2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kosova me ligj të mirë për gjuhët, që nuk zbatohet plotësisht

 

Ndonëse Kosova ka legjislacion të avancuar, ende ka shumë punë për t’u bërë në implementimin e të drejtave gjuhësore.

Kështu është thënë sot në një forum për respektimin e të drejtave gjuhësore, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Komisionari i lartë i OSBE-së për pakica kombëtare, Lamberto Zannier, tha se respektimi i të drejtave gjuhësore është thelbësore për të garantuar qasje në institucionet publike.

Ai tha se kur ligjet janë në shpërpërputhje me gjuhët zyrtare, komunitetet nuk kanë mundësi që të realizojnë të drejtat e veta, gjë e cila çon në margjinalizim, në vështirësi në qasje ndaj policisë, gjyqësorit apo medias.

Zannier tha se integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë do të dobësohet nëse ligjet nuk janë të përkthyera mirë dhe nëse përkthimi verbal nuk është në dispozicion. Sipas tij përkthimi i tillë është vital që komunitetet të jenë të përfaqësuara.

“Është me rëndësi që të mundësohen proceset e ndërveprimit me zyrtarë qeveritarë. Ende shoh shenja në Kosovë për shembull në sistemin gjyqësor, në sistemet arsimore, përparimi kërkon komunikim dhe mundësia që komunitetet të ndërveprojnë në gjuhët e tyre me administratat publike dhe një ndër veprim i tillë mund të ofrojë siguri për qytetarët, të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të sigurojë qeverisje të mirë dhe efektive, si dhe të tejkalojë përçarjet në mes komuniteteve. Dështimi në ofrimin e ligjeve dhe udhëzimeve në gjuhët zyrtare do të vazhdojë të pengojë progresin dhe ky pastaj është thelbi i shumë sfidave që na dalin”, tha ai.

Ai tha se nuk ka dyshim që zhvillimi i aftësive gjuhësore dhe administratës shumëgjuhësh është proces afatgjatë që kërkon përpjekje të konsiderueshme, por duhet të jetë e kuptueshme se koha ka kaluar dhe këto pengesa duhet tejkaluar.

Ndërsa, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se ka shpërputhje mes versioneve të ndryshme gjuhësore të dokumenteve zyrtare dhe ligjeve.

“Ka shpërputhje mes versioneve të ndryshme gjuhësore të dokumenteve zyrtare dhe pastaj ligjeve. Kjo ndodh përkundër faktit që të dyja gjuhët janë të barabarta dhe njëjtë zyrtare, kjo dërgon në një lloj hutie kur për shembull gjyqtari përballet me dy versione të ndryshme gjuhësore të të njëjtit ligj, të dyja kanë zbatim të njëjtë, por thonë diçka tjetër. Kjo i privon ndonjëherë njerëzit edhe nga qasja në drejtësi, pra kur nuk janë në gjendje të kuptojnë të drejtat e tyre apo ligjin në gjuhën e tyre zyrtare. Ne besojmë se ka dy hapa të menjëhershëm që mund të lehtësojnë zbatimin e mbrojtjes ligjore në lidhje me të drejtat ligjore. Së pari, duhet të miratohet një strategji gjuhësore dhe hapi i dytë është që të krijohet një bazë ligjore e përshpejtuar për korrigjimin e mos përputhjeve në ligje”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se edhe pse Kushtetuta e vendit është mjaft e avancuar, mbetet edhe shumë për t’u bërë në implementimin e të drejtave gjuhësore.

“Kushtetuta jonë është mjaft e avancuar siç u tha edhe në lidhje me të drejtat gjuhësore dhe siç e tha më të drejtë jemi vend dygjuhësh, shqipja dhe serbishtja janë gjuhë zyrtare, por po kemi shumë për të bërë në kuptimin e implementimit të ligjit dhe të drejtave të tilla. Por, gjithsesi duhet të vazhdojmë me përkushtimin tonë dhe të sigurohemi që komunat ku ka komunitete të tjera si boshnjakë, romë e të tjerë që t’u japim atyre mundësinë e cila parashihet me ligj, por t’u jepen edhe mundësitë që të drejtat e tyre të mund të gëzohen, të mund të zbatohen në gjuhët e tyre përkatëse. Qeveria e Kosovës është mjaft e vetëdijshme që ka shumë punë për t’u bërë dhe jo vetëm në legjislacion, por edhe në punën e përditshme”, tha Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj tha se mbledhjet e Qeverisë mbahen në dy gjuhë, që ai e cilësoi si shumë sfiduese, por që ka zotim dhe përkushtim në këtë drejtim,

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, ka thënë se këto probleme për gjuhët duhet të zgjidhen me hapa konkretë.

Sipas ministrit ka qenë e mundur të punohet edhe më shumë në këtë drejtim, siç është bërë edhe në ministrinë që ai e udhëheq, ku asnjë dokument nuk është lëshuar pa u përkthyer në të gjitha gjuhët zyrtare.

“Ministria ku unë shërbej mund të shërbejë si shembull, se si ne jemi ballafaquar me këtë çështje viteve të kaluara. Asnjë dokument nuk ka dalë nga Ministria për Kthim dhe Komunitete vetëm në një gjuhë, ka dalë gjithmonë në gjuhët zyrtare. Kemi dhënë një shembull ndryshe dhe dua të them se na takon edhe neve institucioneve që me shembuj tonë konkretë të tregojmë që mund të ndryshojmë diçka e mos të presim që thjeshtë të na drejtoj vëmendjen ndaj problemeve zyra e komisionarit të gjuhëve”, tha ai.

Në këtë forum për respektimin e të drejtave gjuhësore në Kosovë morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë, Zvicrës, Finlandës dhe Belgjikës.

Më Shumë

Enea Koliqi, ‘Ylli i javës’ në Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 29-të...

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Lajmet e Fundit