10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Rektori Baraliu lë Universitetin e Prizrenit, vazhdon në Prishtinë

MazllumBaraliuRektori i Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti” (UPZ) , Prof. Dr. Mazllum Baraliu ka përzgjedhur të vazhdoj si profesor në Universitetin e Prishtinës, dhe se nga 1 nëntori më nuk do të jetë në krye të universitetit të dytë publik në vend, të cilit i priu për dy vite.

Lajmin për “Zërin” e konfirmoi vetë rektori Baraliu, i cili sqaroi se kjo assesi nuk duhet kuptuar si një dorëheqje e tij nga posti i deritashëm, pasi siç dukej edhe nga biseda ai kishte dëshirë të vazhdonte edhe për një kohë në UPZ, duke thënë se akoma kishte disa punë për të rregulluar, në të mirën e institucionit më të lartë arsimor në qendrën më të madhe të vendit, pas Prishtinës.

Një vendim të tillë rektori i UPZ-së e ka marrë pas kërkesës së bordit të UP, që u kërkon të punësuarve në universitet të përcaktohen rreth vendit të tyre të punës, duke shmangur mbajtjen e deritashme të dy pozitave njëkohësisht. Sipas rektoratit, pasi paraprakisht janë paralajmëruar të gjithë profesorët, atyre u është dhënë afat deri më 20 tetor për të hequr dorë nga vendi i dytë i punës.

Por, rektori Baraliu mohon që në rastin e tij të ketë pasur diçka kontestuese, ndërsa këtë ia tregon se ia ka thënë edhe autoriteteve më të larta në MASHT, përfshirë edhe vetë ministrin Buja.

“Vendi im i punës si rektor në UPZ ka qenë post publik e jo politik, dhe se nuk kam pasur kontratë, por vetëm një vendim nga Ministri i MASHT, prandaj edhe kam sqaruar se këtu nuk ka pasur asgjë kontestuese”, tha Baraliu për Zërin.

Duke ju referuar rregulloreve në fuqi, ai tha se një profesor ka të drejtë të mbajë një normë të plotë dhe një gjysmë tjetër.

Në tetor të vitit 2011, Baraliu është emëruar në pozitën e rektorit të UPZ-së, nga ministri i Arsimit Ramë Buja, bazuar në një vendim të bordit të UPZ-së, në mesin e tre kandidatëve të propozuar për rektor.

Në këtë post profesori Baraliu erdhi nga mësimdhënësi i lëndës “E drejta biznesore në Fakultetin Ekonomik të UP-së”.

Ndër sukseset e deritashme të UPZ-së, Baraliu përmendi punën e bërë për ngritjen e cilësisë në fazën fillestare të këtij institucion, përfshirë këtu edhe ndihmën e strukturave udhëheqëse lokale e qendrore, duke shtuar se rezultatet janë të dukshme, ndërsa për këtë dëshmojnë edhe mbi 30 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, të cilat janë bërë me vende të tjera, përfshirë këtu Indinë, Turqinë dhe vende të tjera.

Në fillim të këtij viti akademik, në mjedise të Universitetit publik “Ukshin Hoti” në Prizren, në një ceremoni në të cilën morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të MASHT-it, diplomoi gjenerata e parë e studentëve pranë këtij institucioni.

Baraliu është resktori i dytë, ndërsa në këtë post trashëgoi rektorin e parë, atë ndërkombëtar të Universitetit të Prizrenit, gjermanin Roland Munch i cili në fund të korrikut të vitit 2011 dy muaj para përfundimit të kontratës pat dhënë dorëheqje nga drejtimi i këtij institucioni, me arsyetimin që këtë e kishte ndërmarrë ishte qëndrimi i tij kundër kopjimit të Universitetit të Prishtinës dhe mos pajtimi për ndryshimet që kanë pësuar në Statutin e Universitetit të Prizrenit.

Mbështetur në deklarimet e zyrtarëve përkatës Universiteti publik “Ukshin Hoti”, tashmë ka rreth 8 mijë studentë, për dallim nga 500 sosh që pati në start të punës, më 2010.

Më Shumë

Lajmet e Fundit