2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Prizren: Lundrimi unik artistik me Autostrada Biennale

Në vazhdën e organizimeve “T’i këndojmë lumit”, në kuadër të Autostrada Biennale, shtrati i lumit të shtunën u kthye në një skenë alternative për koncert të muzikës klasike. Koncerti nën qiellin e hapur u mbajt në Autostrada Biennale Meeting Point, pikë takimi për vizitorët në edicionin e dytë të bienales, një hapësirë kreative në ishujt e gjelbër të lumit.

Në një lundrim unik artistik, në performim të pianistit prizrenas Malik Halç, tingujt e pianos u gërshëtuan me gurgullimën e Lumbardhit. Nën dritën e hënës së plotë, përqafuar nga flladi i Marashit, publiku dëgjoi dhe ndjeu se si muzika prekë lumin, në serinë e aktiviteteve “T’i këndojmë lumit”.

“Është një natë magjike” tha shkurtazi në përmbyllje të koncertit Malik Halçe, i diplomuar në konservatorin shtetëror pranë arteve të bukura “Mimar Sinan” në Stamboll.

Fotografia e Autostrada Biennale

“T’i këndojmë lumit” (Singing to the river) është menduar si metaforë dhe fillim i një koncepti që shkruan historinë e bashkimit të njerëzve nga profile, melodi dhe tinguj të ndryshëm të instrumenteve muzikore, mbi ura dhe pranë rrjedhës së lumit.

Vatra Abrashi, nga Autostrada Biennale, u shpreh e lumtur që ky koncert dëshmoi sërish që Autostrada Biennale vazhdon të jetë një udhëtim që i bashkon njerëzit, e që me ndjeshmëri të theksuar për trashëgiminë e përkryer kulturore të Prizrenit, i bën qytetarët edhe më të hapur ndaj artit nëpërmjet veprave unike artistike.

Fotografia e Autostrada Biennale

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, vazhdon rrugëtimin artistik me edicionin e dytë me temën “Revolucioni Jemi Ne” (La Rivoluzione Siamo Noi), me organizim të ngjarjeve të ndryshme në kuadër të artit bashkëkohor duke promovuar hapësira dhe ndërtesa që kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe kujtesës kolektive.

Ekspozita e sivjetme e kuruar nga kuratori i njohur italian Giacinto Di Pietrantonio është hapur me 21 korrik dhe do të vazhdojë deri më 21 shtator. /PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Kosova përfiton 90 milionë euro nga Banka Botërore

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe zëvendëspresidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, kanë nënshkruar marrëveshje për financimin e politikave...

Pse e sulmoi Irani Izraelin?

Ben Blushi Sulmi i Iranit kundër Izraelit do të mbahet mend si një ngjarje në të cilën ai që sulmon ka më shumë frikë se...

Lajmet e Fundit