7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Nënat dalin nga materniteti…

Nga Hajdar Mallaku

Ajo ditë ishte e hënë. Pas pushimit të fundjavës, pashë që nga materniteti po dilnin shumë nëna me foshnje para duarsh. Tri prej tyre i njihja, e drejta dy, se për të tretën më tregoi njëra prej tyre. Unë shkova atë ditë për ta vizituar dajën, që ishte i shtrirë atje dhe isha shumë i lidhur me të, që nga fëmijëria. Ishte parim që te i sëmuari në spital apo në shtëpi të mos shkoje duarthatë. Në dorë kasha një kese me diçka për dhuratë, jo pse ai nuk kishte, se falë Zotit i kishte të gjitha të mirat, por shëndeti po e tradhëtonte atë shkëmb njeriu që shpirtit i thoshte:”A po e kryen punën, a po del…?” Nuk dinte për lodhje as për ankesë.

Në shkallët e katit të parë, që ishin mjaft të gjëra, kishte një sheshpushim në mes. Aty e takova Florimin me të ëmën dhe të shoqen, që po zbrisnin, ndërsa unë po ngjitesha lart. Ishte dhëndër i një miku të familjes dhe shpesh ishim takuar me të në të mirë dhe në të keq. Ai tashmë punonte në Gjermani, ndërsa e ëma me të shoqen dhe dy djem të vegjël jetonin prapa shpinës së botës, në fshatin Pllajvaj, atje ku, si thuhej, i ndanin paratë hajdutët.

-Jungjatjeta!- ju thashë me vështrimin e parë, e, kur shikova më me ngulm, sytë i kalova prej njërit te tjetra dhe te e trata. Pashë që të tre po mbanin para duarsh nga një foshnje të porsalindur të lidhur lulak.

-E mora shoqen nga materniteti, më tha. E kam pasur për lindje. Kemi trinjakë, që të tre djem.

-Qofshin me jetë të gjatë, që të tre dhe paçin fatin e mbarë! E paske obligim të shtiesh tri herë me pushkë, se të paskan lindur tri pushkë të gjata,- i thashë. Madje kur të vijmë për urime do t’i pimë nga tri kafe dhe do të ngremë dolli me nga tri gota alkool.

– Je i mirëseardhur! – më tha.

E humba toruan t’i pysja në fillim si ishin me shëndet dhe si shkonin me punë dhe tash në fund po ua zgjatja dorën shpejt e shpejt të mos i vonoja. Te Florimi vërejta gëzimin që ish i mbështjellë me një obligim të shtuar për t’i rritur fëmijët, jo për para, po për të jetuarit larg, pas shtatdhjetë e shtatë bjeshkësh.

E ëma e tij ishte më e hareshmja. Ajo ishte plakur dhe lindja e tre djemve, pas dy të tjerëve që i kishin, i kish dhënë krahë. Ajo e respektonte traditën shqiptare të ngulitur prej kohësh se lindja e djemve ishte shtim i familjes, shtim i krahëve të punës dhe shtim i sigurisë familjare. I shkonte mendja për të keq, edhe pse gjërat kishin ndryshuar për të mirë, se vetë asaj i kishin vdekur sa fëmijë dhe falë Zotit që shpëtoi ky djalë dhe tash po ia shton shtëpinë. Nuk e qonte mendjen te mbrojtja e atdheut se këtë e dinin të tjerët.

Më e heshtura ishte e shoqja, Sheqerja, që krahas gëzimit për lindjen e djemve, madje dhe gëzimit për lirim të rehatshëm të saj, e ndryente me dhunë një buzëqeshje si t’i vinte turp për atë lindje trinjakësh. Ma shtrini dorën nën lulak dhe u ndamë.

Pak hapa më tutje qe shoku im i punës, Sabiti, me të shoqën. Ajo mbante para duarsh një foshnje të porsalindur. I vërejta se nuk ishin në hare, por nuk e dija pse ishin në spital. Pas hamendjes a të ndalet a mos të ndalet, e mposhti kërkesën e zemrës dhe u ndal. Pasi u falëm më tha:

-E pata shoqën për lindje. Prapë kemi vajzë.

-Është vajza e katër,- tha e shoqja dhe i rrodhën lotët.

E pata vështirë t’i ngushëlloja, por me ato fjalë që më erdhën stisa urime si këto:

-Qoftë me shëndet e me jetë të gjatë! E pastë këmbën e mbarë! Dhëntë Zoti të përkund vëllezër! Ju jeni të rinj dhe Zoti ju dhuron edhe djem. Duhet pasur besim. Falë Zotit vajzat janë të shëndosha dhe e gjejnë fatin e vet. Kujtoni ata prindër që nuk kanë fare fëmijë ose i kanë me të meta.

Vërejta që as i shoqi nuk ish liruar nga mendësia e të pasurit djem  se lëre më e shoqja që ishte amvise dhe s’kishte mbaruar më tepër se shkollën fillore. E, të shoqes, më bëhej se i tingëllonin në vesh  thëniet e plakave, madje dhe të vjehrrës: “Kur lind vajzë e parë, edhe trarët pikojnë vrër”, “Kur lind vajzë e dytë, dridhen themelet e shtëpisë” ,”Kur lind vajzë e tretë, ka dergjë, ka nemë, ka lotë…” Sa mallkime të tmerrshme për vajzat, për ato krijesa engjëllore të familjes ! Sa mosbesim për ato „fajtore kujdestare“ që mendohej se në çdo moment mund ta turpëronin familjen. Sa emra përbuzës: Keqe, Helme, Derte, Pseerdhe, Shkurte … Pa asnjë përdëllim. Dhe bindja tjetër se “ Po të kesh vajza, do t’i bajsh dert dyert e dynjasë edhe kur ke mundësi t’u ndihmosh e sidomos kur nuk ke mundësi. E veçmas kur nuk janë rehat me burrat e tyre“.

Ishte krijuar madje një urim dhe  mallkim bashkë „Të hjektë e enjta !“-sepse të enjten bëheshin dasmat zakonisht. Rast i turpshëm do të ishte dhe ardhja e dhëndurve kalavar, në shtëpi të gruas, pas vdekjes së prindërve të vajzës dhe grindja e ndarjes së pasurisë në një rrreth tjetër familjar. Ky mentalitet gjithënjë e më shumë po thyhej dhe po zëvendësohej me atë të botës së qytetëeuar, por ja, po zvarritej ende në këto troje.

Në mes të nënave që dolën atë ditë nga materniteti vërejta dhe njërën që zbriste me lotë në sy. Para duarsh i shoqi mbante lulak një foshnje të porsalindur, por mbuluar me një rizë të zezë, ndërsa e shoqja veç sa nuk ia kishte plasur gjëmës. Ishte krejtësisht e humbur dhe mezi i ndërronte hapat. Kuptova rastësisht atë ditë nga një grua që fliste si e kanë shprehi gratë që në vende publike pikërisht i publikojnë edhe  fshehësitë më të mëdha. Ajo tha se ajo grua nuk kishte fëmijë njëmbëdhjetë vjet dhe pasi mbeti me barrë, këtë fëmijë dje e kishte dështuar. Gëzimet e saj u shembën si të ishin hedhur në humbnerë dhe si kundërshpërblim u mbush me vrer.

Pasi u ktheva nga vizita m’u ngulit në mendje herë një meditim e herë një tjetër. Dhe kjo për secilën familje veç e veç. Familja e Florimit e kishin brengë si t’i rrisnin pesë djem në një fshat të prapambetur ku s’kishte rrugë, ku s‘kishte ujë, ku s’kishte mjek, ku s’ishte i mundur shkollimi, ku s’kishin shtëpi për të qenë, aty ku toka më shumë kishte gurë se sa dhe, dhe të lashtat i digjte dhe hëna natën se lëre më dielli ditën. Në këtë fshat e kujtonin nusen që kish shkuar për t’u sjellë ujë argatëve dhe kish qajtur. Nuk kish gjetur vend pa gurë për ta vendosur gërqakun. I vjehrri e kish vërejtur dhe kur kish ngulur këmbë që nusja të tregonte se ç’kishte: mos e kish ngacmuar kush, mos nuk ish e kënaqur me burrin apo me shtëpinë, ajo e zënë ngushtë kish treguar se nuk gjeti vend pa gur për ta vendosur gërqakun, se ish friguar se mos do ta thyente dhe bota do të thoshte se  nusja ishte e pakujdesshme.

Po. Këtu jeta ishte luftë, jeta ishte ngulm dhe çdo vështërsi duhej përballuar. Nëna e fëmijëve treneq duhej të bënte një sy gjumë si qeni i kallajxhiut dhe do të rrinte kujdestare natë e ditë. Por, në mision të shenjtë.

Pas tre muajsh e takova prapë Florimin, i cili më tha se fëmijët i kish shumë mirë dhe po rriteshin si guracekë (lule Shën Gjergji). Në Gjermani nuk më besuan se kam treneq, edhe pse i dërgova dokumentet, më thanë se duhet t’i çoja fëmijët atje për t’i parë. Pasi me shumë mund i dërgova atje, nëpunësit qeshën dhe më dhanë shpërblim me të cilin ua bleva fëmijëve një lopë qumështi dhe i rregullova dokumentet për shtesa fëmijënore. Tash erdha për ta sjellë familjen në Kosovë dhe duhet të kthehem në punë.

Pas  dy vjetësh, familjes së dytë, Sabitit, i lindi djalë. E pagëzuan me emrin Gëzim dhe kishte arsye se ishin gëzuar familja, por dhe të gjithë dashamirët e tij, si thuhet guri dhe druri. Shkuam me disa shokë të ngushtë për ta uruar. Për mahi, pas urimeve të sinqerta, i thamë se të është shtuar një pushkë e gjatë dhe rendi është edhe ti t’ia krisësh njëherë.

-Çejf kam, po këtu është qytet, mandej gjendja politike nuk është e mirë.

-Atë ditë kur na lindi vajza e katër, qemë mërzitur shumë,- tha e shoqja. Zoti mos na e paftë për të madhe. Në shkallë të korridorit të spitalit, më kujtohet, e takuam dhe profesorin. Por, më në fund, na gëzoi Zoti me djalë dhe e keqja harrohet me të mirë.

-Atë ditë, tha prapë e shoqja, Nazja, rastisi të delte nga materniteti dhe një grua që lindi treneq. Le të më ndjejë Perëndia se unë u ngushtova dhe thashë: “O Zot i madh, asaj ia dhe tre djem edhe pse i kishte dhe dy më parë e për mua nuk e pave të arsyeshme të ma falësh një, por më ngarkove dhe me një vajzë !” E kisha humbur arsyen se secili e ka fatin e vet.

Pasi e kishim pa teklif i shoqi, Sabiti, e pati shtegun dhe i tha:

-Po pse moj grua nuk ia bëre me sy atij burri që di t’i bëjë pesë djem radhazi?

-Leht e ke tash mor burrë, që na lindi djalë, mahitu sa të duash. Unë tash jam më e fortë se kam shtier rrënjë. Unë dhe  ti e dimë se nuk jemi të tillë. Po ti pse nuk ia bëre me sy asaj fisnikeje dhe ta pyesësh se si ta bënim një djalë?

-Të kam fisnike, moj Naze! – i tha i shoqi dhe ia plasëm gazit. Ndërsa e shoqja vazhdoi:

-Atë ditë doli nga materniteti dhe një grua që pas njëmbëdhjetë vjetësh kish mbetur me barrë dhe kish dështuar, pasi ishte vonuar të vinte te mjeku. Tërë natën vajtoi dhe vajtoi dhe nuk u përmbajt. As ne nuk mundëm ta ngushëllonim. Ajo jeton në rrugën afër nesh. Nga mërzia, tha, kish fituar traumë dhe jeton në depresion psikik. Nuk lindi më, as i shoqi nuk u martua si bënin shpesh ata që nuk kishin fëmijë.

-Për këtë edhe librat e shenjë flasin sipas parimit filozofik ataraks  dhe thonë „ O i gëzuar, mos u gëzo ! …/  O i hidhëruar, mos u hidhëro! ”- shtoi njëri nga shokët. -Çdo gjë duhet pranuar me gjakftohtësi.

Paramendova që atë ditë mund të ketë dalë nga materniteti dhe ndonjë grua që sa vite kishte ëndërruar për t’u bërë nënë, që ka qenë për vizitë mjekësore te gjinekologu, por që ka mbetur tërë jetën beronjë.  Fëmija për të ka qenë një gozhdë e ndryshkur e ngulitur në shpirt. Paramendova dhe ndonjë nënë që mund të ketë lindur fëmijë me të meta dhe dhimbjen për të do ta bajë si vath në vesh tërë jetën.

Paramendova dhe ndonjë nënë që pas djemve do të donte ta kishte  së paku një vajzë. E dija dhe një familje që, pas pesë vajzave, pati dy djem. I humbi që të dy: njërin në fatkeqësi komunikacioni e tjetri u mbyt në liqen. I kish ngulfat e keqja: humbja e bijve, persekutimet politike dhe varfëria i kishin sjellë buzë humbnerës. Mjeku dashamirës i ndihmoi me barëra dhe në momentin e fundit të plleshmërisë e lindën një djalë. Dija dhe nëna që kishin humbur djalin apo vajzën e vetme. Dija nëna që kishin vetëm djem, madje shumë; dija nëna që kishin vetëm vajza dhe shumë. Sa dhe sa raste të tjera. Femrat në rend të parë e mallkojnë moslindjen dhe sublimimi i tyre është fëmija, engjëlli i ripërtëritjes së botës që mund ta bëjë vetëm nëna. Nëna! Madhështia hyjnore e botës. Për të fëmiu jetim kish thënë: „ E mirë është njerka, po s‘ po i vjen era nënë…“ Ja që sa nëna ka bota, aq brenga ka dhe atë tërë jetën e tyre.

II

Njëzet e tre vjet pas asaj dite u ftova në një dasmë. Një fqinj imi po e përcillte vajzën nuse. Vajtëm bashkë me shoqen. Pas urimeve të zakonshme, e pyeta të zotin e dasmës, babain e vajzës që po martohej se kush ishte miku. Më tregoi se babai i tyre, Florimi, pas vdekjes së nënës e kish marrë familjen në Gjermani. Po ishte jetëshkurtër dhe e kish humbur jetën në një fatkeqësi  dhe sot, tha , martohen tre djemtë e lindur trinjakë: Amiri, Sajmiri dhe Bamiri. Nuset e tyre kuptohet nuk janë motra si janë ata vëllezër, po dhëntë Zoti e të kalojnë mirë si motra dhe ato. Që te tre po i marrin nuset në Kosovë. Te ne e marrin nusen e tretë, të djalit, Bamirit, që ka lindur pak minuta pas të dytit.

Dy vetura të zbukuruara me nuse brënda pritnin jashtë oborrit, ndërsa e treta hyri në oborrin e fqinjit tonë. Për mahi e pyeta vëllain e madh të tyre, që ishte tash zot i dasmës, se a kishin për të marrë më nuse sot, pas të tretës… Tash për tash jo, më tha, nesër e pas do të shohim…- ma ktheu me të njejtën monedhë.

Më Shumë

Sot moti me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Moti sot në Kosovë parashikohet të jetë me diell dhe po ashtu edhe me vranësira. Siç bën të ditur Meteo Kosova, era do fryjë kryesisht...

Vedat Muriqi luan sot kundër liderit të La Ligë

Real Madridi do të luajë në udhëtim te Mallorca e Vedat Muriqit dhe do ta kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në garën për titull...

Lajmet e Fundit