8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Musa Shehzade, atdhetari pa varr

Historia patriotike e Musa Shehzades. Tyrbja e Shehzades e mori emrin për nder të patriotit

Musa Shehzade u lind në Gjakovë në vitin 1870 dhe ishte i biri i sheh Hysenit. Mësimet fillestare i mori në vendlindje, në Prizren, e më vonë edhe në Stamboll. Babai i tij kishte lindur në Shkodër dhe, pas mbarimit të studimeve në Stamboll, në Prizren ndërtoi Teqenë Marash-Hisar.

“Kjo teqe luajti gjithnjë një rol konstruktiv, karshi çështjes sonë kombëtare. Në teqenë e Prizrenit ishin mbajtur edhe shumë takime nga krerë të ndryshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, delegatët e Shkodrës, por edhe të Malësisë, ishin pritur e përcjellë nga kryesuesi i kësaj teqeje, sheh Hyseni”, tregon për gazetën Bedri Çejku, kryetar i Ballit Kombëtar, Dega në Prizren dhe njëherësh profesor i Historisë.

Ai tutje thotë se në ngjarje të mëdha për popullin shqiptar, si Lidhja e Prizrenit, në këto skena të mikpritjes dhe të përcjelljes së nacionalistëve nga paraardhësit e tij, do të rritej e edukohej edhe Musa Shehzade.

“Rrethanat dhe vendi ku u rrit Musa Shehzade, i mundësuan qysh herët të pajisej me një kulturë kombëtare dhe fetare. Ishte një burrë me një kulturë të gjerë dhe, si njohës i mirë i parimeve islame që ishte, ai, edhe pse i ri, do të emërohej nakib (zëvendës i shehut). Mësimet fetare dhe kombëtare që kishte marrë nga paraardhësit, asnjëherë nuk do t’i harronte, përkundrazi ai do t’i kultivonte edhe më tutje, duke zhvilluar një veprimtari të shumanshme: fetare, shoqërore-humanitare dhe përreth 40 vjet do të zhvillonte aktivitete të ndryshme politike, në dobi të çështjes kombëtare, duke u bërë edhe njëri nga personalitetet më në zë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë gjysmës së parë të shek. XX”, shprehet Çejku.

Ai ishte deputet në Parlamentin e fundit osman dhe shumë aktiv në mbrojtjen e interesave kombëtare.

“Ishte edhe njëri nga përkrahësit e alfabetit latin të gjuhës shqipe. Ishte shumë aktiv edhe gjatë vitit 1912; nuk pushoi asnjëherë së bashku me shokët e tij, duke u dërguar letra konsujve perëndimorë, që ushtronin misionet e tyre nëpër qendra të ndryshme të vilajeteve shqiptare. Me marrjen hov të kryengritjeve nëpër Kosovë në vitin 1912 dhe për të marrë informacione sa më të plota për rrjedhjen e kryengritjes, Ismail Qemali do të dërgonte në Kosovë sekretarin e tij personal, të njohur me emrin Sali Hida, bashkë me dy burra të tjerë, Niman Sylën e Zeqir Halitin, të cilët do të shëtisnin anembanë Kosovën dhe, në vitin 1912, ai do t’i dërgonte një letër Ismail Qemalit, në të cilën kishte dhënë një përshkrim të gjendjes që mbizotëronte në Kosovë dhe në rajonet e tjera shqiptare”.

“Në vitin 1912, Musa Shehzade dhe Jahja Doda do t’i prinin grupit të kryengritësve të Prizrenit prej 400 vetash, që së bashku edhe me kryengritësit e viseve të tjera shqiptare, do t’ia mësynin Shkupit”, tregon Bedri Çejku. /Kosova Sot.

Më Shumë

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Lajmet e Fundit