7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Po romantizmi ku më shkoi?!

Nga Iva TiçoNëse ka një gjë që unë di ta bëj shumë mirë, është të ulem në divan dhe të shoh me orë të tëra filma. Mirë që nuk lodhem fare, por e bëj kaq mirë këtë punë, sa habitem pse akoma dikujt nuk i ka shkuar ndërmend të më japë rrogë për këtë… Sidomos tani në dimër. Sidomos kur bie shi. Sidomos të dielën.

Ja nis në mëngjes për bukuri. Direkt “Romeo dhe Zhuljeta”. Ia vlen që ditën e pushimit ta fillosh me historinë më të famshme të dashurisë që njeh gjithë bota, i madh dhe i vogël… Tamam tamam nuk e kupton se pse duhet të jetë kështu kjo histori. Se ajo kalamaçkë fare. Ai po ashtu. Prindërit i kundërshtojnë dhe bëhet nami. Ata shkojnë e martohen pa u mbushur 24 orë që njihen (rrezik në atë moshë duhej të ishim martuar të gjithë, ndryshe nisim e mendojmë dhe gjejmë më shumë gjëra kundër sesa pro dhe na lezeton kaq shumë të jetuarit vetëm). Pastaj korrieri që vdes nga malarja apo kolera a një gjë e ngjashme dhe letra që nuk bie në dorën e Romeos dhe pastaj ai kujton se Zhuljeta ka vdekur dhe vret veten, pastaj ajo që zgjohet nga gjumi dhe vret veten dhe ajo… E gjitha për dy-tri ditë lidhje dhe një palo korrier që s’dinte të ruhej nga sëmundjet ngjitëse. Po sikur të kishte vazhduar lidhja më gjatë? Me siguri Romeo do gjente një tjetër që do i dukej më e mirë se Zhuljeta, apo që do e donte më shumë (jo më kot para se të shihte Zhuljetën thoshte se kishte rënë brenda kokë e këmbë me njëfarë Rozali, e di unë që kështu do përfundonte edhe me Zhuljetën, sapo të gjente një të tretë). Ose Zhuljeta do zbulonte se si Romeo i saj ia ngrinte shumë nervat kur kalonte shumë kohë me shokët, se vinte vonë në takim dhe justifikohej “kam punë”. Po sikur ngjarja të zhvillohej e gjitha në ditët e sotme? Pra korrieri të mos hynte fare në këtë punë dhe Zhuljeta t’ia shkruante në whatsapp apo viber Romeos planin për gjasme-vdekjen e saj? Apo prapë ai që do e shkruante historinë do e kishte gjetur një sebep për të thurur tragjedinë? Ja për shembull, mund të thoshte që Romeo s’kishte wireless ose se nuk i punonte roaming-u. E drejtë, prapë filmi do ishte bërë dhe unë sërish do vrisja mendjen: po pse dreqin historia e dy kalamajve, na qenka më e famshmja histori dashurie në botë?!

Por ja që ka dhe të tjera histori dashurie. Ka Hirushe moderne, ose “Pretty Woman”. Nis me një skenë që as vetë s’e di pse nuk e kam vënë re ato një milionë herë që e kam parë filmin: Julia Roberts me një parakrah të mbushur plot me qime… Çudi: nuk ishte shpikur ende depilimi me dyll në fillim të ’90-ës? Apo nejse, kujt i interesojnë këto detaje? Le të merremi me thelbin: princat e kaltër mund të bien në dashuri dhe me vajzat e thjeshta, madje edhe me ato të rrugës. Rëndësi ka bukuria shpirtërore. Edhe dy metrat e gjatësisë dhe buzëqeshja e jashtëzakonshme e Julia Roberts-it. Domethënë po të jesh si ajo, jetën e ke të sigurt: do gjesh gjithmonë dikë që do të të marrë me një makinë sportive, do të shpjerë në një hotel ëndrrash, pastaj do të të japë kartën e kreditit dhe do blesh gjithë rrobat që as ke guxuar t’i ëndërrosh, pastaj do shohësh “Traviatën” që do të të pëlqejë shumë dhe në fund fare, do jetoni të lumtur përgjithmonë. Por nëse je trupmesatare apo e shkurtër, me tipare normale që s’i mbesin askujt ndër mend, do jesh thjesht Kiti, shoqja e ngushtë, që do gëzohesh që Hirushet dhe Princat jetojnë të lumtur përgjithmonë. Dhe në fund të filmit do buzëqeshësh dhe do thuash: “po unë ç‘dreqin kam që e kam parë një milionë herë këtë film dhe vazhdoj e shoh ndonëse ka nisur të më acarojë”?!

Ndoshta është më mirë romantiku “Qyteti i engjëjve”. Meg Ryan s’të zhgënjen kurrë, nuk është e bukura e dheut, as ikona e modës. Është vajza që mund të jetonte ngjitur me ty. Dhe bën të bjerë në dashuri me të, një nga engjëjt e vdekjes… Ai duket dhe zhduket, ajo mjeke, që shpëton jetë dhe lexon Heminguejin. Derisa ai vendos të bjerë në tokë, të heqë dorë nga përjetësia vetëm për të shijuar jetën me të. Ku ka më bukur se kaq! Ku ka gjë më romantike… Edhe vdekja e saj të nesërmen në mëngjes duket gjëja më romantike në botë… Po prit pak? Po ky si do jetojë tani? Nuk ka as pasaportë, as kartë identiteti? Si dreqin do ia bëjë me zyrën e Emigracionit? Se i thonë Amerikë asaj dhe ai s’di të bëjë asnjë punë dhe Megi (dmth personazhi që luan Megin) nuk pati kohë as të linte testament e as të sqaronte autoritetet për këtë banor të ri që ka qenë engjëll…

Ja kaq e pat dhe romantizmi im për sot. Si mund të bëj të tilla arsyetime ndërsa duhet të isha duke u përlotur me të tilla histori dashurie?!

Të jem rritur shumë që kam nisur t’i shoh filmat me këtë sy? Kur bëhesh kaq cinike, a ke më shpresë të rigjesh romantiken?!

Ndoshta e ka fajin thjesht e diela pasdite. Nuk e kanë keq çunat që ia kushtojnë futbollit./Nga Iva Tiço/

Më Shumë

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Lajmet e Fundit