10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti, “Djemtë gazmorë” për Shën Valentin

RobertNdrenika-aktor“Djemtë gazmorë” titullohet vepra premierë, që do të çelë stinën artistike në skenën e teatrore të Teatrit Kombëtar të Komedisë në Tiranë, i cili tashmë ka marrë emrin Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra e njohur e autorit amerikan Neil Simon vjen në skenën teatrore me regji nga Sulejman Rushiti, i cili për këtë komedi dramatike siç pohon dhe vetë ka zgjedhur aktorë të njohur të skenës shqiptare, por dhe emra të rinj. Aktorët e njohur Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti vijnë këtë herë në skenë si Will Klark dhe El Ljuis, dy personazhet kryesorë të veprës, por kastit të aktorëve i shtohen dhe emrat e Elia Zaharias me rolin e mbesës së Will, Albana Koçaj Sançollit me rolin e infermieres, Genti Deçka si asistent regjisor i veprës dhe Nigda Dako si infermierja në skeç, pasi vepra është një teatër brenda teatrit. Sipas regjisorit Rushiti, kjo vepër nuk vjen në skenë si një komedi klasike, ka batuta, ka situata që e sjellin si komedi, por nuk mungon dhe drama që është pjesë e kësaj vepre.

“Neil Simon, është një nga autorët më të njohur, dhe sipas statistikave tekstet e tij kanë kaluar dhe vëniet e Shekspirit. Kjo vepër nuk është vetëm komedi klasike. Ka batuta, ka situata, rrethana që e klasifikojnë në shtresën e parë te komedia klasike, por ka dhe një dramë. Personalisht ajo që më pëlqen nga ky tekst është se kemi të bëjmë me dy qenie, që në një farë mënyre janë bufonizuar në gjëra të imta të inatit personal dhe janë transformuar në dy qenie dramatike, deri në notat e tragjikes. Janë dy perona, të cilët luftojnë harresën, mospërfilljen e njëri-tjetrit apo dhe të shoqërisë ndaj tyre. Kur është pyetur autori se çfarë janë veprat e tij, dramë, komedi apo tragjedi dhe ai është përgjigjur: çfarë është jeta? Nëse jeta është gjithçka, dramë, komedi, edhe veprat e mia meqë pasqyrojnë jetën janë dramë, komedi dhe tragjedi. Pikërisht ky ka qenë dhe arsyeja që ne të trajtojmë në këtë moment mbi një vepër të tillë”, tregon regjisori Sulejman Rushiti, raporton Sotnews, i cili nga Gostivari ndodhet në Tiranë për të sjellë në skenë “Djemtë gazmorë”.

Sipas regjisorit, kjo vepër i flet kohës, ka një dimension universal dhe i flet dhe hapësirës shqiptare.

“Sa i flet hapësirës sonë? I flet shumë, sidomos në temperamentin tonë për një fjalë gojë ka njerëz që nuk flasin për 20 vjet. Besoj se të gjithë ata do ti vuajnë, sepse vuajtja e vetmisë është vuajtje e madhe, por me çmimin e kësaj rënieje psikologjike përsëri inati është elementi kryesor, ne na prin inati me vendimet tona që marrim dhe unë besoj se nuk është fenomen i huaj edhe tek ne. Dramat dhe konfliktet më të mëdha që ndodhin në shoqëritë tona janë ato të cilat kanë të bëjnë me mungesën e tolerancës, mungesën e mirëkuptimit, të kuptimti të tjetrit. Egoja dhe egocentrizmat, të cilët nuk lejojnë në asnjë mënyrë depërtimin, nuk lejojnë mirëkuptimin”, tregon regjisori Rushiti.

Për veprën regjisori tregon se është një vënie klasike, nuk është teatër klasik, nuk është teatër i lëvizjes, por ka gjithçka nga këto.

“Është shfaqje që ka dhe teatralitet brenda, sepse atë skeçin e shumëpërfolur që këta duhet ta interpretojnë në një studio televizive ka dhe një teatër brenda teatrit. Janë personazhe që janë aktorë dhe lozin personazhe të tjera”, shprehet regjisori.

I pyetur mes hapësirës që zënë në skenë dramat e huaja dhe ato shqiptare, regjisori i cili ka vënë dhe plot vepra të tjera në skena të teatrove të tjerë pohon se gjithmonë duhen parë vlerat, dhe një vepër shqiptare që nuk ka vlerat që duhet nuk ka pse të vihet në skenë, por sa i takon veprave që kanë vlera artistike ato nuk duhet ti mungojnë teatrit.

Çfarë sjell “Djemtë gazmorë”?

“Djemtë gazmorë” rikthen sërish në skenë dy aktorët e njohur Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti, pas suksesit që ata patën me veprën “Shshsh…ule zërin”. E ndërsa prej disa ditësh provat kanë filluar në mjediset e teatrit, vepra sipas regjisorit është menduar të vijë në skenë me datë 14 shkurt, që përkon dhe me festën e “Shën Valentinit”.

“Rolet i kam ndarë në bazë të një vizioni që u shkon karaktereve”, tregon regjisori Rushiti.

Në qendër të komedisë dramatike bëhet fjalë për dy aktorë të cilët në kohën e tyre të artë kanë qenë yje të komedisë amerikane, kanë qenë një dyshe të quajtur “djemtë gazmorë”, të suksesshëm dhe kanë rreth 12 vjet pa u parë dhe punuar me njëri-tjetrin. Pas një periudhe kohore kanë një ofertë nga mbesa e njërit prej aktorëve, që të rikthehen në skenë për tu bërë pjesë e një spektakli, që do të ketë të gjithë aktorët e estradës. Dhe problemi, drama dhe konflikti fillon se këta të dy refuzojnë të bashkohen, sepse kanë 12 vjet që nuk flasin me njëri-tjetrin. Ka vite që për shkak të inateve nuk komunikojnë mes tyre, dhe kjo është pengesë që ata të ribashkohen, dhe sigurisht insistimi i tyre është që këta të ribashkohen. Por sa refuzojnë aq dhe në një farë mënyre kanë dëshirë të jenë bashkë në skenë, pasi dëshirojnë që gjenerata e sotme ti njohin si yje të dikurshëm.

Më Shumë

Lajmet e Fundit