10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Letërsia, përkthimet dhe identiteti kulturor

Nga Ndue Ukaj

Shkrimtari Italo Calvino, i ftuar nga Universiteti i Harvardit për t’i mbajtur leksionet e njohura që para tij i kishin mbajtur shkrimtarët e famshëm T. S. Elioti, J. L. Borgesi, O. Paz, në librin “Leksione amerikane” ai shkroi: ”Besimi im në të ardhmen e letërsisë qëndron në faktin se e di që ka gjëra, të cilat vetëm ajo mundet të na i japë me mjetet e saj të veçanta”. Calvino, në këto tekste brilante, të shkuara me stil e dituri, nxori në pah vlerat e mëdha dhe të përbotshme të letërsisë dhe ndikimin që ka ajo në ekzistencën tonë.

Roli dhe ndikimi i artit në shoqëri nuk duhet të nënvlerësohen. Në sipërfaqe duket se letërsia s’ka ndonjë rol të madh në jetën shoqërore, mirëpo indirekt, ajo influencon jashtëzakonisht shumë. Një roman apo poezi e mirë, ndikon në gjuhën dhe mendimet tona; ndikon në ndjesitë tona dhe në formësimin e botëkuptimeve për fenomenet që na rrethojnë. Kështu, letërsia hap perspektiva alternative për t’i gjykuar shumë çështje të shoqërisë. Secila shoqëri duhet të bazohet në një ide unifikuese. E në këtë pikë, letërsia mbetet një referencë e përhershme përbashkuese. Veç të tjerash, ajo ndihmon në sofistikimin e gjuhës, ndërsa leximi i letërsisë është një gur themeli për ta ndërtuar një shoqëri më humane.

Përvoja empirike dëshmon një të vërtetë të pamohueshme: Letërsia e ka ndihmuar në mënyrë konstante emancipimin dhe përparimin e njerëzimit, dhe në formimin e identitetit kulturor të aksh vendit a kombit. Ajo konsiderohet forma më e mirë me të cilën mund përfaqësohet një shoqëri në rrafshin universal. Thënë ndryshe, ajo është nga gjërat e pakta që joshin krejt njerëzimin.

Letërsia, ndonëse lidhet me imagjinatën, nuk është vetëm imagjinata e shkrimtarëve; ndonëse shkruhet për hir të kënaqësisë, nuk është vetëm kënaqësi; është shumë më tepër se kaq- është veprimtari humane shumë më e fisme, dhe brenda vetës përmban historinë njerëzore; betejën mizore mes kujtesës dhe harresës; mes së mirës dhe së keqes, urtësisë dhe injorancës, dashurisë dhe urrejtjes, dritës dhe errësirës. Ajo përfaqëson një univers të pafund dhe është kujtesa më e bukur e njerëzimit. Ndaj, kur duam të dimë diçka për identitetin kulturor të aksh vendi a kombi, të shumtën e herëve flasim për kryeveprat që vendet përkatëse i kanë dhënë njerëzimit. Në këtë mënyrë e kuptojmë se letërsia rri pushtetshëm në fronin më të lartë të vlerave të përbotshme. Sepse ajo ka fuqi të depërtojë dhe shtrihet përtej dogmave të ngushta, doktrinave politike e shoqërore, që kanë një fillim e fund, sepse është një mënyrë shpëtimi, çlirimi e shëlbimi. Dhe si e tillë, ajo mundet t’i hapë portat humanizmit dhe ta shpjerë njerëzimin kah liria.

Besimi te fuqia e letërsisë qëndron në faktin se ajo me mjetet që ka në dispozicion, ka mundësi të përhershme për t’i treguar disa gjëra në një mënyrë tjetërfare; ndryshe nga ç’na ofron shkenca apo nga dijet e tjera, që përpiqen të vërtetat t’i kornizojnë dhe t’i arrijnë nëpërmjet përvojave metodike a doktrinare.

Meqë jemi në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtar të Librit, më pëlqen po ashtu ta citoj nobelistin Herman Hessen, i cili pohonte: “Nga të gjitha gjërat e vlefshme, që njeriu s’i ka marrë dhuratë nga natyra, por i ka shpikur vetë, librat janë shpikja më e vlefshme”. Pa dyshim, libri i letërsisë këtë status shenjtërie e ka fituar në saje të pushtetit shpirtëror që zotëron, dhe ndikimit që ka ushtruar përgjatë historisë së njerëzimit në emancipimin e tij.

Përparimi shoqëror nënkupton një ndjeshmëri dhe përgjigje etike karshi sfidave të përhershme që shfaqen para njerëzimit dhe humanizmit tonë. Këtë ndjeshmëri, as dijet shoqërore e as shkenca nuk mund ta japin ashtu siç mund ta japë letërsia, e cila ka fuqi ta injektojë njerëzimin me humanizëm, kënaqësi, lumturi, dituri e bukuri; ta rifreskojë kujtesën dhe ta luftojë harresën. Mu për këtë arsye, ka shkrimtarë që me të drejtë mendojnë se letërsia është ajo e cila mund ta përmbushë boshllëkun moral të një shoqërie, dhe po ashtu, ka tagër t’i japë përparimit forcë domethënëse e krijuese.

Statusi universal të cilin e gëzon letërsia dhe fuqia planetare e shtrirjes së saj, është arritur nëpërmjet përkthimit, ndaj veprimtaria përkthyese vlerësohet me rëndësi jetike për kulturën e përbotshme. Pa këtë veprimtari kulturore- ndërmjetësuese- do të ishte e pamundur njohja e gjithë thesarit të artit letrar që posedon njerëzimi. E pa këto vlera, njerëzimi do të ishte pamatshëm më i varfër. Imagjinojeni një botë ku të mos ishin të përkthyera “Iliada” dhe “Odisea” të Homerit, “Hamleti” i Shekspirit, “Komedia Hyjnore” e Dantes, “Fausti” i Gëtes, poezitë e Khajamit, “Idioti” i Dostojevskit, “Procesi” i Kafkës dhe shumë e shumë kryevepra të tjera. Pra, nëpërmjet përkthimit këto kryevepra dhe shumë të tjera janë shndërruar në vlera universale, të receptura, lexuara e vlerësuara në të katër anët e botës. Nga ky këndvështrim, e kuptojmë ç’ndikim kanë luajtur veprat e rëndësishme në pasqyrimin e kulturës së një kombi a shteti!

Letërsia i shpërfill ligjet e ngurta dhe me mjetet e veta të gjuhës- që janë mjete të shpirtit, shfaqet si një alternativë e përhershme. “Shkrimtari në shoqëritë e hapura, demokratike, është ai që propozon një jetë alternative. Dhe ne kemi nevojë për këtë jetë tjetër”, – shkruan nobelisti Mario Vargas Llosa. Këtë status të epërm letërsia e ka fituar në saje të fuqisë së shpirtit, me të cilën disponon, ndaj ajo mbetet një nga format më reprezentative të shoqërisë. Ndikimi i letërsisë në formimin e identitetit të një vendi, dhe në imazhin e tij, është i pamatshëm dhe jetik. Po ashtu, letërsia është fuqi shpirtërore e pazëvendësueshme, nëpërmjet së cilës, të tjerët e njohin dhe shpeshherë e identifikojnë një vend a komb të caktuar. Pra, letërsia përfaqëson më së miri identitetin kulturor të një vendi. Ndaj, sa herë përmendim Italinë, Virgjili e Dante janë të pashmangshëm. E nëse kalojmë në Gjermani dhe flasim për identitetin kulturor gjerman, Gëte na ravijëzohet menjëherë. Njësoj qëndron puna me Spanjën e Servantesit, me Anglinë e Shekspirit, me Francën e Hygos. Kilin e Pablo Nerudës. Kolumbinë e Marquezit. Argjentinën e Sabatos. Izraelin e Amoz Osit. Suedinë e Strindbergut. Shqipërinë e Kadaresë. Çekinë e Kunderës. Poloninë e Szymborskës. Japoninë e Murakamit. Dhe ranglista sigurisht mundet të zgjatet pa pafund. Kjo pasuri universale ka arritur të thadrohet thellë në ndërgjegjen e njerëzimit në saje të veprimtarisë përkthyese, ndaj rëndësia e përkthimit, nëpër gjitha kohët, është vlerësuar jetike për njohjen e letërsisë; apo më mirë të themi, për rikrijimin e saj në një gjuhë tjetër, për rivitalizimin e veprave të caktuara në kontekste kulturore specifike.

Pa mëdyshje, roli dhe ndikimi i përkthimit të letërsisë në secilën shoqëri të emancipuar e demokratike është i madh. Në këtë sens, përkthimi e ndihmon kulturën letrare të ndërtojë ura interkomunikimi dhe të përçojë mesazhin e një populli më mirë se çdo veprimtari tjetër artistike a shoqërore. Nëse letërsia përkthehet në mënyrë të duhur e dinjitoze dhe i prezantohet kulturës së përbotshme, mund të luajë rolin e diplomacisë kulturore në afirmimin e vendit të caktuar. Libri i letërsisë ka fuqi t’i tjetërsojë dhe t’i thyejë paragjykimet për vende të caktuara; të pasqyrojë historinë dhe kulturën e caktuar dhe të ndihmojë njohjen e një kombi a shteti. Një gjë të tillë e ka realizuar mjaft mirë letërsia e Ismail Kadaresë, ndaj Amoz Os, në një intervistë thoshte se krejt çka dinte për Shqipërinë e kishte mësuar nëpërmjet Kadaresë. Kjo dëshmon ç’fuqi ka letërsia!

Çfarë mund të bëjë letërsia në një kohë të vështirë, si kjo e jona?

Poetët janë ligjvënësit e panjohur (ligjërisht) të botës, – shkruante Persi Bishi Shelli. E shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, gjatë ceremonisë së marrjes së një çmimi letrar në Prishtinë, ndër të tjera tha: “Letërsia nuk rregullon punët e një kombi, letërsia është një botë e pavarur dhe një vlerë paralele me kombin e popullin. Por, ka stinë në jetën e popujve, kur letërsia duhet ta thyejë zakonin e të qenit e pavarur e të përzihet në punët e kombit dhe se tani kombi shqiptar ka nevojë për letërsinë, e cila ka detyrën të sqarojë keqkuptimin që hedh në diskutim nëse shqiptarët janë apo duhet të bëhen europianë”.

Letërsia e ka për detyrë të mos lejojë që të vërtetat shoqërore t’i formësojë vetëm politike, sepse po ndodhi një gjë e tillë, ka shpërpushje enorme në shoqëri. Politika ngre krye dhe murtaja e gjuhës sulmon ndërgjegjen njerëzore. Ndërgjegjen e lirisë. Një shoqëri e tillë tkurret nga prirja e shpirtit dhe ndikimi i librit, dhe kësisoj bëhet arenë e pafundme e përplasjeve agresive politike.

Letërsia, historikisht ka treguar forcë për të luftuar të keqen, diktaturat, sistemet totalitare dhe ka përhapur vazhdimisht kulturën e kohezionit shoqëror; ka nxitur vetëdijen kritike dhe ka hapur horizonte të reja, sepse ajo mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës-shkruan me të drejtë Calvin.

Shtylla themelore, mbi të cilën u ndërtua historia dhe identiteti dhe përkatësia perëndimore, është letërsia. Ernest Koliqi me të drejtë thoshte se ndërtuesit e Shqipërisë janë tre poetë: De Rada, Naimi dhe Fishta. Ndaj, për ta kuptuar vetveten ma mirë, duhet t’i kthehemi letërsisë shqipe, sepse ajo ishte dhe mbetet shtylla më humane dhe fondamentale e identitetit tonë kulturor dhe përkatësisë së tij europiane.

Më Shumë

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Totaj e Lladrovci diskutojnë për një bashkëpunim ekonomik

Në një takim zyrtar sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prani të miqve anglezë. Diskutimet u fokusuan...

Lajmet e Fundit