8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prizren: Xharrahët e kohës sonë

Prizreni tashmë njihet si një qytet që ka ruajtur tradita dhe shumë zeje të vjetra. Në këtë qytet para disa dekadash çarshia ishte përplot me dyqane të pronarëve të ndryshëm, që merreshin me veprimtarinë e zejtarisë, zanateve të ndryshme, siç janë rrobaqepësit, samarxhinjtë, berberët, tirqexhinjtë, kujunxhinjtë, këpucëtarët, farkëtarët, lustrim këpucësh, e disa zeje të tjera që, thuajse, një pjesë e tyre janë shuar krejtësisht. E njëjta situatë është edhe me zejen e berberëve klasikë, ku dita- ditës po shuhet, sepse vetëm në qytet kanë ngelur dy familje që ende, pos qethjes së flokëve dhe rruajtjes, ata kryejnë edhe ritin e synetisë.

Shumë familje me dëshirë i thërrasin

Kështu, “Kosova Sot” ka hulumtuar dhe ka hasur në familjen Shishko, ku këto dy zeje bashkë, të berberit dhe të xharrahut, pra personit që kryen ritin e synetisë e kanë quajtur ndryshe xharrah. Ne ishim në familjen Shishko, ku tashmë plaku Zylfikar Shishko ende kryen këtë rit, por tash këtë rit e ka trashëguar edhe i biri, Vesel Shishko, tani 50- vjeçar. Ai me këtë rast tregon se në Prizren, edhe pse këtë rit ose operim e kryejnë me mjete të operatorëve, ka plot familje që me shumë dëshirë e bëjnë me ata, sepse mendojnë se kjo formë klasike e të bërit synet është më e mirë dhe më kualitative.

Por, ka edhe shumë të tjerë që tash këtë rit e bëjnë me mjekë dhe pa ndonjë ritual dasmor. Derisa ai flet për gazetën, tregon se “dikur ne merrnim për syneti melhemin e zi, që e kishim marrë si ilaç në Turqi, kurse dikur moti në familje tonë e kanë bërë këtë melhem mrekullibërës për raste të synetisë”, thotë Shishko dhe shton se ata e merrnin të brendshmen e “pocërkës”, një lloj bime në forme hinke, që dikur shërbente për të marrë ujin e për t’u larë me të. “Brendia e asaj merrej dhe zihej me tëlyen buallice, e pastaj i vendosej edhe një lloj pluhuri i kërpudhave që ka pasur emra të ndryshëm në natyrë, që ka pasur një pluhur shërues.

Me këto bëhej shërimi, andaj ka pasur dhe po ka raste kur fëmija është ngritur në këmbë për 6 orë. Kurse në raste të tjera shërimi ka zgjatur dy- tri ditë, por shërimi i plotë deri në një javë. Kjo është varur nga lëkura. Prizrenasit ende tregojnë shumë interesim për këtë rit të synetisë. Ne do të mundohemi që këtë rit ta vazhdojmë edhe më gjatë, por kjo varet shumë nga vetë interesimi i njerëzve. Ajo si zeje është trashëguese, për shkak të dorës së lehtë”, tregon Shishko për gazetën “Kosova Sot”.

Interesim për zanatin e frizerit

Por, sa u takon berberëve dhe frizerëve, situata qëndron pak më ndryshe .Shumë të rinj, të cilët planifikojnë të migrojnë nëpër shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA, e mësojnë këtë zanat. Dhjetëra të rinj, të cilët kanë mësuar profesionin e berberit dhe frizerit në Prizren, sot janë frizerë të suksesshëm në SHBA dhe në Evropë. Por, ata nuk e praktikojnë më ritin e synetisë, sepse atje në Perëndim këtë e kryen mjeku, sikurse tash që edhe në Kosovë e kryejnë operatorët mjekët. Nga çarshia e njohur e Prizrenit, e cila deri para Luftës së Parë Botërore ka pasur mbi 600 dyqane dhe zejtarë me emër, sot ka një hije të vogël. Jeta moderne, industrializimi, por edhe migracioni, e kanë bërë punën e vet.

Zejtarët, të cilët kanë mbijetuar e të cilët mund të numërohen me gishta, duhet të kenë një tretman pak më ndryshe, thonë prizrenasit, me qëllim që të rruhet pak a shumë epiteti i zanatçinjve në Prizren. Kurse berber apo frizer i kohës është Elo Shatri, i cili tregon se në sezonin e verës ka shumë punë, sidomos kur kthehen të rinjtë e diasporës vijnë tek lokali i Elo Shatrit, për t’u qethur e për t’u rruar. “Unë jam berber i kohës. Kam dëgjuar edhe për ata berberë që njëherësh e kanë kryer edhe ritin e synetisë, por unë këtë gjë nuk e kam mbërritur. Unë jam frizer i kohës”, tha Shatri për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Lajmet e Fundit