjit është jona.
– Hajde grua, hajde! E njohe ti ?
– Po, dhe shumë saktë madje. Kishte një shenjë bërë gjatë ngjyrosjes së derës dhe e kishim të fiksuar për ta njohur sa herë e çelnim dhe e mbyllnim atë.
– Mos e bëj me zë, është një cikërrimë kjo, madje e kemi fqinj.
– Në rregull, por shiko se në çfarë niveli ka ardhur lakmia e njeriut. Para lufte ishim solidarë edhe me kafshatën e gojës e sot duam t’ia marrim atë nga goja. Ku ai që i thotë vetes intelektual dhe është pretendent për një pozitë të lartë shoqërore. Ç’pritet prej tij !?
– Të shohim. Thuhet se pas mbarimit të luftës fillon lufta për liri. Tash vetë jemi përgjegjës se çfarë shteti do të ndërtojmë. Se po u lodhëm s’ka çka na bën as Amerika.

Erdhi shtatori. E bëmë rivarrimin e dëshmorëve dhe përkujtimin e tyre. Edhe një herë e prekëm plagën tonë që ka mbetur një blanë e pashlyeshme në zemrat tona e do ta prekim sa herë e kujtojmë dhe vemë lule te varri i tij. Po në këtë muaj patëm dhe një gëzim. Jetonin po e përgatitnim për në klasën e parë. Ishim të entuziazmuar. Te ai i kishim sytë dhe mendjen. Ai u bë për ne yll i bardhë që e dallonim prej yjeve të tjerë. E veshëm me rroba të reja, ndërsa e motra e tij, Jeta, nuk pranoi të vishej; na shihte ne veshur me të zeza, ajo kuptonte tashmë. E kish përjetuar rënd humbjen e vëllait të madh se ishte fort shumë e lidhur me të.

Hymë në librari t’ia blinim librat e klasës së parë dhe çantën dhe pastaj ta qerasnim me akullore. Shoqja, Vera, ishte angazhuar me të si nënë dhe mësuese që ishte, ndërsa unë po shikoja ndonjë titull të ri libri se si profesor që isha duhej ta ribëja një bibliotekë sado modeste të ishte. Të vjetrën e kishin djegur vandalët në dalje të banesës. Kështu tha fqinja jonë boshnjake që nuk e kishin trazuar nga banesa. Kur ç’të shoh! Varur në mur po shihja një kitarë të ngjajshme me atë të djalit tonë. Nga një vështrim kaloj në vrojtim dhe shoh. Kitara e djalit tonë, o Zot ! E njoha edhe përmes grykës ku si në dritare brenda grilave dukej tablloja e bardhë ku Behari e kish vizatuar një zemër dhe brenda saj një figurë djali dhe një figurë vajze, si dy krijesa që jetonin me një zemër, inicialet e emrit të tij B(ehar) dhe D(ea) dhe një emblemë të vogël të UÇK-së mbi të. M’u duk se e pashë djalin tonë dhënder krah nuses mbretëreshë. Humba në një delir që nuk zgjati shumë.

Erdha në vete dhe u përqëndrova:
– Zotëri, ku e keni marrë këtë kitarë, të lutem !
– Ju intereson se kah e kam marrë krejt mallin unë ?- ma priti me të prapmet. E dija se kur zihesh me këtë xanxar plak është njësoj si kur zihesh me gomarin e vjetër. Ai i ka potkonjtë e fortë dhe të godet me dinakëri dhe pa mëshirë. Po nuk u tërhoqa.
– Mua më intereson kitara e jo malli tjetër.. – thashë.
Nuk mora përgjigje.
– Zotëri, i them unë. Kjo është kitara e djalit tim dëshmor dhe unë do ta marr gjithësesi. Kam dëshmi bindëse.
Shoqës i thashë të rrinte me fëmijë aty. Vrap shkova në banesë dhe mora foton e tij të varur në mur. E krahasuam kitarën në foto me kitarën e vërtetë. Asnjë dyshim. Ishte po ajo. Për të u bindën dhe të pranishmit që pritnin në radhë.

– Unë e kam blerë, -tha shitësi, dikush duhet ta paguaj.
-Unë nuk e blej dy herë mallin tim. Nuk e zgjata më, e zbrita nga rafti dhe po dilnim. Shoqja e shtrëngoi në gji kitarën si dikur e kaplonte me dy duar Beharin e vogël ngryk. I shkuan lotët, por nuk e tha asnjë fjalë. Kush i gjallë s’mund t’ia largonte nga krahërori atë. Ajo dhe unë e harruam pse kishim ardhur dhe Jetonit i thamë se do të vinin një ditë tjetër për librat. Rrugës Jeta dhe Jetoni e mbanin në mes kitarën si dikur vëllain e tyre, Beharin, që i merrte për dore sa herë delte në sheti. Ndërsa ne ecnim prapa të mallëngjyer. Unë me një botë rënduar mbi shpatulla, Vera me një vargan kujtimesh dhe foton e djalit, ndërsa Jeta dhe Jetoni i vogël me një botë rinore dhe plot fantazi. Kur hymë në banesë, ika në parakohë dhe dëgjoja avazin e këngës që e këndonte dikur im bir: “O, moj ti, me sytë e zi…” avaz që shuhej dalëngadalë dhe thua se nga një rezonansë që vinte nga lapidari i dëshmorëve sa vinte dhe forcohej një refren i ri me zë tenori, amanet i dëshmorëve : “ Si trashëgim ua lëmë shpirtin tonë …!”

Më Shumë

Totaj viziton shoqatën “Vatra” në Nju-Jork

Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj vizitoi edhe organizatën Pan-Shqiptare "Vatra" në New York, ku,...

50 euro gjobë, policia paralajmëron sërish këmbësorët që nuk respektojnë rregullat në trafik

Më 3 prill ka hyrë në fuqi Ligji I Ri për Rregullat e Trafikut Rrugor. Me këtë rast, policia ka paralajmëruar edhe një herë këmbësorët...

Lajmet e Fundit