9.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Kosova i prin bojkotit të ceremonisë së “Nobelit” për Handken

Ceremonia e sotme e ndarjes së çmimit “Nobel” për shkrimtarin nga Austria, Peter Handke, do të bojkotohet nga ambasadorët e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në Stockholm.

Por numri i vendeve që do të protestojnë në këtë mënyrë sa vjen e rritet. As përfaqësues të Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Turqisë e Afganistanit s’do të marrin pjesë në ceremoni.

Pas paralajmërimit të bërë ditë më parë nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, të hënën ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci-Sherifi, ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Dinjitetit të Viktimave të Krimit të Gjenocidit. Ka thënë se laureimi i Handkes me “Nobel” sjell krijimin e një kulture ku artistët nuk i mbështesin më vlerat morale dhe njerëzore.

“Përballë vendimit për të shpërblyer një mohues të gjenocidit me një çmim ‘Nobel’, jam e bindur që kjo lejon një përhapje të revizionizmit midis qarqeve artistike, stigmatizimin e mëtejshëm të viktimave dhe mbi të gjitha krijimin e një kulture, ku artistët nuk pritet më të mbështesin vlerat morale ose njerëzore”, ka shkruar ambasadorja Geci-Sherifi.

Në vazhdim, ajo ka plasuar edhe një deklaratë të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmes së cilës kërkohet mbrojtja e viktimave të gjenocidit.

“Kudo që shohim njerëz që përballen me diskriminim sistematik apo bëhen caqe të dhunës thjesht për shkak se kush janë ata, për shkak të identitetit të tyre, ne duhet të veprojmë – si për të mbrojtur ata që janë në rrezik të menjëhershëm ashtu edhe ata që mund të jenë në rrezik në të ardhmen. Duke promovuar një kulturë të paqes dhe të mosdhunës që përfshin respektimin e diversitetit dhe mosdiskriminimit, ne mund të ndërtojmë shoqëri që janë rezistente ndaj rrezikut të gjenocidit”, është cituar deklarata e Guterres.

Fituesit të sivjetmë të çmimit “Nobel” për letërsi, Peter Handke, do t’i dorëzohet një çek prej 9 milionë koronash suedeze (828 mijë euro) në një ceremoni që do të mbahet në Sallën e Koncerteve të Stockholmit (Stockholms konserthus), duke filluar nga ora 16:30. Siç është bërë traditë, kjo ceremoni, që transmetohet drejtpërdrejt, do të pasohet nga një banket prej orës 19:00 ku janë të ftuar të gjithë ambasadorët e akredituar në Suedi. Po sot, çmimi do t’i dorëzohet edhe laureates së vitit 2018, shkrimtares polake, Olga Tokarczuk, emri i së cilës ka mbetur nën hije qysh se u shpall fituese bashkë me Handken, më 10 tetor.

Më Shumë

Djali i Ancelottit nuk i fsheh ambiciet: Dua të bëhem trajner i Realit

Nga Carlo Ancelotti te Davide Ancelotti, te Reali mund të ketë një rokadë baba-bir për sa i përket stolit të ekipit të bardhë. Por...

Ballkani fiton dhe e konsolidon pozitën e parë në tabelë

Ballkani e ka konsoliduar udhëheqjen e tabelës së Superligës së Kosovës në futboll, duke bërë dy pikë më shumë se sa Drita dhe pesë...

Lajmet e Fundit