8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Kosova ka shumë festivale, pak jehonë të tyre dhe fare kritere për to

Në Kosovë organizohen një numër i madh festivalesh të ndryshme, prej atyre që synojnë emër të madh edhe me tepih të kuq e deri te festivalet që përfundojnë me ngopje me ushqime tradicionale, apo me birra.

Nuk ka asgjë te keqe që edhe Kosova të ketë shumë festivale, por siç vlerësojnë njohës të vlerave që prezantohen në to apo synohet të prezantohen, është e udhës të ketë kritere të paracaktuara dhe të dihet saktësisht qëllimi i një festivali, prurjet e tij dhe në fund efekti praktik.

Për kritere dhe qëllime të këtilla, me ndonjë përjashtim, është vështirë të gjesh ndonjë njohës të sferave të ndryshme të artit dhe kulturës që mund të flasë pozitivisht. Prapë me ndonjë përjashtim, te kjo kategori, mbisundon bindja se shumë nga këto festivale organizohen për t’i shpenzuar do para të taksapaguesve, të donatorëve që janë institucione vendore e ndërkombëtare dhe organizatave të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare dhe për të nxjerrë ndonjë fitim edhe organizatorët.

Sa i përket festivaleve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk ndan buxhet të veçantë për to, madje kjo ministri nuk asnjë kriter të shkruar se kush dhe si mund të themelojë festivale. Një gjë që dihet është se shumica e organizatorëve të këtyre festivaleve janë të regjistruar si organizata joqeveritare (OJQ).

“Nuk kemi buxhet të caktuar vetëm për festivale. Kjo varet nga buxheti i ministrisë për vitin përkatës dhe planifikimit të tij sipas politikave-programore të Departamentit të Kulturës. Për themelimin e festivaleve nuk ka asnjë kriter, ndërsa shumat për mbështetje të festivaleve dallonin varësisht prej vlefshmërisë dhe qëndrueshmërisë së vetë festivalit”, thotë Kamuran Goranci, drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS.

Përkundër zvogëlimit të subvencioneve nga ana e ministrisë sivjet, duket se nuk është rrezikuar mbajtja e ndonjë prej festivaleve që janë mbajtur viteve të mëparshme. Ato disi kanë mbijetuar dhe po mbijetojnë me gjithë faktin se ministria ka përgjysmuar buxhetin për to. Është PRIfilmFestit-i që sivjet, siç u tha nga organizatori u realizua në ekzil për shkak të mungesës së buxhetit dhe nga Prishtina u bart në Tiranë (!).

Sipas organizatorit të Festivalit 9/11, Blerim Gjoci, zvogëlimi i buxhetit nga ana e ministrisë deri në minimum mund ta pamundësojë realizimin e edicionit të dymbëdhjetë të këtij festivali.

“E vërteta është se festivali i dedikimit 9/11, sivjet nuk do të mbahet në formën e vet tradicionale. Do të ketë një ceremoni kujtimi të kësaj ngjarjeje, të një miqësie që çmonte ky festival dhe të vet festivalit. Arsyet janë të njohura. Sivjet nuk kemi marrë buxhetin bazë të mjaftueshëm për të filluar përgatitjet për festival, e dihet se festivali 9/11 është festival prodhues – unik për kah natyra e tij, për filmin e pavarur”, tha Gjoci për KosovaLive.

Pedagogia e muzikës dhe organizatorja e edicionit të parë të festivalit Kamerfest (2000), Javës së Bach-ut dhe tash së voni ChopinPianoFEST-it, Besa Luzha, tha për KosovaLive se është e nevojshme që në kuadër të ministrisë të angazhohen profesionistë që do t’i analizonin projektet artistike siç janë festivalet.

“Ministria nuk mundet vetë të caktojë se çka është kulturë e çka jo, në mënyrë qe t’i ndajë mjetet pa kriter, sipas afërsisë personale, partiake, etj. Për këtë duhet të ekzistojë ndonjë komision prej profesionistësh të të gjitha zhanreve të cilët i analizojnë projektet, por natyrisht kriteret duhet të përcaktohen mirë.

Dihet se për festivale nuk kanë ekzistuar kritere specifike përpos atyre të përgjithshmeve e kjo e ka vështirësuar punën e zgjedhjes sepse interpretimi se diçka vlen e diçka jo është bërë nga individët zyrtarë të ministrisë, të cilët shpesh marrin parasysh kritere të tjera dhe jo vlerat e vërteta që ofron një ngjarje kulturore”, tha ajo.

Megjithatë, Luzha thotë se ngjarjet që prezantojnë kulturë të mirëfilltë janë nevojë shpirtërore e shoqërisë dhe se përkundër parregullsive tek ne pas vitit 2000 kanë arritur të realizohen edhe disa ngjarje kulturore të arrira.

Sociologu Artan Muhaxhiri mendon se festivalet janë mundësi për paraqitjen e rritjeve artistike para publikut, mirëpo kjo qasje funksionon në mënyrë normale vetëm atëherë kur ekziston një dinamikë e vazhdueshme e krijimtarive, pra kur një vend ka kapacitete të mjaftueshme të krijojë në masë të konsiderueshme filma, shfaqje teatrore, muzikë, etj, gjë që rrjedhimisht e nxitë domosdonë e prezantimit të tyre në formatin e festivaleve.

“Është krejtësisht e qartë se në Kosovë ka pakrahasimisht më shumë festivale sesa që ka krijimtari, prandaj nuk janë të rralla rastet kur festivalet kalojnë pa lënë ndonjë gjurmë në fushat përkatëse.

Në festivalet e Kosovës ka shumë improvizime – si në aspektin organizativ, ashtu edhe në përmbajtjet që sjellin – dhe për këtë arsye ato shpesh arrijnë kundërefekte, duke ngritur dyshime të mëdha ndaj aftësive dhe qëllimeve të organizatorëve”, tha ai.

Muhaxhiri shtoi se një gjendje e këtillë ka krijuar mosbesim të përgjithshëm ndaj festivaleve dhe kjo në të ardhmen mund t’i pengojë profesionistët dhe pasionantët, të cilët edhe përkundër synimeve pozitive, do të ballafaqohen me një trashëgimi negative./KosovaLive/

Më Shumë

Parashikohet rënie e temperaturave në javën e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për javën e ardhshme parashihen ulje e temperaturave të vlerave ekstreme dhe reshje të shiut. E hëna...

Hapet në Prizren edicioni parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës

Në Prizren u hap edicioni i parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe...

Lajmet e Fundit