16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Miku i Vaçes: Leka i papërgjegjshëm, Vaçe nuk ishte e alkoolizuar

Kur i përmend emrin e Vaçes, ai reagon si për këdo pjesëtar tjetër të familjes, madje me më shumë adhurim.

Gëzim Çela është shok fëmijërie me këngëtaren e madhe, por miqësinë e tyre e forcoi edhe më tepër dhurata e pazakontë që Vaçja i bëri kur ai vuante dënimin me burg gjatë viteve të diktaturës.

Ajo i dhuroi kitarën e saj. Një kitarë që e mbajti gjallë në qelitë e ftohta e të errëta. E ndaj e ka të pamundur që të mos reagojë kur dëgjon të përmendet emri i saj.

Si shumica e shqiptarëve, edhe ai e ka ndjekur debatin e hapur në gazetën “Panorama” mbi këngëtaret e viteve ‘80. Në një intervistë kompozitori Gjergj Leka, përveç Parashqevi Simakut e Lindita Theodhorit, për të cilat insinuonte lidhje të mundshme me punonjës të Sigurimit, çka i ndihmuan të bënin karrierë, krah talentit të tyre, ai përmend edhe Vaçe Zelën.

Por për të Leka thotë se ishte e vërtetë që ajo bënte ligjin, por këtë e kishte arritur falë talentit të saj. Leka thotë se Vaçja kishte shumë emocione kur dilte në skenë, aq sa i duhej të pinte ndonjë gotë ponç, para se të dilte para spektatorit.

Pas kësaj reagon edhe miku i Vaçes, Gëzim Çela. Ai tregon njohjen e tij me këngëtaren dhe i përgjigjet kompozitorit Gjergj Leka.

Gëzim Çela në një takim familjar me këngëtaren dhe shoqen e tij të fëmijërisë, Vaçe Zela Z. Çela, prej pak ditësh në media është hapur një debat në lidhje me artistet shqiptare të viteve ‘80. E keni ndjekur, ç’mendoni?

Sigurisht. I kam ndjekur me shumë interes të gjitha zhvillimet e fundit lidhur me temën e artisteve, të cilat janë përgojuar nga ishkolegu i tyre, Gjergj Leka. Të them të drejtën, më ka indinjuar shumë deklarata e kompozitorit Leka, pasi vetëm një person i papërgjegjshëm mund të nxjerrë nga goja të tilla fjalë. Kur kam lexuar intervistën e kompozitorit në gazetën “Panorama”, mbeta i shtangur, duke pyetur veten se si ka mundësi që pas kaq vitesh, ishkolegu i artisteve t’i quajë ato të paafta. Është e pafalshme. Ju jeni rritur me të ndjerën Vaçe Zela dhe për më tepër kishit një raport motër­vëlla.

A është e vërtetë se, ashtu si thoshte kompozitori Leka, për të mbytur emocionet, ajo pinte ndonjë gotë para se të dilte në skenë?

Nuk është normale të flasësh pas kaq shumë vitesh, duke nxjerrë sekretet e kolegeve. Edhe nëse do t’i marrim të mirëqena sekretet e nxjerra prej tij, ai nuk duhej t’i bënte publike, pasi Vaçja ka ndërruar jetë dhe me të tilla deklarata vetëm e vetëm përbaltet figura e saj. Unë e kam njohur që fëmijë Vaçen dhe nuk kam dëgjuar kurrë se ajo pinte alkool para se të dilte në skenë. Diva e muzikës nuk kishte nevojë të pinte, por, edhe nëse është e vërtetë, nuk duhet të dalin nga goja e ish­kolegut këto sekrete.

Ju keni jetuar vetë në atë kohë, mendoni se ka pasur nga ato këngëtare që, përveç talentit, kanë përdorur edhe lidhje me punonjës të Sigurimit të Shtetit për të bërë karrierë?

Z. Leka mund të thotë çfarë të dojë. Por unë nuk besoj se ka tjetër njeri në Shqipëri të ndajë të njëjtin mendim me kompozitorin, kur bëhet fjalë për këngëtaret më të mëdha të të gjitha kohërave, si Vaçe Zela, Parashqevi Simaku, Lindita Theodhori etj. Vaçja dhe koleget e saj e kanë merituar vlerësimin dhe kujdesin që u ofrohej asokohe. Unë kam mbi kurriz dhjetëra vite burg dhe fjala “Sigurim” më është ngulitur thellë në kujtesë. Talentin e Vaçes dhe zërin e saj i dashuron e gjithë Shqipëria. Nëse për Lekën duhet të jetë ndryshe, atëherë punë për të. Vaçe Zela është monument kulture. Vlerat e të ndjerës, Vaçe Zela, do të mbahen mend gjatë në memorien e të gjithë shqiptarëve, ndaj talentin dhe punën e saj nuk mund ta hedhë poshtë askush.

Ju jeni rritur në të njëjtën lagje me Vaçe Zelën (Lushnjë), për më tepër kishit një raport shumë të ngushtë, i cili zgjati deri në ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare. Vaçen si këngëtare e njohin të gjithë, por ç’mund të na tregoni më shumë përtej asaj që njerëzit kanë parë në ekran?

Vaçja kishte lindur për t’u bërë një divë e muzikës shqiptare. Nëna ime tregon se edhe në djep, Vaçja dukej sikur këndonte. E qara e saj tingëllonte si këngë. Vaçen e njoh që kur ka lindur dhe mund të them se ishte një nga personat më të dashur dhe zemërgjerë. Këtë dashuri nuk e kishte vetëm për njerëzit, por edhe për natyrën. Ajo i adhuronte lulet. Madje, edhe në kohën që jetonte në Zvicër, në ballkonin e shtëpisë kishte lule, ku, ndonëse e sëmurë, kujdesej shumë për to. Aq e dashur dhe zemërgjerë ishte, saqë kitarën e saj të vetme ma dhuroi mua gjatë kohës që vuaja dënimin në burg.

Na tregoni pak më shumë rreth këtij episodi, pasi ka qenë faktor kryesor në përforcimin e shoqërisë suaj?

Ishin vitet 1961–1962, ku karakterizoheshin nga njëfarë liberalizmi, edhe pse brenda në qeli. Ne të burgosurve na lejohej të mbanim në bibliotekë një vegël muzikore. Pak ditë më parë na kishte mbërritur në burg nga një repart ushtarak një mandolinë dhe menduam të gjenim edhe një kitarë, sepse kështu do të mund të sajonim muzikë të bukur, për t’u argëtuar disi pas atyre telave me gjemba. Ky ishte luks për një të burgosur. Kështu, unë i kërkova nënës sime të më gjente një kitarë. Një ditë nëna kishte takuar rastësisht Vaçen, e cila e kishte pyetur për mua. Nëna i kishte thënë se po kërkonte një kitarë dhe Vaçja i kishte thënë se mund të merrte kitarën e saj. Nëna e mori dhe ma solli pas një muaj në burg. U gëzova pa masë dhe e vlerësova shumë gjestin e mikes sime të ngushtë, e cila më mbështeti në një kohë vërtet të vështirë./Leonidha Musaj, Panorama

Më Shumë

Memorandum për rritje ekonomike dhe inovacion në Komunën e Prizrenit

Kryetari Shaqir Totaj ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me OJQ “Agjencia për Zhvillim Rajonal Jug” (AZHR Jug). Ky memorandum synon të zbatohet për politikat e...

Arti në zi! Ndahet nga jeta poeti i njohur shqiptar, Jorgo Papingji

Arti shqiptar në zi! Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, poeti dhe autori i një sërë këngëve, Jorgo Papingji. Mësohet se ai ka ndërruar...

Dhimbja

Lajmet e Fundit