13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

“Kuvendi” mbajti ‘Ditët e Letërsisë Shqipe’ në Detroit

detroitKur një ngjarje kulturore kthehet në traditë disavjeçare, aty mund të gjesh përsëritje të një platforme të njohur të konceptit tërësor apo segmenteve përbërëse. Mirëpo, në përvjetorin e 12-të të këtij aktiviteti letrar (i vetmi në këto përmasa në diasporë) u shfaqën natyrshëm risi tërheqëse, për të cilat ia vlen të krenohen komisioni organizues dhe krejt nikoqirët e Kuvend-it.

Sipas traditës, Revista Kuvendi fton autorë e letrarë nga brenda dhe jashtë Miçiganit për të qënë pjesëmarres të një shkëmbimi kulturor e shpirtëror midis bashkatdhetarëve në Amerikë, të njohur tashmë si Ditët e Letërsisë Shqipe.

Nëse e pyesni veten : Pse ne Detroit? Përgjigjen e gjeni në disa emra të përveçëm që mbajnë peshën kryesore të aktivitetit. Por e vërteta është se emrat si: Pjeter Jaku, Alfons Grishaj,Elinda Marku, Gjovalin Lumaj, Nexhip Ejupi, Lulash Palushaj, Nevruz Nazarko, Luigj Gjokaj, Kujtim Qafa, Gjeto Ivezaj, Mondi Rakaj përbëjnë një bashkim ideal të energjive patriotike, shpirtërore, materiale dhe intelektuale që rrallë përsëritet në komunitetet e tjera shqiptare në Amerikë! Dhe, aq më pak të vazhdohet për 12 vjet rresht!

Me këtë rast Kuvendi mblodhi pranë sofrës letrare përveç penave të njohura të letrave shqipe, disa debutantë dhe letrarë të rinj. Në darkën ‘jozyrtare’ me 7 dhjetor tek Kafe Kuvendi ishin ulur natyrshëm në bisedë shkrimtarët Naum Prifti, Fatos Kongoli, Pandeli Simsia nga Nju Jorku, dhe vajza amerikane me ‘zemër shqiptare’ Ashley Wood (e shqipëruar Eshli Ud), së shpjeti autore e një libri për shqiptarët. Ndërsa komunikimi në tryezë dublohej aty-ketu shqip-anglisht, ishte e qartë se nuk mund kishte pengesa gjuhësore midis artistëve të dy brezave dhe dy kulturave. Dhe, vërtet drejtuesi spontan i kësaj darke, e cila i paraprinte mbrëmjes zyrtare me 8 dhjetor, Alfons Grishaj, e ‘zuri ngusht’ secilin të pranishëm që të thoshte dy fjalë përshëndetje. Kjo i dha shkas një parade origjinale të ndjenjave e emocioneve të shprehura nga Elinda Marku, mprehtësisë së Gjovalin Lumajt, urtësisë së Don Fran Kolajt, humorit të Nevruz Nazarkos, dhe përgëzimeve të krejt pjesëmarresve për sukseset e Kuvendit. Mbi të gjitha vërehej vetëdija se atë natë secili ndihej pjesë e një diçkaje më të madhe. Ky ishte manifestimi i bashkimit kulturor të shqiptarëve, që gjeti shprehjen e vet në formë të një ‘programi të improvizuar artistik’ me krijime të disa krijuesve të pranishëm dhe pastaj në këngët që nuk njihnin kufi etnik.

Pjesë e traditës së këtij aktiviteti është ngritja e jurisë që pranon dhe vlerëson të gjitha krijimet e paraqitura në datat e caktuara. Juria e Ditëve të Letërsisë 2013, e përbërë nga Gjovalin Lumaj, Ruzhdi Gjokaj dhe Arben Dervishi, u prezantua me shumë dinjitet gjatë mbrëmjes. Në këtë festë të letërisë, komisioni organizues kishte ftuar në sallën Gjergji Kastrioti të Kishës së Shën Palit në Detroit, plot veprimtarë e krijues, drejtues e anëtarë të shoqatave patriotike.

Mbrëmja kishte një platformë serioze dhe një program të kombinuar duke nisur me fjalën e hyrjes së kryetarit të komisionit organizues, Nevruz Nazarko, dhe më tej me përshëndetjet nga mysafirët, me recitime nga poetët dhe krijuesit dhe me pika muzikore e interpretime. Mikrofoni kalonte nga duart e drejtuesve tek folësi i radhës, tek autorët e respektuar dhe tek të ftuarit e nderit si Don Ndue Gjergji dhe Reshat Sahitaj dhe pastaj alternohej me recituesit dhe me këngëtarët Hana dhe Kol Nikprelaj. Salla u mbush me ngrohtësi nga interpretimet e Simon Sinishtës e Luigj Gjokajt, nga recitimi mjeshtëror i Arben Dervishit dhe nga improvizimet aq të goditura të drejtuesit Ndue Gjekaj.

Në këtë përjetor, në mesin e letrarëve pjesëmarrës në konkurs u shfaq një filiz, vogëlushja 8-vjeçare Mara Jaku. Me këtë debutim, tradita e këtij aktiviteti e hodhi hapin drejt ardhmërisë. Me siguri nuk ka garanci më të mirë për suksesin e mëtejshëm të Revistës Kuvendi, që pasi e mbushi përvjetorin e vet të dymbëdhjetë do prezantohet me një organizim të ri: botimin periodik të printuar siç ka qënë, faqen e përditshme në internet si dhe një palosje të përmuajshme që do të shpërndahet falas.

Sponsorët e bashkëpunëtorët e Kuvendit i kultivuan Ditët e Letërsisë në gjurmët e paraardhësve të tyre më të hershëm. Ata janë ‘autorët’ e një tradite, për të cilën mund të hynë me nderim në historikun e ri të komunitetit shqiptar në Amerikë. Nga viti në vit, Kuvendi risjell tek komuniteti i krijuesve një të përbashkët të patjetërsueshme të identitetit tonë: fjalën shqipe.

E veçanta shpresëdhënëse e Ditëve të Letërsisë 2013 ishte freskia e sjellë nga zërat rinor dhe entuziazmi për veprat e të ardhmes, të cilat pa dyshim do promovohen në Detroit. Dhe, për busull morale, mbetet shprehja proverbiale me të cilën Don Fran Kola pranoi çmimin e akorduar nga Juria për Merita të veçanta në përkrahjen e vazhdueshme të veprimtarisë së revistës : Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore !

Çmimet e akorduara nga “Kuvendi” në Detroit:

I- Poezi

– Çmimi i parë – Mensur Spahiu

– Çmimi “Gjergj Fishta” – Ana Toma Agraja

– Çmimi “Migjeni” – Gjeto Turmalaj

II- Proze

– Çmimi i pare – Agim Dishnica

– Çmimi “Petro Marko” – Vlash Fili

III- Humor

– Çmimi i pare- Naum Prifti – Pse qeshim dhe si qeshim.

IV- Publicistikë

– Çmimi i pare – Hatixhe Latifi Popovci- Polarizimi, fenomen shqetësues.

Çmime te veçanta

– Per krijimtarine qe sjell realitetin: Gani Vila – Poema- s’është vonë

– Çmimi i dhuntisë: Vogelushja 8 vjeçare- Mara Jaku.

– Për krijimtari me frymën e traditës: Lulash Palushaj

Më Shumë

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Koha për spektakël në gjysmëfinale

Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë, ku pritet një spektakël i basketbollit. Në gjysmëfinale do të ndeshen katër skuadrat që...

Lajmet e Fundit