6.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Prosedeu kadarean i çmitizimit

Arben Veselaj 

(Një lexim ndryshe i librit “Tri këngë zie për Kosovën”)

Tema e Kosovës në letërsinë e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, ka zënë vend qysh në librat e hershëm të këtij autori. Kosova është trajtuar sa në prozën e tij letrare, po aq dhe në poezi, por më së shumti në librat eseistikë dhe publicistikë.

Vlen të përmendet këtu novela “Krushqit janë të ngrirë”, e botuar pas demonstratave të studentëve kosovarë në vitin 1981, pastaj tregimi “Baladë për vdekjen e J. G”, i cili flet për vrasjen e shkrimtarit dhe gazetarit kosovar në Gjermani, Jusuf Gërvalla, në vitin 1982, poezitë shumë të njohura si: “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushë të Kosovës më 1389”, “Atje larg në veri”, “Kosova”, “Terrori në Kosovë” etj. Ndërkaq nga librat eseistikë dhe publicistikë që trajtojnë çështjen e Kosovës (historinë dhe mitin, politikën dhe luftën etj.), veçohen: ditari për Kosovën “Ra ky mort e u pamë” (1999), “Bisedë përmes hekurash”, (1999) – seria e letrave të shkëmbyera mes Kadaresë dhe Ukshin Hotit, në vitet kur ky i fundit mbahej në burg nga shteti serb, pastaj eseja “Shqiptarët në mijëvjeçarin e tretë”, si dhe shumë shkrime, letra dhe intervista të ndryshme etj.

Por, një libër i vogël për nga faqet e i madh për nga vlera (i cili nuk është se është trajtuar aq shumë nga ana e studiuesve dhe e shtypit), “Tri këngë zie për Kosovën”, shpalos më së miri prosedeun kadarean të çmitizimit të miteve përmes letërsisë. Siç dihet, letërsia e Kadaresë, në pjesën dërmuese të saj, subjektivizon tema të mëdha letrare, në mesin e tyre edhe tema e çmitizimit të historisë. Zhvillimet historike që kanë konotacione politike me të tashmen, në disa prej veprave të tij dalin të zhveshura nga të gjitha paragjykimet nacionale, ideologjike dhe të tjera.

Ky libër (dhe libra të tjerë si ky), nuk “promovon” vlera historie të asnjë kombi, bile as ato të kombit të tij shqiptar. Pas leximit të këtij libri vet titull “Tri këngë zie për Kosovën”, na del të jetë një “mashtrim optik”. Këtu nuk vajtohet Kosova e pushtuar dhe e persekutuar nga serbët, por përshkruhet saktësisht koha kur lindi miti për Kosovën. Me këtë vepër Kadareja nuk na jep as baladën e as elegjinë për Kosovën. Përkundrazi, ai na jep të kuptojmë se popujt ballkanas u detyrohen fatkeqësive dhe luftërave të vazhdueshme pasi që ata kanë më shumë se 6 shekuj qëkur vazhdojnë të jenë viktimë e miteve të rreme, apo siç i koncepton ai në këtë vepër – këngëve që ndjellin zinë dhe kobin. Thënë më troç ky libër i Kadaresë është një përpjekje për ta rrëfyer sagën e humbjes së fisnikërisë evropiane të Ballkanit dhe katandisjen në një barbari të pafund që e sollën osmanët.

Ky libër, ashtu si dhe shumë të tjerë të Kadaresë, nuk mund të klasifikohet me saktësi se cilës gjini i takon. Dikush e ka quajtur roman i vogël trepjesësh, dikush libër novelash, dikush tregim parabolik, dikush tjetër përmbledhje me tregime etj. Vet autori, duke rrëmuar thellë në misteret dhe honet e historisë dhe të miteve, tregimet i ka quajtur këngë – këngë zie. Por, sidoqoftë, tregimet që e përbëjnë këtë libër “Lufta e vjetër”, “Zonja e madhe” dhe “Lutje mbretërore”, trajtojnë luftën e zhvilluar në Fushë të Kosovës më 1389 në mes të ballkanasve të krishterë dhe ushtrisë së Perandorisë Otomane që kishte nisur pushtimin e Evropës. Tregimi i parë “Lufta e vjetër” bënë fjalë për përgatitjet që dy palët – në njërën anë otomanët pushtues dhe, në anën tjetër, mbrojtësit ballkanas – i bëjnë para se të ndeshen në një betejë të përgjakshme në ditën e 28 qershorit të vitit 1389. Tregimi sjell ankthin e një lufte të pashmangshme, ndjenjën për humbjen e pashmangshme në betejë, si dhe vdekjen e pashmangshme që vjen në fund (duke përfshirë këtu, siç thotë vetë autori “dy vdekjet e mëdha” – të princit serb, Llazarit dhe sulltanit osman, Muradit). Këtu ndihet ankthi mesjetar i parabetejës, frika të cilën mezi e fshehin princërit ballkanas dhe, padyshim, e pashmangshmja “kapardisja ballkanase”.

Tregimi i dytë “Zonja e madhe”, i cili mund të konsiderohet më i realizuari brenda këtij libri, flet për krejt atë që (mund të) ndodhë pas një beteje ku kanë lënë kokat dy mbretër, pas përgjakjes dhe pas humbjes së madhe. “Zonja e madhe”, që ka kuptimin metaforik për Evropën, është, po ashtu, sinonim i vendit të ikjes nga lufta, i mërgimit, i arratisjes etj. Rrëfimi për rapsodët, që zë vendin pothuajse qendror të këtij tregimi, na jep një pasqyrë reale të mendësisë së ballkanasve: fiksimit të tyre për ta kthyer për vete historinë (për ta krijuar për vete eposin dhe mitin), paçka nëse ajo sajohet edhe mbi fakte të paqena. Përshkrimi se si tërhiqen rapsodët (lahutarët shqiptarë dhe gusllarët serbë e vllehë etj.) mbi një kodër, prej nga ku e vështrojnë plojën e përgjakshme të Fushës së Kosovës, na jep kryeveprën letrare të asaj që përbën prosedeun kadarean të çmitizimit të miteve. Kadareja, si asnjë autor tjetër, këtu na jep tablonë e saktë mbi zanafillën e mitit për Kosovën – atë çastin fillestar kur lahutarët shqiptarë dhe gusllarët serbë stisin historina trimërie dhe heroizmi për luftën e Kosovës, ashtu siç u shkon për shtati zotëve (padronëve) të tyre. Tregim i tretë (i fundit) i këtij libri “Lutje mbretërore”, që është një monolog i sulltanit turk, Muradit, është nga tekstet më të fuqishme që ka shkruar ndonjëherë Ismail Kadare.

Ky monolog mbase e përshkruan përmasën më reale dhe më të saktë të fatkeqësive ballkanike. Sulltan Muradi, nga varri i tij i madh (shih ironinë: ai varr i madh është krejtësisht bosh!) në Fushë të Kosovës, paralajmëron luftëra të reja, fatkeqësi të reja mbi Ballkan. “Allah, u lodha gjashtëqind e ca vjet, mbret i vetëm midis gjithëkahnajës së krishterë. Nganjëherë, në orët më të rënda më sillet dyshimi se mos gjaku im është zanafillë e këtij tmerri.

Zot, bëj që ta heqin gjakun tim nga kjo fushë e ftoftë. Bëje o Zot, shkule krejt baltën përreth sepse mjaftojnë vetëm ca pika gjaku për ta ndryrë brenda gjithë kujtesën e botës”. Libri “Tri këngë zie për Kosovën” është shkruar pikërisht në kohën e luftës së fundit më 1998-1999, e, ndërkaq, pikërisht në këtë kohë Kadareja e kishte shkruar dhe një tjetër libër – ditarin “Ra ky mort e u pamë”, përmes të cilit ai, natyrisht, merrte anën e shqiptarëve duke iu kundërvënë ashpër agresionit serb mbi Kosovën. Pra, në rastin e parë kemi një prozë letrare (“Tri këngë zie për Kosovën”) ku autori nuk mban anën e asnjërës palë, kurse në rastin e dytë – në veprën publicistike “Ra ky mor e u pamë”, ai hapur del kundër serbëve. I vetëdijshëm se shkrimtarët me veprat e tyre fiksionale shpeshherë mund të bien në kurthet e moskuptimit, ashtu si edhe në disa vepra të tjera, edhe tek “Tri këngë zie për Kosovën”, Kadareja, si një mjeshtër i madh, na jep të dekoduara figurat historike./Koha Ditore/

 

Më Shumë

Nesër sërish mbyllet për qarkullim për 7 orë rruga Prizren – Prevallë, intervenim i radhës për minimin e një shkëmbi

Kompania “Eskavatori”, e cila është duke kryer punimet në projektin e rekonstruimit të rrugës Prizren-Prevallë, njofton se  edhe ditën e nesërme (15.03.2024) nga ora...

Foshnja lind me bisht prej dhjetë centimetrave – çfarë thonë mjekët rreth këtij fenomeni në Kinë

Një rast i rrallë është regjistruar në Kinë dhe në internet është shfaqur një video e një foshnje me bisht prej dhjetë centimetrave. Nëna ka...

Lajmet e Fundit