5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Restaurohet konaku i At Gjeçovit në Zym

Restaurohet konaku, shtëpia muze e famullisë së Zymit të Hasit, në të cilën ka jetuar dhe ka vepruar atdhetari At Shtjefën Gjeçovi, që deri në vrasjen e tij më 1929 mblodhi shënimet “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.

Projekti për restaurimin e shtëpisë muze është planifikuar që të ketë bibliotekë, hapësirë ekspozuese për eksponate të trashëguara nga familje Shtjefën Gjeçovi.

Kështu ka vendosur Këshilli i drejtorëve i Komunës së Prizrenit, që për këtë qëllim ka ndarë një shumë prej rreth 30 mijë euro.

Drejtori për Turizëm dhe Zhvillim ekonomik (DTZHE) në Prizren, Mensur Bytyçi tha se nisma për rindërtimin e konakut është iniciuar me kërkesë të komunitetit dhe të Famullisë së Zymit që si pikë turistikë të rindërtohet shtëpia muze e famullisë së Zymit ku edhe ka vepruar At Gjeçovi.

“Realizimi i këtij projekti do të ndikojë te vizitorët të cilët me numër më të madh dhe të organizuar vijnë për vizitë në Prizren, por njëkohësisht kërkojnë ta vizitojnë edhe Zymin, si një pikë turistike atraktive me pretekst të zhvillimit të turizmit rural dhe fetar”, ka thënë Bytyçi.

DTZHE ka hartuar projektin e rindërtimit të kësaj shtëpie muze ku është planifikuar si funksionon biblioteka e pasuruar me libra të ndryshëm, hapësira e brendshme për ekspozimin e eksponateve të vjetra të trashëguara nga kjo familje e madhe atdhetare, si dhe punime artizanale të trevës së Hasit, e në veçanti të fshatit Zym.

Nga projekti synohet zhvillimi i turizmit rural në zonën e Hasit, si dhe zhvillimi i ekonomisë në këtë zonë.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi u lind në Janjevë më 1874. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, kurse më 1888 hyri në urdhrin françeskan në Kuvendin e Fojnicës (Bosnje). Shërbeu si famullitar në Pejë, Rubrikg, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, Durrës, Vlorë, Shkodër, Zym, etj. Ishte edhe mësues i gjuhës shqipe në Borgo Rizzo të Zarës.

Gjeçovi u vra nga një atentat në afërsi të fshatit Zym, më 14 tetor 1929 nga xhandarët jugosllavë.

Veç famullitar dhe mësues, Gjeçovi ishte edhe studiues i palodhshëm i çështjeve të ndryshme shkencore. Mblidhte dhe studionte materiale etnografie, historike, gjuhësore e arkeologjike. Botoi me emër të plotë ose me pseudonimet Lkeni i Hasit e Komnen edhe Kanina, shumë shkrime nëpër të përkohshmet e ndryshme si te “Albania”, “Hylli i Dritës”, “Populli”, “Brezi i ri”, etj.

Fusha më e gjerë e veprimtarisë së Gjeçovit qe ajo e shkencave albanologjike. Në këtë fushë ai u dallua si historian dhe si arkeolog e etnograf i parë shqiptar.

Mbledhjen e materialit për veprën më të madhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e kishte filluar në vitin 1898 dhe kishte vazhduar deri në vrasjen e tij më 1929. Gjeçovi i la veprat e tij të mbledhura, të sistemuara dhe të pabotuara. Vetëm “Kanuni i Lekë Dukagjinit” u botua në Shkodër, pas vdekjes në vitin 1933. Kjo vepër e bëri atë të pavdekshëm, pasi përmbledhja përmbante rregullat e së drejtës zakonore dhe dokeve të popullit.

Në kujtim të veprës së tij, në vitin 1968 shkolla fillore e Zymit është pagëzuar me emrin e tij, ndërsa më 1971 në Zym të Hasit u formua edhe Klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi”, ndërsa prej atëherë në muajin tetor mbahet edhe manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”.

Me iniciativën e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe organeve kompetente të fshatit Zym, në vitet 1960-ta është ndërtuar kapela e At Shtjefën Gjeçovit në varrezat e fshatit. Kapela ka planimetri drejtkëndëshe me dimensione të vogla. Në pjesën veriore gjendet absida me bazë gjysmë rrethore. Hyrja në kapellë realizohet nëpërmjet derës nga druri, i punuar me hapje gjysmërrethore, kah ana jugore, shkruan në Databazën e Trashëgimisë Kulturore. Në fasadën jugore gjendet guri i gdhendur në formë të kryqit latin, dhe mbishkrimi i punuar në metal, ku shkruan viti i lindjes dhe i vdekjes së At Shtjefën Gjeçovit. Kulmi është dyujor respektivisht treujor nëse marrim parasysh edhe pjesën e absidës, dhe është i mbuluar me rrasa guri./Zëri/

Më Shumë

Arratisen me pushime Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez!

Si një nga yjet më të mëdhenj të sportit në botë, Cristiano Ronaldo ka fuqinë të kthejë kokën kudo që shkon (përveç Shteteve të...

143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës. Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare...

Lajmet e Fundit