7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Kosova pa një datë të caktuar për shënimin e ‘Ditëve Evropiane të Trashëgimisë’

29 shtatori Shqipërinë e gjen me shumë aktivitete, kjo për arsye se kjo datë shënon “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”. Kjo ditë ka hyrë në kalendarin kulturor në Shqipëri në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore që festohen në 50-të vende të Evropës. Në kuadër të kësaj dite në Tiranë në Muzeun Historik Kombëtar do të hapet ekspozita ikonografike dhe ornamentike “Thesare të Shpëtuara”, ndërsa aktivitetete do të mbahen edhe në qytete të tjera të vendit, shkruan KultPlus.

Ndryshe nga Shqipëria, Kosova nuk ka një datë të caktuar sa i përket festimit të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore. Por, kjo nuk do të thotë që këto ditë nuk po festohen.

Fillimisht, Muzeu i Kosovës në shënim të Ditëve të Trashëgimisë ka pasur si aktivitet katër ditë të kulinarisë Ilire në Etno Fest.

“Muzeu i Kosovës këto ditë i ka shënuar me diçka të re që e ka prekur temën e kulinarisë Ilire, ky ka qenë mesazhi ynë për këtë vit”, tha drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, për KultPlus.

Ndërsa drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, tha që Kosova nuk ka një datë të caktuar, por në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë për këtë vit, aktivitetet i kanë zhvendosur kryesisht për fundin e muajit tetor.

“Ne këtë vit jemi fokusuar në hapjen e lokalitetit Ulpiana – Park Arkeologjik si dhe në Konferencën Ndërkombëtare për Menaxhimin dhe Promovimin e Trashëgimisë Kulturore e cila do të mbahet prej datës 27 deri më 29 tetor. Aktivitete ka pasur edhe prej organizatave të ndryshme joqeveritare, si CHWB-ja të cilëve ju kemi mundësuar vizitën në lokalitetin Dresnik, tutje mund të ketë aktivitete të ngjashme, nuk është diçka e kufizuar”, ka thënë Vjollca Aliu për KultPlus, e cila tutje tha që sa i përket caktimit të një date, deri në këto momente nuk ka një datë të caktuar, por nuk është diçka që nuk është diskutuar.

Ditët e Trashëgimisë Evropiane është një festë e cila zhvillohet gjatë tërë muajit shtator, në këtë aspekt Sali Shoshi nga CHWB, mendon që është në rregull edhe nëse nuk ka një ditë të caktuar gjatë shtatorit sepse mund të festohet gjatë tërë muajit.

“Por, përndryshe çdo vend e cakton një ditë, por nuk është e thënë që të jetë në muajin shtator, mund të jetë një ditë që lidhet me ndonjë moment, ndonjë ngjarje, diçka që e karakterizon Kosovën. Ideja e këtij muaji, është që të ketë mobilizim të njerëzve që të marrin pjesë në aktivitete, dhe ideja është që të hapen vendet që janë të mbyllura gjatë vitit”, ka thënë Shoshi për KultPlus. Përderisa nuk e sheh problematike se pse nuk ka një ditë të muajit shtator, Shoshi pohoi se do të ishte mirë të kishte diçka konkrete sepse mund të reflektosh se çfarë ke bërë dhe ku ke mbërri prej asaj date të vitit të kaluar e deri në atë moment.
Rikujtojmë se së fundmi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nxjerrë rregullore për dhënien e Çmimit për Veprimtari në Fushën e Trashëgimisë Kulturore.
Këto çmime u jepen personaliteteve të shquara për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ministria e Kulturës, nëpërmjet këtyre çmimeve, synon të përkrahë personalitet që kontribuojnë në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës. / KultPlus.com

Më Shumë

Suharekë: Sot varroset personi që dyshohet se ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sdjeshme në Shirokë të Suharekës, dyshohet se një person i ka dhënë fund jetës së...

Konfiskohet drogë në vlerë rreth 70 mijë euro në Suharekë, arrstohen katër të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe prokurorinë, kanë arrit të realizojnë identifikimin e katër personave të...

Lajmet e Fundit