8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Rifat Kukaj në Shqipëri u interesua për armët

Rifat KukajKa vazhduar publikimi i relacionit të Odhise Grillos dhe Hamit Boriçit, që kishin survejuar delegacionin e shkrimtarëve nga Kosova gjatë vizitës në Shqiopëri më 1973.

Gjatë udhëtimit në Shqipëri nga 13-25 nëntor 1973, pesë shkrimtarët kosovarë Vehbi Kikaj, njëkohësisht përgjegjës i grupit, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva ishin vëzhguar deri në imtësi. Ata s’mund të konsideroheshin vizitorë të thjeshtë. Në çdo rrethanë duheshin survejuar, për të kuptuar nëse fshihej pas udhëtimit të tyre ndonjë nuancë për të ushtruar agjenturë. Shoqëruesit e shkrimtarëve Odhise Grillo dhe Hamit Boriçi, kanë vërtetuar në relacionin e tyre, se gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipërisë, shkrimtarët miq kishin ngritur mjaft dyshime, dhe kjo në shumë raste. Ndërsa analizojnë seicilin prej tyre, Grillo dhe Boriçi, veçojnë biseda ose pyetje që dëshmonin natyrën e dyshimtë të tyre. Në këtë pjesë të dytë të relacionit trajtohet rasti i shkrimtarëve Rifat Kukaj dhe Agim Deva.

Ndërsa i pari kishte pyetur disa herë për armët dhe se se ku mbaheshin kolegu i tyre i kishte thënë se raketat fshiheshin në tunele. Ndërsa për Agim Devën raportonin se interesohej për dallimet mes veshjeve të oficerëve, ushtarëve, policëve etj. Po ashtu me shyshim kanë parë qëndrimin e tij ditën e fundit të udhëtimit, kur Deva sipas tyre ishte shtirur si i sëmurë dhe më pas kishte dalë nëpër dyqane, apo rastin kur ishte takuar për më shumë se një orë me përfaqësuesin e shoqërisë së aviacionit jugosllav JAT…
Rifat Kukaj. Redaktor në Radio-Prishtina për emisionin e fëmijëve. Së shpejti mund të kalojë redaktor në entin gazetar-botues “Rilindja”. Vjen për herë të parë në vendin tonë. Është inteligjent, më i zgjuari në tërë grupin, njeri i përmbajtur, pa impulse, qesh me ironi dhe flet me thumba.

Qysh kur erdhi deri sa u largua për të kishte dy tema: femrat dhe pija. Sipas tij këto biseda i hapte, pasi nuk dëshironte të bisedonte për gjëra të tjera në praninë e shokëve. Kur ishte vetëm fliste lirisht, por kurdoherë pa emocione. Ashtu si Vehbiu edhe Rifati ka deklaruar se, po të vijë koha, ai i pari do ta hedhë bombën aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kishte njohuri e të dhëna për historinë, gjeografinë dhe politikën e vendit tonë.
Interesohej për emra fshatrash, vendesh, prodhimesh. Dinte me përpikëri se ku ndodhej një vend i caktuar. P.sh. ai dinte se, pas asaj kodre ndodhej Delvina. Me atë tonin e tij të qetë, të ftohtë, deklaronte se dinte shumë për ndërhyrjet e UDB-së, gjatë viteve 1947-1948 e më pas, se kishte lexuar shumë literaturë për të. Ai fliste kundër atyre, që ishin dhënë pas luksit dhe pas pronës private. Kjo duket kontradiktore kur ai vetë mbahej shumë mirë dhe kishte tokë e bagëti pronë private, në Drenicë. Interesohej shumë për armët: ku i ka armatimet ushtria, a është i armatosur populli? Kur kalonim nga Tepelena, poshtë rrugës automobilistike, pa një repart ushtarak e tha: “Ushtarët i pashë, por armë nuk pashë”.

Vehbiu i tha: “Në do ta dish, raketat janë nëpër tunele e s’mund t’i shohësh”. Pinte shumë duhan e konjak. Respektonte Maksut Shehun e tërhiqej para tij, pasi, siç thoshte ai, e njihte mirë se çfarë grindaveci e pijaneci ishte Maksuti. Tërheqjen ua këshillonte edhe të tjerëve.
Edhe ky është i interesuar për policët, për oficerët dhe për çmimet. Dëshira e tij e madhe ishte që të vinte Rahman Dedaj në vend të Maksutit. Dinte dhe na tregonte vazhdimisht anekdota kundër Titos, serbëve, etj. Këto i tregonte edhe në praninë e Vehbiut, por jo para të tjerëve. Gjithmonë pas vizitave ky bënte shënimet në libër dhe të tjerët firmosnin. Nga çdo qytet dërgonte shumë kartolina dhe kërkonte të vinim firmat të gjithë ne dhe në disa raste ngulte këmbë të shkruanim plotësisht emrin dhe mbiemrin.Kërkoi pjesë teatrale të dramatizuara nga Radio-Tirana, karikatura nga Hosteni, dhe duhan “taraboshi” për llullën (la kërkesën t’i dërgohen disa pako me duhan të tillë).

Ishte i dhënë pas numizmatikës (mblidhte lekë); pretendonte se djali i tij pesëmbëdhjetëvjeçar e kishte porositur për një gjë të tillë. Kishte mjaft valutë (dollarë), bleu shumë suvenire.
Shpesh përmendte, si me shaka, “Po të vinja disa vjet më parë, nuk do të kthehesha se më pëlqejnë shumë vajzat këtu, do të dëshiroja ta martoj djalin…”.
Ai theksonte se duhej marrë parasysh gjendja, kushtet në të cilat ndodheshin, se tani për tani kryesorja është që të luftohet për të shfrytëzuar deri në maksimum të gjitha të drejtat që ua siguronte kushtetuta.

Premtoi se nga Shqipëria do të shkruante si “Shënime udhëtimi” 4-5 vjersha. Fliste kundër serbëve, admironte kroatët. Rifati sugjeroi se do të ishte mirë që t’u krijohej mundësia sa më shumë që të jetë e mundur për të ardhur në vendin tonë,shkrimtarëve dhe publicistëve, jo vetëm kosovarë, por edhe të atyre që janë miq të Shqipërisë, të cilët kanë folur e shkruar mirë për Shqipërinë.

Ai tha se një artikull i shkruar në gazetën “Delo” të Lubjanës nga poeti dhe publicisti Herman Vogël bëri jehonë të madhe. Studentët e Lubjanës u ngritën në demonstratë për të zbatuar parimet e arsimit, të shkollës shqiptare, si në Shqipëri. Ata mbanin në duar gazetën “delo”, ku ishte botuar edhe një fotografi e Llazar Siliqit. Rifati tha se gazetari Drago Karl i gazetës “Delo”, që e simpatizon Shqipërinë, ka kërkuar të vijë në Shqipëri. “Mendoj, – vuri në dukje, – se do të ishte pozitive kjo vizitë, pasi është gazetar me kurajë, dhe sipas mendimit tim, do të ndriçonte drejt situatën që ekzistonte sot në Shqipëri, duke hedhur poshtë parullat antishqiptare”.
Rifati hiqej sikur ishte kundër sistemit të vetadministrimit në ekonominë jugosllave, duke e konsideruar si një dështim.

Agim Deva – redaktor përgjegjës i Gazetës së pionierëve, organ informativ. I biri i Veli Devës, personalitet i njohur në Jugosllavi. Ka kryer studimet e larta në Prishtinë. Dhe tani përgatitet për të mbrojtur magjistraturën.

Shumë i ri në moshë, i datëlindjes 1948.

Në pamje të parë duket i qetë, por në të vërtetë e përmbante veten. Ditët e para nuk fliste fare. Më vonë filloi të flasë, por pak. Më tepër dëgjonte, ndiqte me vëmendje bisedat e të tjerëve. Është pak mendjemadh dhe mbahet për pozitën që ka i ati.

Në hotel vazhdimisht flinte me Qamil Batallin. Me të gjithë bisedonte njëlloj. Me Maksut Shehun ka pasur raste kur janë zënë edhe në praninë tonë, siç qe rasti gjatë rrugës Librazhd-Elbasan. Zënka ishte për çështje rrogash dhe përgjegjësia në organet që nxjerr Enti botues “Rilindja”. Kaluan në ofeza reciproke. Të tjerët nuk ndërhynë. Më vonë Rifat Kukaj sqaroi: – “Gjithmonë tërhiqemi në raste të tilla, se Maksuti është nevrik, don t’i shkojë e vetja, është grindavec”.

Ndërsa Agimi tha mënjanë:
– Vetëm unë ia thyej hundët Maksutit, se mua s’ka ç’më bën.
Agimi ka kritikuar shokët për nënvleftësim nga ana e tyre të letërsisë kosovare gjatë bisedës që u bë në Shtëpinë Botuese “N. Frashëri”. Edhe për këtë janë zënë. Maksuti ka ndërhyrë dhe duke përkrahur Agimin, e ka ofenduar rëndë Vehbi Kikajn. E shau nga nëna. Vehbiu nuk i është përgjigjur.
Agimi interesohej shumë për dallimin nga veshja të oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve dhe policëve. Interesohej gjithashtu a mësohet gjuha kineze në shkollat tona, a ka shumë kinezë dhe ç’rroga marrin. (Megjithëse rrallë kanë parë kinezë, policë, oficerë dhe ushtarë).
Agimi njihte mirë kursin e këmbimit të lekut me dinarin dhe anasjelltas, bënte përllogaritje në çast.

Ngrinte shumë çështjen e arsimit në Kosovë, si kundërpeshë e zhvillimit të sistemit tonë arsimor, për të cilin fliste fjalë të mira. Gjatë bisedave për bursat dhe arsimin në Kosovë pranonte deri diku vartësinë e studentit nga ndërmarrjet ekonomike, të cilat u jepnin bursën ose u akordonin hua studentëve, me kushte që ata, pas kryerjes së studimeve, të punonin në atë ndërmarrje për disa vjet, derisa të shlyenin detyrimet.

Agimi u habit, kur pa sa afër ishte Korfuzi me Sarandën dhe kufiri në përgjithësi. Nuk mund ta merrte me mend që flota e 6-të amerikane dhe ajo sovjetike të silleshin aq afër Shqipërisë.
Ditët e fundit filloi t’i miratonte sukseset tona në shumë fusha, por gjithmonë me ton zyrtar. Përdorte shpesh fjalët “na befasuat”, “shumë befasime na bëtë!” d.m.th., pamë e mësuam ato që nuk i prisnim.

Më datën 23 nëntor, një ditë para se të largoheshin nga Tirana tha se ishte i sëmurë, qëndroi në shtrat në “Dajti”, nuk u ul të hante mëngjesin. Kur i thamë për vizitë mjekësore, nuk pranoi, duke theksuar se e kishte nga lodhja. Ne dyshojmë se ai u shtir i sëmurë me qëllim që të ndahej nga grupi për të bredhur nëpër dyqane ose për të takuar ndonjë njeri nga të Ambasadës. Në orën 11.30 nuk ka qenë në dhomë. Dhomën e ka lënë rrëmujë të hapur. E takuam jashtë para monumentit të V. I. Leninit. Tha: dola pak për ajër. Të nesërmen u vërtetua se kishte dalë nëpër dyqane. Këtë e tha vetë.

Agimi një ditë, pasi grupi ishte në Ambasadën jugosllave, është takuar për më shumë se një orë me përfaqësuesin e shoqërisë së aviacionit jugosllav JAT. Na tha: “Këmbeva disa dinarë”.
Gjatë udhëtimit për në Hanin e Hotit, Qamil Batalli në prani të Vehbi Kikës tha se kishte biseduar me Agimin për më se dy orë, e kishte lënë të shprehte mendimet e veta për vizitën. Qamili tha se Agimi kishte ndryshuar shumë gjatë vizitës. Të tjera mendime kishte në ditët e para, të tjera më vonë. Dhe, siç deklaroi Qamili, në mos qoftë propagandist i sukseseve të Shqipërisë, kur të kthehet në Kosovë, do të jetë një njeri që nuk do ta gëlltitë propagandën bajate që bëhet kundër jush. U bë mirë që erdhi Agimi në Shqipëri!

Agimi, në fillim i heshtur, mbas ditës së pestë dhe të gjashtë, nisi të hapet. Më rrallë fliste në prani të të tjerëve, më tepër në veçanti, por përsëri përpiqej t’i peshonte mirë fjalët dhe nuk bisedonte gjatë.

Dy ditët e fundit ka biseduar më shumë me Vehbiun e Qamilin. Kështu na thanë. Dhe i ka çuditur ata me konsideratat e miratimet për vendin tonë. Këtë e kemi vënë re edhe ne.
Në darkën e lamtumirës Agimi ka biseduar gjatë me profesor Androkli Kostallarin, që e kishte pranë. Bisedën e nisi me problemet e gjuhës shqipe dhe të albanologjisë dhe kaloi në disa probleme të tjera.

Ai, ashtu si edhe të tjerët, i foli profesor Androkliut për konsideratën e lartë, për sukseset e studimeve shqiptare në fushën e albanologjisë, për rolin e tyre në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare në Kosovë. Ai tregoi se përmbajtja e lartë cilësore e studimeve albanologjike (botimet dhe ligjëratat), mendimi teorik shkencor dhe përpunimi i gjuhës kanë lënë gjurmë në shkollat dhe në inteligjencën e Kosovës. Ai tha: “Kongresi i Drejtshkrimit është vlerësuar shumë dhe ka ushtruar ndikim të madh në Kosovë.

Jehona e tij vazhdon edhe sot, jo vetëm në qytetet, por edhe tek arsimtarët e fshatrave, të cilët janë shumë të etshëm për dije. Arsimtarët e fshatit kërkojnë tekste mësimore shqiptare, sidomos për lëndët gjuhë e letërsi. Kur Agimit iu dorëzuan librat, dhuruar nga Instituti i Gjuhës dhe letërsisë (vëllimet mbi Kongresin e Manastirit dhe mbi Kongresin e Drejtshkrimit, mbi normat e gjuhë letrare si dhe dy vëllime me përmbledhje studimesh gjuhësore), tha: “Ky është një nder shumë i madh për mua. Këto libra do t’i mbaj në një vend të dukshëm, si librat më të çmuara që kam në shtëpi”.

Duke folur për futjen e normave të gjuhës letrare, Agimi tha: “Tani bëhet përpjekje që edhe në botimet tona të kultivojmë gjuhën e sotme letrare shqipe. Bile edhe në gazetën e pionierëve përpiqemi të zbatojmë rregullat e sprovuara nga Kongresi i Drejtshkrimit. Në Kosovë tani thuhet: të shkruajmë me gjuhën e gazetave e revistave “Drita”, “Zëri i Popullit”, “Nëntori” dhe “Mësuesi”, etj. Te shkrimtarët tanë vihet re një përpjekje e dukshme në këtë drejtim. Në qoftë se ndonjë gjë nuk e kemi arritur në shkallën e duhur, kjo nuk ndodh se ne nuk dëshirojmë, por sepse kaq janë fuqitë tona, kaq e njohim gjuhën letrare. Por ne jemi optimistë për të ardhmen”.

Agimi, pasi ngriti lart sukseset në fushën e albanologjisë, profesor Kostallarit i tha se, para se të vinte në Shqipëri, kishte dëgjuar fjalë të mira për Shqipërinë, në përgjithësi për zhvillimin e vendit pas çlirimit; ndërsa nga tregimet e babait dinte se Shqipëria para çlirimit ka qenë një vend i prapambetur dhe i mjeruar. “Ato që pashë me sytë e mi, – vuri në dukje Agimi, – sidomos veprat e mëdha të pesëvjeçarëve, objektet e reja si kombinati metalurgjik i Elbasanit, uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, zona e naftës, ndërtimet e sistemimet bujqësore, pallatet e kulturës, pallati i pionierëve e shumë objekte të tjera më mahnitën. Ato që pamë i tejkaluan shumë parashikimet tona jo vetëm të miat, që jam i ri, por edhe të shokëve të mi, më të moshuar. Me këto realizime Shqipëria pas 5-7 vjetësh do të bëhet një vend që ka për t’ua kaluar të gjithëve (dhe këtu iu mbushën sytë me lot)”.

Duke folur për babin e vet, Veli Devën, i cili tani është Drejtori i Kombinatit të Trepçes (sipas tij këtu ka ardhur me kërkesën e punëtorëve – Veliu është akoma në forumin e lartë udhëheqës në Beograd, por formalisht, deri në zgjedhjet e reja), Agimi vuri në dukje thjeshtësinë dhe karakterin popullor të babait. Ai deklaroi:
“Babai na porosit ne fëmijëve të vet, mos harroni se jeni nga një familje e varfër, se babai i juaj ka vuajtur për bukën e gojës, mos harroni origjinën tuaj, jetoni thjeshtë dhe vetë bën një jetë të tillë. Na këshillon të mos ndjekim modat në veshje, në mënyrën e të sjellurit. Ne kemi në disa qytete bijtë e disa të pasurve me mirëqenie, që ndjekin modat ekstravagante e që nuk mësojnë në shkolla. Në masë rinia kosovare jeton thjeshtë. Fshatarët nuk kanë kohë e mundësi me u marrë me modat. Mësuesit e fshatit, për shembull, edhe japin mësim, edhe punojnë tokën e tyre në fshat.

Babai flet me nostalgji për Shqipërinë, na kujton vitet e fëmijërisë dhe të rinisë, kohën kur i doli bursa në Krumë për të vazhduar gjimnazin e Shkodrës, na tregon vendet ku ka mësuar e luftuar në Shqipëri, për shokët e tij, që tani janë bërë kuadro e thekson ata janë bërë të tillë sepse kanë qenë njerëz të thjeshtë, sepse luftuan me armë në dorë për çështjen e atdheut. Babai më la edhe një porosi, po të më jepej rasti t’i transmetoja të fala shokut të tij të ngushtë të klasës dhe të jetës në konvikt, Demlush Thaçit. Më tha: jepja të falat Demlushit, në qoftë se ai ka pasur qëndrim të mirë deri në fund, jo vetëm gjatë luftës, por edhe më pas, dhe në qoftë se dhe tashti nuk është në pozita armiqësore me partinë. Këtë porosi desha t’ua thosha shoqëruesve, por ndruhesha në fillim. Kur pashë prirjen e ngrohtë që m’u bë, mora guximin dhe po ju them”.

Agimi tha se babai ka nostalgji të vazhdueshme për shokët e shkollës në Shqipëri, dhe po të vinte ndonjëri prej jush (iu drejtua prof. Kostallarit), që keni qenë në një konvikt, do ta pinte me gjithë qejf një kafe me ju.Agimi dy herë iu afrua profesor Bedri Dedjes t’i shprehë një mendim duke thënë letërsia shqipe për fëmijë ka arritur suksese të mëdha dhe propozoi që të bëhet një antologji e përbashkët e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe për të cilën ai do të merrte përsipër, nëpërmjet shtëpive botuese jugosllave, ta botonin në gjuhë të huaja. Agimi e përsëriti këtë mendim në takimin e parë dhe në darkën e mirëseardhjes.

Më Shumë

Liberalizimi i vizave, Kurti: Më shumë qytetarë po kthehen në Kosovë sesa që largohen

Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka thënë se prejse ka...

Mbi 2 mijë patentë shofer të konfiskuar për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës kohore Janar – Mars të vitit 2024, 2mijë e 223 shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi. Derisa...

Lajmet e Fundit