4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Nuk ka drejtor për Universitaren

Asnjëri nga shtatë kandidatët nuk i ka plotësuar kushtet për të qenë drejtor i Bibliotekës Qendrore Universitare. Në konkursin e tretë me radhë për këtë pozitë kanë aplikuar Agron Gashi, Islam Musliu, Vaide Kçiku, Naim Heta, Zelfije Abdyli, Helmi Ajvazi dhe Nysret Ajeti. Vetëm Gashi nga të gjithë kandidatët është ftuar në faza të tjera të konkursit nga Këshilli Drejtues i BQU-së. Sipas KD-së, Gashi ka arritur vetëm 40.4 pikë, që nuk mjaftojnë që ai të jetë drejtor. Kështu konkursi do të kthehet në pikën zero.

Studiuesi dhe shkrimtari Agron Gashi, ka konkurruar në herën e tretë në konkursin për drejtor të BQU-së. Ai thotë se ka konkurruar jo pse është i papunë, por sepse është i lidhur me librin. “Kisha një vizion që BQU-në ta shndërroj në një qendër të dijes, të nxënies kreative, të zhvillimit intelektual e akademik”, ka thënë Gashi, i cili për këtë, më parë ishte konsultuar se si funksionojnë edhe bibliotekat simotra në rajon.

“Këtë nuk kisha mundësi ta shpaloja në një test të kompiluar, ku gjysma e pyetjeve kanë qenë jashtë fushës së bibliotekarisë, që nga politikat administrative jashtëbibliotekare, organizimi juridik e politik në vend, e deri te ratifikimi i marrëveshjeve politike ndërkombëtare (edhe pse ndryshe thuhet në Kushtetutë, e ndryshe veprohet)”, ka treguar Gashi për “Zërin”, i cili është i vetmi kandidat që i ka plotësuar kushtet për intervistë.

“Ndërsa, sa për seriozitetin e Komisionit, në raportin e parë zyrtar që më është dërguar, i nënshkruar nga Komisioni prej pesë anëtarësh, flitej për Agron Berishën! Vetëm pasi kam reaguar e kanë kuptuar se është fjala për Agron Gashin! Të jem i sinqertë, për këtë ‘ngatërrim’ më ka kërkuar falje rektorati përmes zyrtarit të saj”, ka thënë Gashi, duke shtuar se posa ta kuptojë se kush do ta drejtojë këtë institucion, me shumë probleme, ndoshta do ta ketë një justifikim më të mirë, së paku për veten. “Mbase do të ndihem më me fat që më kanë poentuar kaq pak, sidomos te pyetjet e hapura. Sidoqoftë, për ata që njohin punën time, kjo është vetëm një pengesë për t’i kontribuuar një institucioni, e jo shkëputje nga misioni im për librin”, është shprehur Agron Gashi, mësimdhënës i angazhuar në UP.

Në anën tjetër, Islam Musliu, kandidat për drejtor të BQU-së, ka thënë se nuk është se nuk i kanë plotësuar kushtet, por sipas tij, është i porositur njeriu i konkursit. “Është një konkurs si të gjithë të tjerët në Kosovë, nuk ka ndonjë risi”, ka thënë Musliu, i cili nuk është ftuar fare në test. “Unë kam dëgjuar emra që janë lakuar për të qenë drejtor. Po thuhet se një femër nga Anglia do të vijë. Ajo paska shkuar atje për disa trajnime”, ka thënë Islam Musliu, doktorant i gjuhës shqipe. “Për 13 vjet kam qenë drejtor menaxhues i disa kompanive, mandej ky është post menaxhues nuk është post politik, apo që kërkohet ndonjë titull shkencor”, është shprehur Musliu për të shtuar se është e pamundur në tre konkurse, të mos ketë kandidat që i plotëson kushtet për drejtor.

Por, Shaban Buza, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Universitare, ka thënë se i kanë shqyrtuar dokumentet e të shtatë kandidatëve dhe kanë vlerësuar që vetëm njëri të thirret në testin me shkrim. “Testi me shkrim në bazë të rregullave që është përpiluar është vlerësuar nga secili nga anëtarët e Këshillit Drejtues”, ka thënë Buza, duke shtuar se kandidati i ftuar të test, Agron Gashi, ka marr 40.4 pikë, që nuk është e mjaftueshme që të thirret në intervistën me gojë. “Është dashur të jetë mbi 50 pikë. Secili nga pesë anëtarët e Këshillit i kanë 100 pikë për vlerësim, dhe që kandidatit, 50 prej tyre, gjë që kandidati nuk i ka arritur 50 pikët, që të ftohet në intervistë”, ka thënë Shaban Buza, sipas të cilit ky proces është stërzgjatur. “Në këtë mënyrë vështirësohet veprimtaria e Bibliotekës, që ende nuk ka arritur të marrë veten”, është shprehur kryetari i KD-së. Buza thotë se kjo tani është çështje e administratës, por që konkursi do të ripërsëritet. “Ata do të veprojnë konform ligjeve”, ka thënë Shaban Buza.

Fidan Hamiti, menaxher i Personelit të Universitetit të Prishtinës, thotë se raporti për konkursin për drejtor të BQU-së është publikuar konform procedurave që rregullohen me ligjet e aplikueshme në Kosovë në funksion të shërbyesve civilë. “Fatkeqësisht në bazë të rregullores për procedura të rekrutimit në shërbimin civil, kandidati Agron Gashi për t’u quajtur i kualifikuar për faza të tjera të rekrutimit duhet të mbërrijë 50 përqindëshin”, ka thënë Hamiti, për të shtuar se është ndërprerë procedura.

“Komisioni ka kërkuar që të bëhet rishpallje e re e konkursit”, ka treguar Fidan Hamiti, për konkursin tashmë të dështuar. “Ky është Komision ad hoc për rekrutimin e drejtorit. Këtë e garanton Ligji i Bibliotekarisë, i Bibliotekës Qendrore Universitare dhe të gjitha aktet që janë në funksion të shërbyesve civilë”, është shprehur Hamiti, duke shtuar se KD ka qenë objektiv, testi ka qenë i hartuar konform rregullores. Ai ka thënë se kandidatët e tjetër sipas Këshillit Drejtues nuk i kanë plotësuar kushtet as për testin me shkrim.

“Tani do të kthehemi në pikën zero. Do e njoftojmë Ministrinë e Administratës Publike që nuk kemi mundur të rekrutojmë dhe të fillojmë nga zero”, ka thënë Hamiti, duke shtuar se ky është pozicioni kyç, prandaj e ka pasur të vështirë Këshilli. “Ky është pozicion kyç, aq më tepër, rëndësia i shtohet kur flasim për shembull për një institucion që është në ndërtim e sipër siç është Biblioteka Universitare”, është shprehur menaxheri i Personelit të Universitetit të Prishtinës, duke shtuar se KD ka kërkuar kandidat më kompetent, sepse këtu, përveç tjerash, kualifikimeve formalo-juridike, që ka qenë në konkurs, kërkohet një person që ka sens të menaxhojë me resurse humane, buxhetin, e tjera. “Për shkak se është një institucion që është Bibliotekë Universitare, nuk ka më të madhe në nivel të UP-së, kjo ia ka shtuar rëndësinë dhe është çështje e Komisionit”, ka thënë Hamiti.

Më Shumë

Kurti: Sakrifica dhe beteja e banorëve të Lubizhdës së Hasit, pjesë e dhimbshme dhe e lavdishme e historisë së popullit tonë

Në 25 vjetorin e rënies së dëshmorëve e martirëve në Lugishtë të Hasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varrezat...

Zbulohet emri i vajzës së Luizit dhe Kiarës, ja detaji që nuk u shpëtoi fansave

Luizi dhe Kiara do të bëhen prindër për herë të parë. Moderatorja është në ditët e fundit të shtatzanisë, ndërsa ditën e djeshme çifti...

Lajmet e Fundit