19.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Në Has festohet dita e nëntë e Shëngjergjit

F esta e Shën Gjergjit festohet për ta përjetuar ndaljen e dimrit dhe ardhjen e stinës së verës. Pra, nënkupton një ndarje mes stinëve dhe daton më 5 maj, sipas disa krahinave shqiptare, dhe vazhdon deri më 15 maj. Kështu në Has shënohet dita e nëntë e Shëngjergjit dhe ajo shënohet në tri pika të kësaj krahine ne Lukinjë, në Kabash dhe në Tejec të Gorozhubit. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në trevat shqiptare filluan të ndërtohen tyrbe apo mauzole të ndryshme, të cilat ndërtoheshin për evliat, shehlerët, apo dervishët e devotshëm. Shqiptarët për t’i qëndruar besnik traditës u munduan që këtë festë pagane ta përshtatin me fenë Islame. Në Kosovë, p.sh. në Rrafsh të Dukagjinit, organizohet pranë tyrbeve, në prani të të cilave prehet apo theret qengji.

“Ndryshimet e datave kanë ndodhur pikërisht për shkak të besimeve”

Etnologu Nexhat Çoçaj shprehet për “Kosova Sot” se Festa e Shëngjergjit, sipas kalendarit pagan, ndryshe njihej si festa e bujkut dhe si e tillë festohej në gjithë hapësirën shqiptare. “Meqë pranvera nuk arrinte në të njëjtën kohë edhe në të kaluarën kjo festë besohej se nuk festohej në të njëjtën kohë, por në një kohështrirje të caktuar kohore. Me kalimin e kohës kjo festë pagane e festës së bujkut, iu atribuua një shenjtori të krishterë, meqë emri Gjergj ndryshe në gjuhën e vjetër ilirishte kishte kuptimin e bujkut. Shembull më tipik i përvetësimit të festave pagane nga besimet religjioze është Festa e Shëngjergjit, e cila festë në trojet shqiptare festohet në një periudhë prej 21 ditësh, përkatësisht nga 23 prilli e deri më 14 maj”, është shprehur ai. Sipas tij, kështu më 23 prill shqiptarët ortodoks e festojnë Ditën e Shëngjergjit, ndërsa të krishterët katolikë Shëngjergjin e kremtojnë më 6 maj, ndërsa besimtarët islamë Festën e Shëngjergjit e kremtojnë më 5 dhe 14 maj. “Këto ndryshime të datave për festimin e Shëngjergjit kanë ndodhur pikërisht për shkak të besimeve. Në trojet shqiptare fëmijët e besimit ortodoks, që lindin me 23 prill, e marrin emrin Gjergj, ndërsa fëmijët katolikë që lindin më 6 maj pagëzohen me emrin Gjergj. Ndërsa, besimtarët islamë, edhe pse fëmijët që lindin në këto data nuk i pagëzojnë me emrin Gjergj, ata besojnë se Shëngjergji ishte i shenjtë edhe i tyre, në kohën kur ai kishte jetuar”. Sipas Çoçajt, besohet se Shëngjergji ishte zënë rob më 23 prill dhe më 6 maj i ishte prerë koka, për çka nisi të festohej. Por, sipas enciklopedisë së krishterë, ka edhe versione tjera, që thuhet se i ishte prerë koka më 23 prill.”Besimtarët islamë me kalimin e kohës e përvetësuan këtë të shenjtë dhe nisën ta festojnë Ditën e Shëngjergjit më 5 maj, siç veprohet në Prizren dhe meqë bëhet fjalë për një të shenjtë që është vrarë, atëherë i është shënuar edhe e nënta e ditës, që i bie më 14 maj”, është shprehur ai.

Gjergji vdiq duke i ruajtur të gjallët

Përderisa në pjesën më të madhe të fshatrave kremtohet më 5 maj, në fshatrat e Hasit dhe pjesërisht në fshatrat e Përdrinisë festohet Shëngjergji ose e nënta e Shëngjergjit më 14 maj. E nënta e Shëngjergjit ka kaluar në festë pelegrin më së shumti festohet në Lukinaj, Guruzhup dhe në Kabash, ndërsa më herët festohej edhe në Krushë të Vogël, po të njëjtën ditë, më 14 maj.

“Kremtimi i të nëntës ditë të Shëngjergjit në Has festohet në ato vende ku ka tyrbe dhe varreza, ku edhe vetë figura e të shenjtit Gjergj ka të bëjë me vdekjen, pra ai ka vdekur duke i ruajtur të gjallët, që besohet se është vrarë në dyluftim me këlshedrën.

Në Lukinaj, Guruzhup (Tyrbja e Tejecit) dhe në Kabash të Hasit besimtarët, pos që bëjnë rite fetare dhe i vizitojnë tyrbet, përgatisin edhe ushqime dhe lënë nezra (dhurata) në tyrbe. Ngjashëm si në Ditën e Shëngjergjit, që besimtarët marrin dushqe dhe i varin në shtëpi, në shenjë të arritjes së verës, edhe më 14 maj marrin degë dushku, varësisht se çfarë druri ka në vendin ku bëhet ceremonia e festimit”, është shprehur ai. Kryesisht preferohet që të merren degë të druve frutore, por në mungesë të druve frutore, preferohen edhe drunjtë që hyjnë në industrinë e ekonomive familjare si frashri, shelnja etj. Shton se atë ditë sikurse Ditën e Shëngjergjit që nuk preferohej të therej (punë me gjilpërë) besohet se mbjelljet pranverore duhej të përfundonin deri më 14 maj.”Besohej se të gjitha mbjelljet që bëhen pas kësaj date nuk do të kenë rendimente”, tregon Çoçaj për gazetën “Kosova Sot”.

Më Shumë

Fisichella: Schumacher është Maradona i F1

Ish-piloti i F1, Giancarlo Fisichella ka folur për Michael Schumacher, duke bërë një krahasim me një tjetër të madh dhe kampion, por të futbollit,...

25-vjetori i masakrës së Lubizhdës, Haradinaj: Hasi dha shumë për atdheun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar në 25-vjetorin e vrasjes së tyre, 54 shqiptarët e Lubizhdës së Hasit.   Ish-kryeministri thotë...

Lajmet e Fundit