10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Komuna e Prizrenit ndërton bibliotekë në oborrin e objektit të Trashëgimisë Kulturore

Komuna e Prizrenit ka filluar punimet e projektit për ndërtimin e një biblioteke në afërsi të shkollës së vjetër “Ryzhdije”, pa miratimin përfundimtar të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Hapësira në afërsi të ndërtesës së “Ryzhdijes” ku po ndërtohet kjo bibliotekë gjendet në listën e monumenteve të Trashëgimisë Kulturore të cilën MKRS-ja e ka nën mbrojtje të përkohshme.

Për një gjë të tillë ka reaguar Organizata Jo Qeveritare “EC Ma Ndryshe”, e cila ka thënë se pavarësisht se punimet në ndërtimin e bibliotekës kanë filluar “pa u përmbushur tërësisht procedurat ligjore”.

Por zëdhënësi i komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, tha për KALLXO.com se është përgjegjësi e komunës, e jo e Ministrisë, që të japë leje ndërtimi në territorin e komunës.

“Leje për ndërtime jep Drejtoria e Urbanizmit për secilën komunë të Kosovës. Kryetari i ka kërkuar drejtorisë së urbanizmit që t’i zhvillojë procedurat ligjore dhe të gjitha procedurat tjera, andaj sipas Drejtorisë së Urbanizmit, hapësira ku po ndërtohet biblioteka është jashtë zonës së parë”, deklaroi Berisha.

Zona e parë përfshin pjesën e qendrës historike të Prizrenit, të rregulluar me ligj të veçantë.

Ndërkaq, Drejtoresha e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrin e Kulturës, Vjollca Aliu tha se MKRS nuk e ka miratuar projektin e bibliotekës meqë ka kërkuar disa plotësime.

“Në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme është ndërtesa e Ruzhdijes. Sa i përket projektit të Bibliotekës, Komisioni i MKRS-se ka shqyrtuar projektin por nuk e ka miratuar meqë kemi kërkuar disa plotësime duke përfshirë edhe trajtimin e ndërtesës Ruzhdije. Komuna e Prizrenit ka filluar zbatimin e projektit i cili nuk është i miratuar”, shtoi Aliu.

Edhe Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha tha se ndërtimi i bibliotekës po bëhet në hapësirën e cila është e shpallur si monument i trashëgimisë kulturore.

“Lokacioni ku është paraparë ndërtimi i Bibliotekës së qytetit gjenden rrënojat e ndërtesës “Ruzhdije” e cila është shpallur si Monument Kulture, sipas një vendimi të vitit 1988 andaj si e tillë duhet të ketë trajtim të veçantë, që u bëhet monumenteve të tilla, në bazë të konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, respektivisht konservimit, restaurimit dhe rehabilitimit të tyre”, tha Hoxha.

EC Ma Ndryshe i ka bërë thirrje Komunës së Prizrenit që të ndërpresë menjëherë të gjitha punimet në ndërtimin e bibliotekës dhe të ndjekë rrugën ligjore të pajisjes me pëlqime nga institucionet kompetente.

Kjo organizatë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të reagojë me veprime konkrete në mënyrë që të sigurojë ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur

Më Shumë

Selmanaj synon shtrirjen e LDK-së në çdo familje të Prizrenit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj, ka bërë thirrje te të gjithë anëtarët e partisë që të bashkohen për...

Milani përgatit kontratën e re për Theo Hernandez

Gjigantët e Serie A, Milan-i po mendojnë të rinovojnë kontratën e Theo Hernandez, ndërsa interesi i Bayern Munich rritet më shumë. Sipas një raporti nga...

Lajmet e Fundit