11.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Poezia e sotme erotike shqiptare, një luftë epike

Në ditën e Shën Valentinit në mjediset e UET, me një auditor të ri, disa poetë janë mbledhur në shkakun e poezive “In love”, 101 poezitë e dashurisë të Preç Zogajt; përtej kësaj distance për herë të parë një raport marrëdhëniesh ndërpoetike mes Mimoza Ahmetit, Natasho Lakos, Rita Petros – në esencë të një takimi ku poezia e dashurisë krijoi një mendim si poezia shqiptare reflekton këtë natyrshmëri të ndjenjave, si lirikja jonë vendoset në një betejë epike, si dashuria ashtu dhe erosi

Poezia si një segment ku ndërgjegjja dhe ndjesia nuk presin përgjigje të kohës, por ngutin të reflektojnë drejtpërdrejt origjinën e dëshirave, çfarë është shkak, çfarë është joshje, nxitojnë po ashtu fjalën, krijimin në gjithë trungun e psikës së një poeti. Dhe kur kjo reflekton një trup, natyrshëm një fizik, tjetërsimi në shpirt duket se merr tjetër dimension në secilin poet, ashtu si ndjeshmëria dhe prekja në secilin njeri. Një takim që u bë të mërkurën në mjediset e UET, si një shkak dita e të dashuruarve, ka krijuar nga rastet e pakta, për të mos thënë të rralla ku brezat, dhe mundësitë e reflektuese kanë qenë kaq pranë njerëzores, ashtu si në natyre ku poetët kanë kërkuar të marrin e të japin diçka intime, të pakrahasueshme në marrëdhënien e tyre të largët. Shkaku ishte libri i Preç Zogajt, një nga rekordet e librave me poezi, të koleksionuara në botimet Mapo Editions si më të suksesshmet në vitin që shkoi.

Ku ishte takimi i dytë për këtë botim. “IN love”, me kërkesën simbolike të 101 poezi dashurie, krijoi bisedën e duhur me poetët e ftuar si Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, Rita Petro. Simbioza e kërkimeve poetike mes tyre, në natyrshmëri krejt e pangjashme, në stil dhe mendim. Të gjithë poetë aktivë, me ndikim, sa për poezinë aq dhe prezencën intelektuale të krijuese. Të vendosur në një “betejë” jo të përbashkët, përzierja e tyre duket se gjeti gjuhën e duhur se çfarë e ka shoqëruar lirikën shqiptare, krijimet e dashurisë dhe erosit përveç një çlirimi personal, intim dhe një sinqeriteti të rrallë.

Preç Zogaj: “Është hera e dytë që mblidhemi në të njëjtën sallë, dhe me të njëjtin rreshtim. Duket sikur po e teprojmë të flasim për të njëjtin libër, por më ngushëllon vetëm një fakt se ky nuk është një takim për librin tim, por është shkak, një takim për të folur për poezinë e dashurisë, dhe për të lexuar kushdo poezi dashurie.”
Ja reflektimi, një fragment nga poezia “Përpara se të ndodhë diçka e keqe”:
Kam dashuruar, dhe më duhet të iki
Përpara se të ndodhë diçka e keqe
Nuk janë të miat mendimet që vijnë
Për të më hequr lëmshin nga gryka
Nuk janë të miat këto duar, këto gishta
Nuk është i imi jermi
S’është e imja fantazma
Se nuk kam vdekur
Kam dashuruar, dhe më duhet të iki
Në vende të tjera, në toka të tjera
Në gjuhë të tjera, në mendime të tjera
Përpara se të ndodhë diçka e keqe,
Përpara se të bjerë në gjunjë nana ime
Të lutet pa shpresë për fajin tim, për hallin tim
Për mallin tim, për të fajshmin mallin tim

Natasha Lako, një nga poetet rezistente, shpesh e përfshirë në termat e poezisë feministe, që nisi krijimtarinë mjaft herët, dhe pjesën më ta madhe e ka një strukturë pothuajse reflektuese nga diktatura, në të njëjtën qëndresë edhe pas ’90-ës. Ajo vendos këtë sintezë mbi krijuesin dhe ndjeshmërinë e tij në kushtet shqiptare, si vjen liria, dashuria:

“E vetmja gjë që nuk ka lidhje me bollëkun në këtë botë është dashuria. Fjala bollëk dhe dashuri nuk kanë fare lidhje me njëra tjetrën. Kështu që pikërisht, kjo gjë e bën të rrallë dhe poezinë e Preç Zogajt. Poezia e tij është shumë e bukur, bashkë me shifrën 101 poezi. Preçi ka një krijimtari të gjatë dhe për letërsinë shqipe është një gjë e rrallë gjithashtu. Unë në një ese timen për poezinë e dashurisë, harkun më të madh të triumfit shqiptar, quaj poezinë e dashurisë shqipe, për kushtet shqiptare. Sepse sa më shumë i shtypur të jetë njeriu aq më shumë i këndon edhe dashurisë, dhe në kushtet shqiptare dashuria është liri. Në mes të krizave të mëdha, një poet i sotëm amerikan Collins, laureat i fundit i poezisë amerikane, kur bën një analizë të poezisë sotme amerikane thotë se, pothuaj nuk ka poezi dashurie. Jo se nuk ekziston dashuria por kështu është, ata ndoshta kanë problemet e tyre, e kanë kaluar siç thuhet fazën e romantizmit dhe përkushtimit të madh. Bodleri te Lulet e së keqes ka vetëm katër poezi dashurie. Unë vetë nuk i kam numëruar, por nuk ia kam kaluar dot Preçit, megjithëse kam një krijimtari të gjatë. Ndoshta janë diku te 99 poezi dashurie. Me thënë të drejtën shoqëria jonë është shumë maskiliste. Janë mazocistë dhe në poezinë e dashurisë, madje edhe vetë gratë poete shqiptare ju pëlqen në poezi mazocizmi. Poezia e sotme erotike shqiptare, që është shumë e bukur, që nga koha e kupave, dhe e çupave që pijnë njëri tjetrit është një luftë epike. Duket sikur është poezi lirike, por është epike. Në betejat e Omerit kemi epikën më të madhe të botës, ashtu si edhe në dashuri ka beteja të mëdha. S’do të thotë se poezia e dashurisë është erotike. I uroj ata poetë, ku nuk bëj pjesë unë, se nuk jemi aq erotikë, që bëjnë këto beteja epike brenda poezisë”.
Lako sjell një poezi, jo aq melankolike, një fragment nga poezia e saj erotike, “Këmbët”:
Të papëfillshme ishin këmbët
Brenda çorapeve të gjata
Nuk kishin bërë ndonjë betejë
Për to, pothuaj nuk flitej më
Sepse mendimet fillojnë më lart,
Megjithëse çohen më përpara
Unë, nuk kisha ngurrim të mendoja
Për këmbët e zhveshura që, kur futen në shtrat
Ndahen nga të gjithë pyjet e gjelbëruar
Dhe gjethet që bien një nga një
Mimoza Ahmeti

Për Mimoza Ahmetin “origjina e poezisë është origjina e dëshirës, por edhe ajo e hapësirës, që ka ligjet e veta, kozmike, sociale, individuale. Eshtë një informacion që na përdor duke na bërë të çuditshëm, të paparashikueshëm, gjuhë transformues, të bukur, rebele, të shtruar, madhështorë, pikërisht në kundërshtim me të zakonshmen që kemi ndërtuar e pranuar. Poezia na jep fluturim” – E thënë kjo në një intervistë për gazetën “Mapo”, Ahmeti ka krijuar jo vetëm diferencën e pangjashme të poezisë në shqip, por mbi një estetikë krejtësisht vetjake, ajo krijon edhe botën e tjetrit, si poezi.

“Poezia e Preçit është dhe mbetet gjithmonë sensibile, veçanërisht në relacion me egon e vet, të cilën ai tashmë e ka ndërtuar, në formë shkrimi. Ai ka një sy, shikim, një përqasje, një prekje, një mbetjehatri, një trashendim, një shije tërësisht të vetën. Dhe poezia është gjëja më e bukur që ai ka”. Ndërsa duke ndjekur vazhdimësinë e siluetës së lirikës shqiptare, mbi çfarë reflektoi Natasha Lako, Ahmeti shprehet: Ndërsa për poezinë e saj, Natasha tha diçka se ka poezi heroike, lirike unë besoj se i kam provuar të dyja, dhe më pëlqen kjo gjë sepse dimensioni është i pamundur të mos përzihet me epiken, ose heroiken, sot për sot, pasi konflikti është akoma evident”. Në takimin e poezive të dashurisë, Ahmeti nuk ka zgjedhur nga “graundi i besimeve të saj” siç quan librin e botuar vjet nga Mapo Editions, “Libri i lumturisë”, por na njeh me dy poezi që nuk kanë qenë asnjëherë të botuara; njëra e vitit 1983 që titullohet “Kohë”, kurse e fundit e papërpunuar, e vitit të kaluar, e kësaj faze e titulluar “Askushi”. Ne, ndalim vetëm në një fragment të ’83, “Kohë”:
Kohë pa të parë,
Kohë pa më parë
Sonte ndjej frikë
Pasiguri në këtë dhomë
Më duket sikur diku këtu,
Këtu në të pacaktuarën i ndrituri im
Këtu në të gjitha drejtimet je pluhuri i gjallë
Që më derdhet pas supeve
Më bie nga buzët, qerpikët flokët
Shumë të kam dashur, kaq shumë më ke dashur
Sa s’mjaftojnë muajt as jetë,
S’mjaftojnë të ç’dashurojmë
Atë që dashurojmë

Për ta ç’komplekuar vendosjen e tij mes poeteve, e sidomos të dashurisë, Preç Zogaj do shprehej: “Koha shënon rrathët e vet, moshën e gjithsecilit prej nesh. Ne jemi në një udhëtim të gjatë, dhe shumë prej të pranishmëve këtu si Natasha Lako, Moza Ahmeti, më vjen mirë që në këtë rrotullim bashkë me globin, vazhdojmë udhëtimin bashkë me ne, dy nga poeteshat më të mira që ka Shqipëria. Sot është edhe Rita Petro që erdhi me një lloj poezie tjetër, më vonë, por edhe poetë të tjerë. Libri i Mozës, që ka botuar vjet, pavarësisht se ajo pretendon të shkallmojë atë parahistorinë e saj poetike, siç e ka zakon, por në këtë rast i shton asaj që ka bërë. Unë dua t’ju them poetëve që mungojnë se i përfaqësoj në këtë takim sot. Ka poetë po aq të mirë, sa zonjat”.

Dhe në këtë udhëtim më të vonë, por mjaft të zhurmshme, për poezinë e saj erotike, Rita Petro thotë: “Unë kam zgjedhur të lexoj nga libri famëkeq, tashmë e dijnë të gjithë “Vrima”, por doja t’ju thoja, meqë jemi në këtë auditor, asnjëherë nuk jam ulur që të shkruaj vargje duke menduar se çfarë do shkruaj. Dashuria është një adrenalinë që e kemi brenda vetes sonë, gjithmonë është një shkak që të lind. Është një adrenalinë që e bën poetin të shkruajë. Është një adrenalinë që çdo artist, aktorin, piktorin të krijojë më të mirën e vet, është ai erosi që krijoi botën, që në fund të fundit edhe në mitologji e kemi që doli nga ai “honi i zi”, nga ajo vrima e zezë, u krijuan të gjitha trupat qiellorë që lidhen nga një forcë tërheqëse, ne qendrojmë nëpërmjet forcës së rëndesës, dhe është ky eros si filozofi që përshkruan poezinë, artin dhe përshkruan edhe vetë shkencën sa e bëri Anjshtanjin të thotë: po të mos jesh poet nuk do të arrija dot të zbuloja. Dhe dua t’ju them me sinqeritetin më të madh se ajo çfarë shkruaj më lind në kokën time, dhe mund të thonë çfarë të duan, ta quajnë poezi erotike, vulgare…por ajo që na lind në shpirt duhet ta nxjerrim se s’bën.

Vetëm gjërat origjinale janë disa pika që përbëjnë origjinalitetin e atij që shkruan. Unë pëlqej shumë poetë shqiptarë, gjithmonë si ato të rilindasve tanë, edhe më tej, vazhduam me trekëndëshin Fatos Arapi, Kadare dhe Agolli, është brezi i Xhevahir Spahiut i Preçit, që sollën frymën e re dhe nuk kopjoi atë trekëndësh, janë vargjet e Natasha Lakos që godasin të gjitha në kokë, dhe na krijojnë ndjesinë e brendshme. Pastaj avangardën e poezisë së Mozës, dhe thoja si nuk kam guximin e saj të shkruaj. Por si duket të gjitha këto mblidhen brenda teje, dhe vjen një moment që ti shpërthen, që në fillim i mban si vargje sirtari, e më pas thua jo, nuk janë më. Ato janë poezi origjinale, krijon vargjet e tua. Këtë kam bërë. Ndaj unë e quaj sot, festën e dashurisë së ndaluar.”
Disa vargje nga Rita Petro në: Zonë e ndaluar, zonë e dashurisë
Dhe çfarë bëre pastaj
E kapërceve gardhin
Ç’pyetje koti
Dhe tela me korent po të ishin
Do t’i kapërceja
I lejoj gjembat të më ngulen në trup më shijon ajo dhimbje
Gjaku që buçet prej tyre
Tash jam në zonën e ndaluar të dashurisë
Krah për krah shkoj me të dashurin
Duke shkelur lehtas barin e butë
Kujdesemi mos shtypim asnjë miligonë
Apo kërmill me guaskën në shpinë
Kryqëzohemi në lëndinë mbi njëri tjetrin
Rrimë ashtu gjatë
Njëri me sytë nga qielli, e tjetri me sytë nga bari
Dhe pastaj i ndërrojmë pozicionet
Një re e bardhë rrëshqet në qiellin ekaltër
Një nusepashkë kërcen mbi fijet e larta të barit
Kur vjen nata, hëna na derdh mbi trupat lakuriq dritë…

/Mapo.al

Më Shumë

Intervenohet për ndalimin e rrjedhjes së ujit në lokacionin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit

Një problem i vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit ka shqetësuar autoritetet që nga fundi i...

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Lajmet e Fundit