7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Një Qendër për studimin e letërsisë shqipe

Pjeter-Budi-WriterNjë nga studiuesit e jetës dhe veprës së Pjetër Budit, Behar Gjoka, bashkë me disa kolegë të tij kanë iniciuar një nismë për të kaluar në “sitën” e kritikës jo vetëm autorët bashkëkohorë, por që nga periudha e parë e letrave shqipe, që nis pikërisht me Budin e bashkëkohësit e tij Matrënga, Bardhi etj. Kjo qendër mëton të thithë rreth vetes kritikën serioze

Në ditët e dhjetorit të vitit 1622, në prag të Krishtlindjeve, humb jetën në ujërat e lumit Drin, një nga atdhetarët më aktivë të kohës, kleriku dhe poeti Pjetër Budi. Një humbje që sot e kësaj dite vishet me enigmë, ndërsa 4 shekuj më pas, me emrin e tij do të njihet Qendra e parë të Studimeve Letrare, që synon të sjellë kritikën dhe analizën e letërsisë shqipe në një dimension të ri. Një nga studiuesit e jetës dhe veprës së Pjetër Budit, Behar Gjoka, bashkë me disa kolegë të tij kanë iniciuar një nismë për të kaluar në sitën e kritikës jo vetëm autorët bashkëkohorë, por që nga periudha e parë e letrave shqipe që nis pikërisht me Budin e bashkëkohësit e tij Matrënga, Bardhi, etj.

Po si lindi ideja për një qendër të kritikës shqip dhe çfarë synon ajo? Themeluesi i saj Behar Gjoka mendon se lindi si nevojë për të pasur një kritikë të strukturuar, për të risjellë në vëmendje autorë të mëparshëm e për të bërë një ballafaqim vlerash të autorëve bashkëkohorë. Ndërsa ai mendon se ka hapësira të mëdha e boshllëqe, ku studiues e shkrimtarë të tjerë që do të bashkëpunojnë me qendrën të thonë fjalën e tyre në lëmin e kritikës.

“Qendra e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” ka në qendër të vëmendjes arritjet e periudhës së parë të letrave shqipe, fillesat e saj, me Buzukun, Matrëngën, Budin, Bardhin, Bogdanin dhe Kazazin… Po ashtu, në vështrimin e vetë të shtuar, kjo qendër do të ketë edhe letërsinë e sotme, e cila ekziston, por ende nuk ka gjetur vendin dhe hapësirën që i takon. Mirëpresim sugjerime, bashkëpunime me të gjitha atë që mendojnë si ne, po kaq edhe me ata që mendojnë krejt ndryshe. Marrëdhënia me letërsinë, nuk e presupozon dakordësimin e shijeve, koncepteve, përkundrazi”, thotë Gjoka për gazetën Mapo.

Ndërsa e ka nisur hapin e parë, jo me një ceremoni të shpalljes së qendrës, por me një aktivitet kushtuar veprës së shkrimtarit e studiuesit nga Kosova, Sali Bashota, Gjoka shton se “shpreh mirënjohje për të gjithë ata që shpresojnë në udhëtimin e kësaj qendre të studimeve letrare, për të kontribuar seriozisht në vlerësimin dhe rivlerësimin e autorëve dhe veprave që përbëjnë panteonin e letrave shqipe, si gjithëkohësi dhe gjithëhapësi”. Në grupin nismëtar të qendrës bëjnë pjesë kritiku i njohur Flamur Maloku, poeti Xhevahir Spahiu dhe shkrimtari nga Kosova Agim Gjakova, të gjithë me dëshirën për të krijuar një institucion, i cili do të thithë rreth vetes kritikën serioze dhe fokusimin e saj, siç theksoi Gjoka, tek “analiza e tekstit” , një analizë që i mungon kritikës shqiptare sot.

Qendra “Pjetër Budi” do të synojë të bëjë një unifikim të letërsisë këtej e matanë kufirit, krijimin e mundësive që të njihet letërsia që bëhet në Kosovë më shumë në Shqipëri dhe anasjelltas. Jo rastësisht aktiviteti i parë kishte mbledhur në sallën e Akademisë së Shkencave dhjetëra autorë e studiues nga Kosova që kishin ardhur në një aktivitet ku flitej për një autor kosovar.

Studiuesi i njohur Behar Gjoka, u ndal gjatë në vlerësimin e veprës së Bashotës. “Në grupin e autorëve me kontribut në lëmin e poezisë dhe studimeve letrare, me hapësirë komunikimi në disa gjuhë të huaja, në zhanrin e poezisë, megjithatë jo plotësisht i njohur në Shqipëri, hyn edhe Sali Bashota, bashkë me një numër autorësh të tjerë. Bashota, është autor me veprimtari letrare dhe kulturore, pedagogjike dhe shkencore, madje me rreth tridhjetë libra të botuar gjer më tani, është nga zërat më të përveçëm. Rrethana e mungesës, në kohën shkrimore, për secilin autor, pra edhe për Bashotën, nuk është se pengon për të cekur vlerat artistike, ndonëse mosnjohja ndikon në klimën letrare”, – tha ai.

Për Gjokën, “Mijëvjeçari i ri solli për qenien shqiptare, ndryshime të mëdha, si shembja e diktaturës komuniste në Shqipëri, pavarësimi i Kosovës, po kaq, dha shansin për të kuptuar se çfarë ka ngjarë me gjuhën dhe letërsinë në të dyja anët e kufirit”.

Ndërsa studiuesi i njohur i letërsisë, Flamur Maloku, e përshkruan në këtë mënyrë veprën e Bashotës: “Sali Bashota, është poeti që e ribën, e rikrijon mitin e heshtjes, vetmisë , mërzisë në poezinë shqipe. Një treshe kjo që ngjallet e ringjallet vazhdimisht në poezinë e tij, dhe merr forma e trajta në varësi nga përbërja poetike. Meditimi dhe figura në kohë dhe hapësirë bëhen bartëse të sistemit të kësaj tresheje ideore, që rithuhen ngadalë në poezi, e për të mos ikur asnjëherë përjetimit të thellë poetik”, u shpreh ai ndër të tjera. Mes ligjëruesve të tjerë, ishte edhe studiuesi Hysni Ndreu dhe shkrimtarja Violeta Allmuça.

“Ego” i jep jetë qendrës

Në sallën kryesore të Akademisë së Shkencave, “Aleks Buda”, në prani të shkrimtarëve dhe studiuesve nga Kosova dhe Shqipëria u organizua këtë javë diskutimi me temë “Vepra letrare dhe studimore e Sali Bashotës”, studiuesit Flamur Maloku e Hysni Ndreu bënë një skaner kritik të veprës së tij, e cila shtrihet jo vetëm në shkrimtari, por dhe në fushën e studimeve të letërsisë. Vetë autori nuk e fshehu emocionin që nderohej në Tiranë me një aktivitet të tillë, po për ti shlyer këtë nder ai prezantoi për herë të parë për publikun librin e tij të fundit, të ndërtuar në formë të një interviste të gjatë “EGO”, i botuar në tri gjuhë, shqip, frëngjisht dhe anglisht. Një intervistë- rrëfim për autorin, për jetën, për dashurinë, fëmijërinë, luftën, dilemat e pengjet e tij e mbi të gjitha mbi pyetjen e madhe; pse shkruan? Kështu Bashota e ka provuar veten për herë të parë në zhanrin e publicistikës, ndërsa njihet më së shumti për poezinë, prozën dhe disa vepra me studime e kritikë letrare. “Shkruaj ngaqë besoj në vetvete për të komunikuar me lexuesit, për ta mundur heshtjen dhe për ta zgjuar pasionin e dashurisë për shkrimin. Më kujtohet, si fëmijë i vogël, çdo mëngjes e dëgjoja zërin e zogjve sa herë cicëronin në pemët e kopshtit tim në vendlindje dhe mendoja; si mund të rikthehej zëri i tyre në fjalë apo në vargje”, shkruan në rreshtat e parë të “EGO”-s, ku Bashota duket se shpall një premtim për ta hapur veten para lexuesit si një dëshirë fëmije.

Studiuesi, qiriu që ndizet nga dëshirat e njerëzimit

Kemi vepra dhe autorë që njihen deri në imtësi, dhe në anën tjetër, vepra dhe autorë, që pas një kohe në paprani, mbetura në hije, i bie që shkrimtari shqiptar të ketë një fat të mbrapshtë, të trajtohet si autor i ri, sepse kontaktin me lexuesin ta ketë real në mesmoshë.

Mijëvjeçari i ri solli për qenien shqiptare, ndryshime të mëdha, si shembja e diktaturës komuniste në Shqipëri, pavarësimi i Kosovës, po kaq na dha shansin për të kuptuar se çfarë ka ngjarë me gjuhën dhe letërsinë në të dyja anët e kufirit. Në një kuptim të ngushtë, sërish letërsia shqipe, gjendet në shtratin e prokrustit, sepse kemi vepra dhe autorë që njihen deri në imtësi, dhe në anën tjetër, vepra dhe autorë, që pas një kohe në paprani, mbetura në hije, i bie që shkrimtari shqiptar, të ketë një fat të mbrapshtë, të trajtohet si autor i ri, sepse kontaktin me lexuesin ta ketë real në mesmoshë. Në grupin e autorëve me kontribut në lëmin e poezisë dhe studimeve letrare, me hapësirë komunikimi në disa gjuhë të huaja, në zhanrin e poezisë, megjithatë jo plotësisht i njohur në Shqipëri, hyn edhe Sali Bashota, bashkë me një numër autorësh të tjerë.

Bashota, është autor me veprimtari letrare dhe kulturore, pedagogjike dhe shkencore, madje me rreth tridhjetë libra e botuar gjer më tani, është nga zërat më të përveçëm. Rrethana e mungesës, në kohën shkrimore, për secilin autor, pra edhe për Bashotën, nuk është se pengon për të cekur vlerat artistike, ndonëse mosnjohja ndikon në klimën letrare. Bazuar në prurjet shkrimore, të poezisë dhe studimeve letrare, mund të flitet për një dukuri letrare, që rrok përmasa të shumëfishta.

Përmasa e interpretuesit të letërsisë, ku përfshihen librat Shqipshkrimi kritik, 1997, Kuteli prozator-poet-kritik, 1999; 2007, Domethënia e ideve letrare, 2001, Proza e filleve të modernitetit, 2006, Studime letrare, 2008, e cila shqiptohet në dy pamje: Së pari: Rrafshet e kritikës letrare, që hasen në veprën Shqipshkrimi kritik, 1997. , ku rroket një gamë e gjerë autorësh. Në qendër të vëmendjes, fillimisht është vepra poetike e Fishtës, Kutelit, Koliqit, figura e Konicës, si dhe eseistika e Kadaresë. Metatekstet kritike mbizotërohen nga analiza e poezisë së A. Podrimes, A. Shkrelit, Rr, Dedaj, D. Mehmeti, M. Gashi,etj.

Për të mbërritur më në fund edhe në shkrimet për veprat studimore, si për I. Rugovën, S. Hamtin, B. Krasniqin, A. Aliun etj.

Gjerësia e trajtimit të autorëve dhe teksteve, në shqyrtime strukturaliste dhe përmbajtësore, meritojnë vëmendje sepse shpalojnë aftësitë e autorit në analizën e fillesave të letërsisë moderne shqipe, të pjesës së parë të shekullit të njëzet. Së dyti: Puna studimore, e cila përbën një kontribut në marrëdhënie me kulturën dhe letërsinë shqipe, si hapësi dhe kohësi, të kahjeve të ligjërimit letrar, të gjinive dhe zhanreve, të analizës mbi natyrën e veprës, shpesh herë edhe të analizave strukturore dhe tekstologjike. Ideja e Uollas Stivens se: Studiuesi është qiriu që ndizet përherë nga dashuria dhe dëshirat e njerëzimit. , në rastin e krijimtarisë së Dhimitër Paskos, hedh dritë në të gjitha vatrat e shkrimit letrar. Sali Bashota është studiuesi që ka realizuar shqyrtimin më të plotë për krijimtarinë e Kutelit. Bashota në të dy botimet e librit mbi krijimtarinë e Kutelit, paraqet në ekuilibër trashëgiminë letrare të prozatorit, poetit dhe kritikut letrar. Të tri këto nivele shkrimore autoriale gjenden të mishëruara në hapësirat e teksteve letrare, ndonëse proza, në vështrimin e Bashotës dhe të studimeve letrare, shënon formaten më kualitative, prozëshkrimi autorial, ka një hapësirë më të shtrirë në interpretimin studimor, sesa rrafshet e tjera të shkrimit poetik dhe kritik kutelian.

Nga Behar Gjoka

Më Shumë

Real Madrid e mposht Barcelonën, blindon kreun e La Liga-s

Real Madrid e ka mposhtur sërish Barcelonën, duke e blinduar kreun e La Liga-s. Skuadra madrilene triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, me anglezin që...

Ndërron jetë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Xhemajli Gashi

Ka ndërruar jetë Xhemajli Gashi, ish-futbollist i njohur i Lirisë së Prizrenit. Ai ka lënë gjurmë të thella në komunitetin sportiv të qytetit. Xhemajli Gashi ka...

Lajmet e Fundit