16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ministri Gashi premton bashkëpunim më të mirë me shoqërinë civile

Në një intervistë për “Zërin” ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, flet ndër të tjera për zhvendosjen e MKRS-së në Prizren, prioritet që i ka vënë vetes gjatë këtij mandati, gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe potencialet kulturore të shtetit.

Menjëherë pas emërimit tuaj në krye të MKRS-së ka marr vëmendje vendimi për zhvendosjen e një pjesë të kësaj ministrie në Prizren; si do të ndikojë në funksionimin e ministrisë kjo zhvendosje, marrë parasysh se një pjesë e stafit dhe departamenteve do të mbetën në Prishtinë e një pjese do t’i duhet të udhëtojë?

Ky propozim i cili është adresuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës është i bazuar në rëndësinë dhe rolin që ka qyteti i Prizrenit në fushën e kulturës, me theks të veçantë atë të trashëgimisë kulturore. Bazuar në vlerën dhe rëndësinë historike e kulturore që ka pasur qyteti i Prizrenit ndër shekuj dhe që vazhdon të ketë edhe sot për vendin tonë, qartazi është një simbol që kultivon vlera origjinale, me larmi kulturash. Pjesa e vjetër e qytetit, shërben si një hapësirë unike ku zhvillohen shumë aktivitete kulturore, të cilat e mbajnë gjallë vazhdimisht jetën kulturore të qytetit, por që kanë ndikim kulturor në mbarë vendin dhe më gjerë. Andaj për këto arsye ne si ministri kemi ndërmarr veprimet e duhura për zhvendosjen e një pjese te stafit politik, administrativ dhe profesional në qytetin e Prizrenit.

Si i komentoni zërat se kjo është thjeshtë një lëvizje politike në kuadër të fushatës për zgjedhje lokale?

Në asnjë mënyrë nuk do duhej të komentohet në këtë nivel. E ritheksoj se ky vendim do jetë ndër më të rëndësishmit që ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës. Në asnjë moment nuk duhet keqinterpretuar si veprim për qëllime politike.

Qendra Historike e Prizrenit, qyteti prej nga ju vini e së shpejti do ta keni edhe zyrën, është përballur vitet e fundit më rrënime, djegie dhe degradime, si do t’i qaseni kësaj qendre gjatë qeverisjes tuaj?

Vetë fakti që institucioni më i lartë shtetëror, në këtë rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po zhvendoset në qytetin e Prizrenit, e demonstron qartë rëndësinë, rolin, por edhe përkushtimin tonë që kemi në raport me qytetin e Prizrenit, me theks të veçantë për Qendrën Historike. Tani për të qenë korrekt me ju, më duhet ta potencoj faktin se gjatë këtij viti janë realizuar më shumë se 15 projekte restauruese- konservuese në Qendrën Historike të Prizrenit, të cilat po zbatohen nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, si institucion në vartësi të MKRS-së. Gjithashtu, edhe në vitin 2018 është paraparë buxhet shtesë për Qendrën Historike të Prizrenit nga MKRS-së dhe jam tepër i bindur se institucione kompetente të trashëgimisë do vazhdojmë tutje me realizimin e shumë projekteve në interes të mbrojtjes, ruajtjes, por edhe promovimin e qytetit të Prizrenit.

Në anën tjetër, edhe Prishtina e ka një pjesë që njihet si “Qendër Historike” apo “Qyteti i vjetër” e që duket se pas luftës është lënë në harresë nga niveli lokal edhe ai qendror, çka mendoni se mund të bëhet në këtë drejtim?

Sa i përket zonës historike të Prishtinës, për mua ka një rëndësi po aq sa ka edhe qendra Historike e Prizrenit, andaj në çdo moment do jetë pjesë e agjendës sime ditore. Unë me ta marr mandatin, kam insistuar që për zonën historike të Prishtinës të ndahet buxhet për vitin e ardhshëm, pra për vitin 2018 dhe jam i bindur që ky buxhet do të shfrytëzohet nga institucionet kompetente, në këtë rast nga Qendra Rajonale e Prishtinës për trajtimin e kësaj zone.

Pak para formimit të kësaj qeverie organizatat e kulturës kanë theksuar, ndër të tjera, kërkesën e tyre që të thellohet bashkëpunimi mes tyre dhe MKRS-së dhe që ato të kenë edhe qasje në vendimmarrje. Cili është plani i juaj në këtë aspekt?

Për mua si ministër është prioritet përfshirja e sa më shumë akterëve në proceset vendimmarrëse, e me theks të veçantë kur bëhet fjalë për fushat specifike. Që në fillim, sapo kam marrë detyrën kam zhvilluar një varg takimesh me përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve me të cilët jemi dakorduar në parim që edhe më tej ta rrisim dinamikën e bashkëpunimit në interes të arritjes së objektivave tona të përbashkëta.

Sukseset e viteve të fundit kanë dëshmuar se kinematografia është një sferë e kulturës në të cilën Kosova mund të shkëlqejë; prej marrjes se mandatit a keni arritur të takoheni me drejtuesit e QKK-së dhe cila është qasja juaj në këtë drejtim?

Padyshim që në kalendarin tim të aktiviteteve deri më tani kam realizuar një numër të madh takimesh me shumë prej institucioneve të cilat operojnë në vartësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ne kemi pasur një takim njoftues me drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, ku kemi diskutuar për së afërmi për të gjitha aktivitetet dhe të arriturat e kinematografisë kosovare në vitet e fundit. Kabineti im është në kontakt të vazhdueshëm me QKK-në. Ministria që unë drejtoj do të fokusohet në avancimin e mëtejmë të kinematografisë, sidomos rritjen e vazhdueshme të buxhetit dhe futjen sa më të shpejtë në funksion të lehtësirave financiare në fushën e sektorit audiovizuel, duke e kthyer Kosovën në një ndër vendet më atraktive të bërit film në rajon.

Në Takimet e Gjeçovit premtuat se në prillin e vitit të ardhshëm do të jetë gati shtëpia muze e Katarina Josipit; a keni ndarë mjetet për këtë projekt dhe a do ta mbani fjalën?

Fshati Zym për mua përbën një lokalitet të veçantë për nga rëndësia historike, kulturore por edhe e aseteve të shumta të trashëgimisë kulturore që ka andaj, përmbyllja e punimeve në shtëpinë-muze të aktores së njohur Katarina Josipi do përfundojnë në prill të vitit që vjen dhe për këtë projekt ekziston buxheti i mjaftueshëm. Përveç kësaj, në buxhetin e vitit 2018 janë ndarë edhe 60 mijë euro shtesë për investime në këtë fshat.

Çfarë do bëni me këshillat aktuale brenda MKRS-së siç janë ai i librit, teatrit etj, të cilët ka kohë nuk janë aktive, veçmas ai i librit?

Në përputhje me mandatin dhe detyrimet ligjore që kam si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të funksionalizohen të gjitha këshillat brenda institucioneve të MKRS-së me profesionistë të fushës dhe kjo do të ndodh brenda një kohe të shkurtër.

Më Shumë

Vdes në vendin e punës mërgimtari nga Malisheva

Nazmi Morina nga Lubizhda e Malishevës, ndërroi jetë një ditë më parë në vendin e tij të punës në Itali. Lajmi u bë i ditur...

Nxënësit e shkollës ‘Mehmet Akif’ vizituan Prokurorinë Themelore në Prizren

Në kuadër të takimeve me qytetarë, Prokurorinë Themelore në Prizren të mërkurën e kanë vizituar nxënësit e klasave të katërta të shkollës “Mehmet Akif”...

Lajmet e Fundit