4.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Lajthitje

Edison YpiShkruan: Edison Ypi

Shqipëria ka qënë dhe është vendi më i rëndësishëm i botës, vendi që përcakton fatet e planetit, dhe shqiptarët janë njerëzit më inteligjentë, më punëtorë dhe më produktivë në tërë rruzullin. Ky pohim është një budallallëk i pashoq. Por megjithatë, në mënyra nga më të ndryshme, thuhet dhe përsëritet si diçka që pranohet, si lajthitje.

Shqipëria po përgatitet të shpalli emrat e bashkpunëtorëve të Sigurimit, pra emrat e spiunëve. Të thuash se në ato lista bashkëpunëtorësh është, ta zëmë, emri im, i vëllait tim, Shaban Kallçiut, Ilir Strazimirit, Agron Nallbanit, e plot të tjerëve, që nën diktaturë vetëm kemi vuajtur e kemi rënkuar por absolutisht në asnjë çast dhe asnjë rast nuk jemi dorëzuar dhe me sigurimin e bashkëpunimin kemi qenë më të largët se toka me galaktikën e Andromedës, s’ka asnjë dyshim se nënën motrën, gruan, kushurirat, tezet, hallat dhe të gjitha femrat e fisit deri në 17 breza i ke kurva, vet’ kurv je, dhe fëmijët nuk i ke të tutë por të komshiut qefli dhe gruas kurvë.

Mirëpo në shoqërinë babilonike që po e ndërtojmë me sukses të madh, mes lajthitjeve të pafundme të përbindëshme, s’ka pse të mos e thuash edhe këtë lajthitje makabre. Po thuhet se pasi të shpallen emrat e spiunëve, do dali se shumica e tyre janë nga të persekutuarit. Çka edhe mund të jetë e vërtetë.

Por më e vërtetë se kjo, është tjetra; se bashkë me shpalljen e emrave të spiunëve do shpallet edhe paradoksi dhe perversiteti i zagarëve
nomenklaturistë, ai paradoks sipas të cilit, meqense të shumtët e të përsekutuarve kanë firmosur për bashkëpunim me Sigurimin, ideatorët dhe ekzekutorët e vërtetë të persekutimit të Shqipërisë diktatoriale, nuk na paskan qënë ata që njohim deri tani, çeta e vrasësve të cilët morën pushtetin më ’44-ën, por viktimat e tyre, të internuarit, tëburgosurit, të pushkaturit.

Pas këtij zbulimi befasues që aq shumë ngjan me mbarsjen nga një kalë të një humanoidi mashkull i cili pas mbarsjes polli një derr, do buçasin televizionet, gazetat, revistat, të gjitha në duart e ish-persekutorëve ose lakejve të tyre, të cilët do shpërthejnë në sulme të përbindëshme hakmarrëse kundër të pesekutuarve. Për t’i persekutuar edhe një herë. Për t’i varrosur përfundimisht.

Ka budallenj që ketë skenar nuk e besojnë. Le të ketë. Mes mijëra gënjeshtrave të dënueshme, është një lajthitje e falëshme. Të ndërtosh autostrada, të hapësh tunele, ta fusësh Shqipërinë në NATO, t’i bësh shqiptarët të udhëtojnë pa viza, të shkatërrosh ndërtimet e paligjshme, t’i detyrosh qytetarët ta paguajnë energjinë, dhe në përgjithësi të bësh përpjekje për të vendosur ligjshmërinë, këto janë punë me rëndësi historike.

Por në Shqipëri sa më tepër punëra të tilla të bësh, shqiptarët aq më pak vota të japin. Nuk është paradoks. Është lajthitje faktike. Të shohësh kush po e përcjell në media konservatorizmin shqiptar, nga stili inekzistent, fjalori i varfër, klishetë e neveritëshme, të nxjerr mallin e Zërit të Popullit të viteve ’70 e ’80, dhe të merr të qarët.

Këta qesharakë ngrehalucë pa absolutisht asnjë impakt në publikun e gjerë, këta kampionë primitivë të kompromentimit të konservatorizmit, janë flori për pinjollët e diktaturës, të cilët tani që kanë pushtetin po fërkojnë duart nga qefi i kësaj rrace të çuditëshëme kundërshtarësh-aleatë që u kujton atë proverbin se jo vetëm e keqja, por edhe e mira të vjen andej nga s’e pandeh.

Kjo gjendje e mjerueshme, kjo kujë e kjo lemeri për fatet e Kombit, nuk është lathitje, është realitet. Por edhe për lajthitje po ta marrësh, s’bëhet qameti. Ndër këta biçimër dallohen ca që llomotitin nga jashtë. Ca gomerë që hiqen për gjenialë. Ca që nuk përmendin kurrë hapjen e dosjeve. E mu’ për këtë të lenë shijen e keqe se atje jashtë ku ndodhen i ka hedhur Sigurimi. Gjithmonë si lajthitje edhe kjo. Kurrsesi si e vërtetë.

Edhe për pak kohë, derisa të hapen dosjet, ta marrim vesh një herë e mirë cilët janë. Në qytetet e vogla të provincës, pa folur për Leskovikun, Ersekën, Ballshin, Laçin etj. që janë kthyer në vende për të xhiruar filma me fantazma, duke nisur me më të mëdhenjtë, Durrësin, e duke vazhduar me Lushnjen, Fierin etj. nuk sheh këmbë polici.

Duket sikur këto qytete kanë arritur një gradë aq të lartë civilizimi sa policia nuk u duhet se rendin e ruajnë vetë. Nga këto qytete vijnë vazhdimisht habere për krime dhe perversitete nga më makabret. Mjaft të vesh në ndonjërin prej tyre të rrish vetëm 1 ditë e 1 natë, e kupton se atje shqiptarët syshkaba, nga më frikacaku tek më trimi, nga më budallai tek më i squti, heshtin si peshq dhe për polici nevojë nuk kanë, sepse ruhen nga vetëdija gjithpërfshirëse llahtarisëse se po të flasin edhe 1 fjalë të vetme i gjen belaja nga mafia.

I pabesueshëm si haber ? S’ka problem. Është i besueshme si lajthitje. Ka në Shqipëri territore ku ndodhen fshatra të panumurt që shtrihen gjatë dhjetra kilometrave. Në këto vende mijëra shqiptarë punojnë kokulur, mbjellin, korrin, ndërtojnë shtëpi, kultivojnë vreshta, dashurohen, martohen, bëjnë kalamaj, trashëgohen. Por kanë një të keqe; Nuk bëjnë gjurulldira, sidomos nuk vrasin njëri-tjetrin.

E duke mos u vrarë me sho-shoq, nuk prodhojnë lajm. Duke mos prodhuar lajm nuk dalin në media. Duke mos dalë në media nuk ekzistojnë. Për shoqërinë babilonike, qindra fshatra që nuk ekzistojnë mediatikisht, nuk mund të jenë fakt. S’është për tu dëshpëruar. Nuk ekzistojnë mediatikisht, por, bashkë me të tjerat si më sipër e më vazhdim, ekzistojnë si lajthitje e atij që po shkruan këto rradhë.

Doktor Flori ishte një drogaxhi dhe Luiza Xhuvani një prind i keq. Edhe kjo konsideratë, jo si fakt që mund të shkaktojë zemërata të ligjshme dhe të shkakton telashe. Vetëm si lajthitje prej së cilës nuk të vjen asnjë e keqe. Rrjetat sociale po shërbejnë më së miri si rast i mrekullueshëm që shoqëria babilonike ua jep falas budallenjve për të krijuar një të dytë, të tretë, të katër, të pestë, të njëqintë, një numur të pafund identitetesh të paqëna por të dëshiruara.

S’ka asnjë rëndësi nëse është a s’është i vërtetë ky turp identitar kombëtar me përmasa gjiganteske që fare lehtë mund të merret për lajthitje. Nga gënjeshtra në gënjeshtër, nga qorrollepsja në qorrolepsje, nga lajthitja në lajthitje, sa qef të jetosh duke mos parë në sy realitetin, por vetëm ëndërra me sy hapur, duke u ngutur të vdesësh këndshëm.

Më Shumë

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Vodhi kuletën e një gruaje tjetër, policia shpall në kërkim të dyshuarën nga Prizreni

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët ndihmë nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuare për veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”. Policia njofton...

Lajmet e Fundit