4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Leskoveci i Prizrenit pret të bëhet fshat turistik

Dikur jeta gëlonte kudo, por tashmë fshati është boshatisur gati tërësisht dhe aty ende jetojnë vetëm pesë familje. Fshati Leskovec i Prizrenit ka një peizazh të mrekullueshëm dhe disa nga ish-banorët kanë ndërmarrë iniciativën që ta kthejnë atë në një fshat turistik.

Naser Berisha shprehet se dikur fshati Leskovec (tani Arbëri) ishte fshati më i zhvilluar në këtë pjesë të Vërrinit. Zhvillimi i këtij fshati ishte i përqendruar në zhvillimin sidomos të blegtorisë. Tufat e deleve, pastaj dhive të këtij fshati, thuhet se ishin të njohura në gjithë komunën e Prizrenit e më gjerë. Por, ajo që banorët e këtushëm i dallonte ishte kultivimi i dredhëzave dhe qershive, me të cilat Berisha shpjegon se njiheshin këta banorë edhe përtej Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Po ashtu shumë banorë të këtij fshati herët kishin marrë rrugën e kurbetit dhe kishin sjellë nga jashtë përvojat e tyre. Por, herët, gjatë viteve 1960, banorët filluan ta lëshojnë fshatin, duke tentuar të zbresin ose në Prizren, ose të shkojnë edhe më tej në kërkim të një jete më të mirë. Megjithatë, shumë familje do të mbeteshin në fshat deri në fillimet e luftës së fundit në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Aktualisht përgjegjësi i këtij fshati, Hajredin Berisha, shpjegon se për një kohë të gjatë Komuna nuk kishte bërë asnjë investim dje jeta në fshat ishte e vështirë. Kjo kishte bërë që të ikin edhe ato pak familje që ishin kthyer pas luftës.

“Megjithatë tani falë investimeve nga Komuna e Prizrenit u rikthye shpresa se edhe këtu do të rikthehet jeta”, pohon Berisha.

Kurse Shkodran Berisha, veprimtar i këtij fshati tani banor në Prizren, flet me admirim për guximin e luftëtarëve të lirisë të këtij fshati. Sipas tij, gëzon fakti që janë disa familje që kanë marrë vendim të rikthehen atje në Leskovec dhe të merren me blegtori.

“Dikur nga ky fshat kishin dalë trima të shumtë për liri, kurse tani është boshatisur dhe aktualisht jetojnë vetëm pesë familje”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, pritet që së shpejti ky fshat të bëhet fshat turistik, i cili shquhet për traditën e bukë-dhënies dhe mikpritjes.

“Po fshati Leskovec po mendojmë ta bëjmë një pikë turistike, e cila do të jetë urë lidhëse, që do të lidhet nga Leskoveci deri në kala dhe mendojmë që në të ardhmen ta lidhim këtë rrugë me Cvilenin”, tregon Shkodran Kryeziu, ish-banor i këtij fshati.

Leksoveci ka resurse të mira natyrore, ka ujin e mrekullueshëm dhe peizazhin mahnitës.

Xhamia treshekullore që nuk është vënë nën mbrojtje

Sipas banorëve të fshatit, xhamia në Leskovec, ku ata i bënin lutjet dhe tubimet fetare në atë kohë, është ndër më të vjetrat në vend. Ky objekt fetar nuk është vendosur në mbrojtje, edhe pse është një objekt i vjetër më shumë se tre shekuj.

Profesori Ilam Berisha shprehet se fshati shtrihet në pjesën jugore të Prizrenit, edhe atë në një largësi rrugore prej 6 kilometrash. Në lindje kufizohet me katundin Jabllanicë, në verilindje me Pouskën, në jug me Kushtendilin, në jugperëndim me Malësinë e Vërrinit, ndërsa në perëndim me Hoçën. Maja më e lartë e fshatit është mali Cylen, me një lartësi mbidetare 1300 metra. Janë të njohura familjet si Berisha, Krasniqi, Xhemaj, Shoshaj, Shala dhe Kryeziu.

Katundi Arbëri supozohet të ketë gjurmë mjaft të lashta. Këtë e tregojnë edhe varrezat shumë të vjetra me gurë në formë të zgjatur, të mëdhenj e pa simbole.

Lidhur me Leskovecin si vendbanim janë gjetur dokumente që dëshmojnë lashtësinë. Në dokumentet e shkruara përmendet në kartën e shenjtorëve të manastirit Mihail e Gabriel, afër Prizrenit, të mbretit Dushan të vitit 1348, mandej në librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës të Mushtishtit që ka filluar të mbahet prej vitit 1369.

Si vendbanim është i regjistruar në Muhasebi Vilayet Rumeli defteri, Sanxhaku i Prizrenit i vitit 1530 me emrin Leskofça. Ky vendbanim, në kuadër të Sanxhakut të Prizrenit njihet edhe me emrin Leskofc, i ndarë në dy timarë (apo lagje). Njëra lagje kishte 2 shtëpi, ndërsa tjetra 13 shtëpi tre beqarë dhe një e ve. Emri Leskofc përmendet edhe në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591 dhe kishte tri çifte. Ndonëse popullata e këtij vendbanimi ka vazhduar të jetojë, që nga vitet e përmendura, nuk janë zbuluar shënime. Me të njëjtin emër, pra Leskofc, është i regjistruar në sallnamet (shkrimet, librat) e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), 1896 (1314 h) dhe 1900 (1318 h)

Leskovec apo Arbëresh

Banorët e Leskovecit thuhet se janë banorë të ardhur nga vendi i quajtur “Ara e Gjeqit” (Gjeq, ka kuptimtin mjegull). Sipas disa pohimeve, arbneshët paskan qenë lagje periferike e Prizrenit, dhe janë shpërngulur në vendin që do ta quajnë Arbnesh, që është edhe emri i ri që i është vënë pas çlirimit të Kosovës nga Serbia. Sipas gojëdhënave, këtyre u paskan humbur disa dhi dhe, duke i kërkuar dhitë, i kanë gjetur në Leskovec. Kur kanë parë se aty paska ujë dhe vendi vlerësohej si shumë i përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, janë vendosur dhe kanë filluar jetën aty. Në mesin e këtyre banorëve të Arbneshit, ka pasur edhe katolikë, të cilët kanë bërë rezistencë që të mos e ndërrojnë fenë, madje disa edhe kanë vdekur si katolikë, si Xhima… etj.

“Ndërkaq, arbneshët janë banorë shqiptarë, të cilët për shkak të rezistencës së armatosur dhe sukseseve të njëpasnjëshme në luftërat kundër turqve osmanë, kanë qenë të ndjekur dhe janë shpërngulur nëpër vende të ndryshme, si arbneshët e Zarës, arbneshët e Peshterit, prandaj, edhe arbneshët e Prizrenit, tash të Arbërisë (të Leskovecit), duhet të jenë të tillë, ndaj mund të supozohet se edhe arbneshët Leskovecit e kanë prejardhjen nga Malësia e Mbishkodrës”, pohon Ilam Berisha.

Ka mendime se, disa banorë të hershëm të Leskovecit janë shpërngulur nga një vendbanim i vjetër, nga një kodrinë e Hasit, (në afërsi të Zymit), përballë lindjes së diellit që kishte relativisht në afërsi një burim të ujit që quhej dhe quhet edhe sot Laskavec.

Nikollë Kërhanaj thotë se supozohet se disa banorë të katundit Arbëri, origjinën e kanë nga qyteti ish-shqiptar Leskovci (tash qytet i aneksuar nga Serbia) konkretisht nga qyteza Lebanja, pjesë nën administrim të Serbisë, dikur vendbanime me shqiptarë autoktonë. Sipas historianëve, me qindra katunde shqiptare janë dëbuar dhunshëm nga qytete të ndryshme që sot janë serbe. Konkretisht, banorët e lagjes “Osnoviq”, mendohet se janë të ardhur nga Lebanja. Pas kësaj, thuhet se ka pasur të ardhur të tjerë, të cilët janë vendosur në një pjesë tjetër të katundit (lagje) dhe janë quajtur Kosoviq.

Shpërngulja e madhe nga katundi

Nga Leskoveci, për shkak të terrorit të vazhdueshëm hegjemonist serb, një numër i banorëve janë shpërngulur edhe jashtë Kosovës, si në Turqi, Junon (Greqi). Mund të përmendim familjen e Yzyr Berishës, i cili nga presionet serbe është detyruar ta lëshojë Kosovën dhe është shpërngulur në Turqi, që sot në Turqi, përkatësisht në qytetin Izmir, kjo familje përbën një lagje të tërë shqiptarësh, të gjithë nga Leskoveci, përkatësisht Arbëria e sotshme.

Shumë të rinj nga Leskoveci kanë qenë jeniçerë, (ushtarë të Turqisë), si Salla Krasniqi, Hamëz Berisha, ndërsa disa edhe komandantë shumë të suksesshëm të ushtrisë turke, si Etem (Shala) Çaushi, Liman (Xhemaj) Çaushi, Rrahman (Krasniqi) Çaushi. Pas përfundimit të luftërave ruso-turke, këta komandantë turk, me origjinë shqiptarë nga Leskoveci, kthehen në vendlindje, tashmë me meritën e luftës si komandantë dhe me gradat ushtarake të fituara në Turqi. /Kosova Sot/

Më Shumë

Lajmet e Fundit