13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Ndriçim Ademaj: Një ditë do të lodhemi së ikuri nga kujtimet e luftës

Fatmira NIKOLLI

Rrugët vlonin nga njerëzit. Ishte ditë pazari. Ndoshta në liri të gjitha ditët janë ditë pazari. Kolona e veturave ecte ngadalë dhe ne hapëm dritaret që të hynte ajri i pastër. Ndërkohë dy njerëz u kapën fytas me njëri-tjetrin. Babai tha se desh u vranë për një kile gjizë. A ishte kjo liria?”

Në romanin e tij të parë, ardhur pas tri vëllimesh me poezi, Ndriçim Ademaj, ka një qasje edhe ndaj lirisë. Te “Pa heronj, pa bujë”, roman që mban siglën e botimeve “Pegi”, ai pyet nëse ishte kjo liria. Biseda mes nesh, nis pikërisht me këtë pyetje: cila është liria, a ka një të tillë? “Ndoshta, siç thotë Nimi në roman, liria është të mund të hash një hamburger të shijshëm e të nxehtë valë tek sheh shokët e klasës që kanë mundësi ta blejnë. Shpesh e mendoj lirinë si një femër së cilës i rri mirë secili fustan i veshur a i hedhur përtokë”, thotë Ademaj.
Në liri, mbas njëfarë kohe kur mbërriti në lagje, asgjë nuk kishte ndryshuar. Përveç atij. Dhe derës së oborrit. Me ngjyrë të kuqe dhe shkronja të shtrembra shkruhej “UÇK – MOS E PREK”.

Romani “Pa heronj, pa bujë”, është një homazh për Ndriçimin që ndoshta nuk ka qenë kurrë, duke qenë njëherësh një manifest, heroi lëkundet mes një dashurie të pavetëdijshme për Sarën dhe kujtimeve gjysmë të trishta – gjysmë gazmore të fëmijërisë së tij në Kosovë. Romani i tij, nuk ka idhuj, ka njerëz të mundur, të tradhtuar, herë-herë të harruar, që s’dinë të rrahin gjoksin, por rreken të mbijetojnë; romani i tij shpërfaq botën e dikujt që ka mbi kurriz luftën, dhe jo vetëm atë të vërtetën, por luftën e përditshme për të mbetur individ i pacenuar dhe i qetë mendërisht e shpirtërisht.
“E vetmja peshë që ndjej tani është ajo e kohës së çuar dëm. Peshën e rrudhave të nënës sime dhe çdo dite të kaluar larg saj. Për mediokracinë në shoqëri e sharlatanët e fryrë si tullumbacet e fundvitit, më pyetni mbas tridhjetë vjetësh, nëse do të jem ende këndejpari”, thotë ai.
Si luftë ndaj dhembjes e qoftë edhe vdekjes, ka vetëm një mënyrë- të tallesh, ndaj në këtë libër, ai e ka zënë veten shpesh të tallet me gjëra që e përlotin.

-Në kohën kur u botua “Këngë nga Rruga e Farkëtarëve”, pate thënë se është libri i fundit. Dikush e mori në kuptimin “më i fundit”, dikush si heqje dorë prej letërsisë. Çfarë të shkonte ndër mend atë kohë?
Nuk më pëlqen fort të mbaj sekrete për veten. Ndaj më duhet të them se mbas çdo poezie a libri, ndjej se nuk kam gjë për të thënë dhe se nuk do të kem më kurrë. Unë jap gjithë çka kam, nuk ruaj asgjë për më vonë. Prandaj, secili libër është libri im i fundit.

-Pse një roman pas tri vëllimeve me poezi?

Nuk kisha shkruar asnjë poezi prej pothuajse një viti dhe po jetoja një kohë vetmitare. Nuk më shkonte mendja të shkruaja një roman, sall të bëja pak muhabet me veten sa për ta shtyrë kohën. Kur para syve m’u fanitën personazhet e para, filluan të jetojnë, të marrin frymë, t’i marrin gjërat në dorë. Aty nuk kisha më forcë, e besa as dëshirë për t’i ndalur.
-”Pa heronj, pa bujë”, a është Ndriçimi mes Zvicrës e Kosovës, plot shpresa e prapë shpresëthyer?

“Pa heronj, pa bujë” është cinizmi që nuk e dija as vetë se mund ta kisha karshi ngjarjeve, më të dhimbshmet qofshin ato, e para njerëzve, më të përçudnuarit qofshin ata. “Pa heronj, pa bujë” është një homazh për Ndriçimin që ndoshta nuk kam qenë kurrë.
-”Në këtë roman, nuk ka idhuj, ka njerëz të mundur, të tradhtuar, herë-herë të harruar, që s’dinë të rrahin gjoksin, por rreken të mbijetojnë”- sa e vështirë edhe të mbetesh vetvetja, të mos bësh pjesë në ‘Bankën e Favoreve’, ku udhëheq trafiku i influencës më shumë se meritokracia?
Kur përmendet banka, më bie ndërmend llogaria e zbrazur në fund të muajit. Një mik i imi i urtë më pati thënë para nja dhjetë vitesh: “Mos u shit kurrë, e nëse duhet të shitesh, shitu shtrenjtë”. Nuk e di nëse çmimi nuk ka qenë ende aq i lartë, apo unë nuk i kam ulur ende krahët. Ndoshta unë nuk kam asnjë meritë për atë që bëj. Ndoshta vetëm shkruaj ato gjëra që ka rastisur të kalojnë nga dritarja e dhomës sime e jo nga ajo e një shkrimtari tjetër. Nëse një njeri vetmitar shtrihet shkujdesur me librin në dorë, herë duke buzëqeshur e herë duke u përlotur, në dreq të mallkuar mirënjohjet e çmimet letrare!
-Në shtratin ku ne jemi shtrirë të sëmurë, çfarë na dhemb më shumë, sëmundja jonë, a “era e spitalit”? A mund ta ndajmë sëmundjen tonë nga era e sëmundjeve të spitalit?

Them se na dhemb më shumë koha e çuar dëm kur ishim atje jashtë.

-Kryesisht ngjarje të dhembshme, në libër thjesht i ke nënkuptuar, i ke përmendur si shkarazi. Është çështje stili? Apo të tilla dhembje nuk rrëfehen dot me fjalë?

Mënyra e vetme për t’i mundur dhimbjen, frikën, e bile edhe vdekjen, është të tallemi me to. Në këtë libër e kam zënë veten të tallem me gjëra që më përlotin jo rrallë.

-Fleshback-u i kthimit në fëmijëri, një kohë që nuk është fort e largët për Xhimin dhe që është përshkuar me nota shumë të buta, është trishtim apo kujtim i ëmbël, siç u ndodh të gjithëve kur kujtojnë fëmijërinë?
Nuk pajtoj se fëmijëria e Nimit është përshkruar me nota të buta. Është më shumë një gërryerje në brendinë e personazhit për të nxjerrë gjëra nga të cilat të rriturit kanë turp e përpiqen t’i fshehin gjithë jetën.

-Trauma që ka pësuar Nimi në vegjëli ndihet shumë tek ai (tashmë Xhim); sa përfaqësuese është historia e tij për gjithë fëmijët e Kosovës?
Ende nuk ka ardhur koha kur këto trauma të vërehen te fëmijët e luftës, lindur në fund të viteve ‘80 e në fillim të viteve ‘90. Ne ende jemi në ikje nga këto kujtime. Ne ende jemi duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur gjithçka ishte veç një ëndërr e keqe. Një ditë do të lodhemi së ikuri e do të duhet të përballemi me kafshën që na ka ndjekur nga mbrapa tash e dy dekada. Ndaj, ngjarja e vërtetë bazohet në rrëfimin e Xhimit, mendoj unë.

-Çfarë është lufta për ty; lufta e madhe me armë, lufta e madhe që të bën të ikësh, lufta e Kosovës, dhe lufta me vete e të tjerë?
Lufta më e madhe, kujtoj, është ajo e të qenit i pavarur dhe të lësh shenjë në jetë. Kjo fillon që nga shuplaka e parë dhënë nga babai e vazhdon deri në fund të jetës. Dikush zgjedh të dorëzohet herët, e të mbijetojë i robëruar, dikush nuk ndalet së luftuari me mish e me shpirt, e dikush tjetër vendos të bëjë paqe me veten e të mos e marrë këtë luftë shumë seriozisht.

-Filozofi kanadez Alain Deneault, ka folur për mediokracinë, duke e cilësuar perverse, njëfarë PR i përbotshëm për atë që nuk është si duket, ambalazhimi i së paqenës, duke e shitur për vlerë. A e ndjeni peshën e mediokracisë?

E vetmja peshë që ndjej tani është ajo e kohës së çuar dëm. Peshën e rrudhave të nënës sime dhe çdo dite të kaluar larg saj. Për mediokracinë në shoqëri e sharlatanët e fryrë si tullumbacet e fundvitit, më pyetni mbas tridhjetë vjetësh, nëse do të jem ende këndejpari.

Më Shumë

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Kosova merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në Bienale të Venecias

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin...

Lajmet e Fundit