11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Një kafe, një libër dhe të tjera risi në Festivalin e Librit dhe Artit

festivaliMinistria e Kulturës ka zgjedhur stendën e vet në Festivalin e Librit dhe Artit, çka do të thotë se përveçse financiarisht e mbështet dhe moralisht këtë aktivitet. Në stendën e saj, MK do të shpallë nismën më të re “Një kafe & një libër”, që ka synim krijimin e hartës së kafeve letrare në kryeqytet. “Krijimi i kësaj harte mbetet një sfidë për ministrinë, por duke parë interesin në rritje të disa bareve në Tiranë që po përpiqen të nxisin të rinjtë drejt librit apo aktiviteteve të kësaj natyre, mendojmë që është koha e duhur për t’iu ofruar partneritet dhe kësisoj për të nxitur këtë prirje të shëndetshme për kulturën shqiptare në përgjithësi dhe për librin e lexuesin në veçanti. Synimi i vërtetë është nxitja e të rinjve drejt një kohe të lirë aktive e sidomos të angazhuar me kulturën e librit, ku përfshihen promovime autorësh, përkthyesish, botuesish, editorësh, lexime publike me aktorë apo me vetë protagonistët e letërsisë. Kjo do të rriste potencialisht edhe rolin e kafeve të tilla si streha lexuesish dhe shkrimtarësh të rinj premtues, që mund të nxiten, sikundër e ka treguar përvoja europiane dhe botërore e letërsisë, nga një klimë e tillë pozitive ndaj artit dhe letërsisë.”- shkruhet në shpalljen zyrtare të kësaj nisme të Ministrisë së Kulturës.

Për të realizuar këtë nismë, ministria do të shpallë një thirrje për të gjitha ato subjekte që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj ideje dhe që janë të gatshme të japin kontributin e tyre në zgjerimin e një harte të kafeve letrare.

Edicioni i parë i Festivalit të Librit dhe Artit do të çelet nesër në orën 17:00 në

Muzeun Historik Kombëtar. Për katër ditë me radhë deri ditën e diel, qendra e Tiranës do të shndërrohet në një aktivitet me përmasa të mëdha, i cili përfshin dy fusha të rëndësishme të kulturës: artet pamore dhe botimet shqiptare. I organizuar nga Shoqëria e Librit Shqip, rreth të cilit janë mbledhur Shtëpia Botuese Toena, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, Skanderbeg Books, Omsca, Kuteli, Botimet Dudaj dhe Botart, për Festivalin e Librit dhe Artit u përfol që kur Ministria e Kulturës zgjodhi të mbështesë këtë aktivitet dhe jo Panairin e përvitshëm të Librit “Tirana 2014”. Përtej hatërmbetjeve mes organizatorëve të dy aktiviteteve, e rëndësishme është që librit do t’i kushtohen dy aktivitete të rëndësishme në vit; Festivali i Librit dhe Artit, që do të mbahet çdo pranverë dhe Panairi i Librit “Tirana”, që zhvillohet çdo vjeshtë. Në Festivalin e Librit dhe Artit që hap siparin nesër, sipas organizatorëve marrin pjesë më shumë se 45 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilët do të ekspozojnë përpara vizitorëve titujt e rinj të pranverës, por edhe botimet më të mira ndër vite. Aktiviteti i parë që çel këtë edicion është konferenca me temë “Letërsia e angazhuar dhe gruaja”, ku në panelin e diskutimit do të jenë Mirela Kumbaro, Rudina Xhunga, Daria Bignardi, Eda Derhemi, Ardian Vehbiu. Kjo tryezë diskutimi synon të analizojë aksionin dhe ëndrrën ndërtimtare të gruas në letërsi.

Gjatë ditëve të Festivalit, dy sallat e promovimit në Muzeun Kombëtar do të jenë të zëna me pothuaj çdo orë-një promovim ku veçojmë promovimet për; librin “Arbëria në hartat e vjetra të Bibliotekës Kombëtare (shekujt XVI-XVIII)”, me autor Prof. dr. Aurel Plasarin; romanin “Bilbao, Nju Jork, Bilbao” të shkrimtarit spanjoll Kirmen Uribe; intervistat “Shkrimtarët e Shekullit” me autore Rudina Xhungën; studimin “Hermetizmi në letërsinë shqipe” me pjesëmarrjen e shkrimtarëve të analizuar: Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Visar Zhiti, Thanas Dino dhe piktori Maks Velo; romanin “Gropas ‘67” me autor Teodor Laço etj. Ndërsa të ftuar specialë sa i takon botës së librave janë dy autorë të huaj: Daria Bignardi, autore e “Akustikë e përkryer” dhe malazezi Andrej Nikolaidis, i cili do të promovojë botimin në shqip të librit “Bir”, fitues i Çmimit për Letërsinë, akorduar nga Bashkimi Europian, pjesë e të cilit këtë vit është bërë dhe Shqipëria.

Edhe Universiteti Europian i Tiranës do të ketë stendën e tij në këtë festival, ku do të promovohen katër botime të rëndësishme që mbajnë logon e botimeve UET Press; libri “Secilit Shqipërinë e tij” 146 profile, me autor, gazetarin Alfred Lela, libri “Arsim dhe pabarazi. Sfida e perceptimit ndryshe”, i autores Valbona Nathanaili, “Kurthet e papunësisë”, me autor Kosta Barjaba, si dhe libri “Pesë leksione për konstitucionalizmin” i autorit Spartak Ngjela. Pjesë e aktivitetit janë edhe dy juri, respektivisht për dy çmimet që do të shpallen në Festivalin e Artit dhe Librit; çmimi “Ardian Klosi” për autorin e vitit në publicistikë, i financuar nga rrjeti Traduki dhe Puna më e mirë në artet pamore, për çmimin “Danish Jukniu”. Emrat e jurive do të jenë konfidencialë deri në momentin e dhënies së çmimeve.

paMur, një galeri, një autor

Pjesa e arteve pamore, e pagëzuar me emrin artistik paMur, do të kurohet nga Vladimir Myrtezaj. Tema e arteve pamore është “Një galeri, një autor”. Kjo do të thotë se brenda në hollin qendror të Muzeut Kombëtar do të jetë një bërthamë ku do të prezantohen shtatë punë të 7 galerive të artit, të cilat kanë zgjedhur nga një artist që i përfaqëson. Janë parashikuar gjithashtu disa forma të tjera artistike në aktivitet që do të gjejnë vend brenda hapësirave ku do të zhvillohet ngjarja, si p.sh grupe muzikore të rinjsh liceistë, apo edhe një festival i poezisë./mapo/

Më Shumë

Totaj inspekton ndërtimin e obeliskut të UÇK-së

Në vazhdën e punimeve, në projektin “Ndërtimi i infrastrukturës (rrugëve dhe ambientit), turizmit kulturor në Leskovec”, sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku...

Vdes një infermierie në Malishevë

Ka ndërruar jetë, Sadije Thaçi, e cila për vitë të tëra shërbeu si infermiere në QKMF-Malishevë. E ndjera, para disa kohe kishte dal në pension. Sadije...

Lajmet e Fundit