14.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Roli i komunikimit ndërmjet Ismail Kadaresë dhe Ukshin Hotit

Prof. asoc. dr. Shkelqim Millaku

“Bisedë përmes hekurash”

Çdo bashkëbisedim midis dy njerëzve që nuk janë takuar kurrë, që ndodheshin tepër larg njëri-tjetrit e në kushte tejet të ndryshme është dhe ishte padyshim i vështirë.

Shkrimin tim analizues dhe vështrues do ta rreshtojë në disa këndvështrime dhe në thelb të veçantë do të analizohet komunikimi ndërmjet I. Kadaresë dhe profesor Ukshin Hotit, kurse theksi do të bije mbi mendimet filozofike, politike dhe diplomatike të profesor Ukshin Hotit. Ai është vigan i kombit, arkitekt dhe ideator i konceptit të Republikave të Bashkuara Shqiptare.

Kontributi i profesor Hotit është shumëdimensional. Mendimet polisemike, të cilat ishin filozofike, politike, diplomatike dhe konceptet e tij mesazhdhënëse për lirim ishin objektive dhe të arsyeshme. Profesor Hoti ishte i mishëruar për zgjidhjen e problemit të çështjes shqiptare dhe në veçanti atë të shoqërisë së Kosovës. Konceptet e prof. Hotit bëhen më të kompletuar atëherë kur edhe i krahason dhe i përshkruan ato në shtrirjen gjeopolitike dhe gjeostrategjike si të Evropës, ShBA-vë dhe në veçanti shtohet pesha e mendimeve kur i kushton kujdes dhe vëmendje të veçantë ndaj shteteve dhe veprimeve sllave.

Njohja e së kaluarës historike e popullit tonë dhe shteteve në fjalë e kanë fuqizuar profesor Hotin të jetë lider i kuptimit të plotë të fjalës. Mendimet e tij do të mbetën udhërrëfyes për shtetndërtimin dhe shtetndërtimet tonë.
Ismail Kadare në librin “Bisedë përmes hekurash” citon: “Ndërkaq ju jeni padyshim i burgosuri politik numër Një i Evropës. Unë nuk di ndonjë rast tjetër kur në burgjet e këtij kontinentit të dergjet një personalitet i përmasave tuaja: profesor universiteti, politikan i njohur i ish-estabilishmentit politik jugosllav i shquar në përpjekjet për demokratizimin e Jugosllavisë, ish-ministër i jashtëm i Krahinës Autonome të Kosovës, i shquar për orientimin pro-perëndimor e proantalik, publicist i njohur i specializuar në “Harvard” të ShBA-së për shkencat politike, autor librash të rëndësishme si “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, “Lufta e ftoftë dhe detanti”.
Libri “Bisedë përmes hekurash” është menduar për t’i thyer hekurat dhe sigurisht se roli i librit është shumëdimensional, të cilat, po i veçojmë disa nga ato.

Misioni i librit:
a. Rrugën e mundshme për ta liruar liderin,
b. Publikimin e pikëpamjeve vizionare të Ukshin Hotit,
c. Informimin e opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar për gjendjen faktike të shoqërisë.
Këto dhe shumë pikëpamje të tjera e bëjnë librin dhe komunikimin e dy liderëve fuqiplotë, komunikim sigurisht mjaft i vështirë për atë kohë për t’u realizuar, por edhe mjaft mesazhdhënëse.

Ismail Kadare e kishte vullnetin për të shërbyer dhe dëshmuar se kush ishte Ukshin Hoti, por edhe për rolin e tij filozofik, politik e diplomatik, rol i mundshëm për lirinë e vendit tonë. Njeriu i penës, Ismail Kadare kishte vendosur një qasje tjetër për të bërë përpjekje për lirimin e liderit. Ai me një shpresë shumë të kufizuar në kohë fillon për t’i dërguar disa pyetje në burg, në adresën dhe në emrin e Ukshin Hotit. “Secila pyetje e Kadaresë pjesërisht ngërthen edhe përgjigjen …” (I. Kadare, f.123). Kjo rrugë e komunikimit edhe sot në rrethana krejtësisht tjerat shtetërore dhe politike do të shihet jo e lehtë për t’u realizuar për të mos e krahasuar gjendjen e asaj kohe kur Ukshin Hoti ishte i burgosur politik. Ideja ishte e drejtë dhe pyetjet filluan të arrinin në adresën e duhur. Mrekullia historike e ka filluar rrugën e vetë. Përgjigjejet filluan të dalin. Profesor Ukshin Hoti e thotë edhe vetë se kohën e kishte shumë të shkurtër për t’u referuar dhe përgjigjur objektivisht, pra rreth dy apo tri orë i kishte të mundshme për letërkëmbim.
Pjesa e parë e librit përbëhet nga pyetjet e Kadaresë, të cilat krijuan mundësinë për një libër të tillë, i cili ka vlera të veçanta dhe do të mbetet kapitale.

Kadare duke i kuptuar rrethanat politike dhe të gjendjes faktike ishte i kujdesshëm në kërkesat dhe komentet e tij. Ai dinte çka kërkonte!

Çështja e parë, bashkëbisedimi ishte shumë i vështirë për t’u shkëmbyer dhe publikuar, por vendosmëria dhe guximi i tyre e bërë të mundur një komunikim mjaft të rëndësishëm, sigurisht fal edhe guximit të atyre që i ndihmuan një procesit të tillë, i cili ishte mjaft i rrezikshëm për të burgosurin dhe për ata që mendoni ta dërgonin porosinë e Kadaresë.

Në gjitha drejtimet dhe rrethanat një lëvizje e tillë ishte e vështirë.

Ukshin Hoti për një bisedë letërkëmbyese të tillë ishte i gëzuar, e kishte mirëpritur por edhe i habitur. Ai që në fillim falënderon shkrimtarin tonë të njohur Ismail Kadarenë, i cili qe ideator dhe udhërrëfyes për një komunikim të tillë. Kadare do t’i shpalos mendimet filozofike, politike, diplomatike dhe polisemike të Ukshin Hotit.
Ai që në fillim përshkruan jetëshkrimin e tij dhe të familjes së tij. Prindi i Ukshin Hotit e urrente fjalën politikë dhe si përmbajtje të tillë, e kishte këshilluar që ta ndërronte fakultetin. Ai ia shpjegonte Ukshinit se për t’u marrë me politikë ‘duhej futur kokën në strajc”.

Ukshin Hoti ka përdorur disa fragmente mesazhdhënëse politike dhe me kuptim të plotë diplomatike për shtrirjen e mundshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike të vendit tonë në rrugëtimin e ndërtimit të Republikave të Bashkuara Shqiptare.

Problemi qëndron të përmbajtja e orientimit dhe jo në vetë orientimin, mendova se Evropa ose Evro-Amerikën, së cilës Kadareja po ia shton edhe atë “atlantike”.

Hoti duke i njohur mirë konceptin e shoqërisë evropiane dhe të atyre amerikane, profesor e kishte idenë e thelluar dhe të menduar drejt dhe objektivisht për mundësinë e lirimit, por edhe të mbështetjes reale për lirim.
Si shumë intelektual të tjerë, në fillim edhe profesor Hoti nuk ishte që çështja e shoqërisë së Kosovës të zgjidhej me luftë, përderisa ka rrugë diplomatike, prandaj kërkesat ishin të rregullohet gjendja përmes forcës politike dhe diplomatike, kryesisht duke e kërkuar dhe krahasuar mbështetjen politike të faktorit kombëtar dhe të atij ndërkombëtar, mirëpo më vonë rrethanat dhe koha e binden për ta ndryshuar mendjen se vendit i duhet ushtria për ta liruar vendin. Hoti ishte vizionar i thelluar, ai në përgjigjeje e më vonë në libër ka përdorur disa terme mjaft kuptimore dhe të mundshme për t’u realizuar, si: Gjermanizimi i Evropës apo Evropianizimi i Gjermanisë, ku Franca dhe Britania do të lozin ndonjë rol me rëndësi …

Sintagmat Evro-Amerikë, Gjermanizimi i Evropës apo Evropianizimi i Gjermanisë dhe Republikat e Bashkuara Shqiptare në shikim të parë janë të lexueshme lehtë, por në fakt kanë përmbajtje shumë të theluar si nga ana e fuqive ekonomike, po ashtu edhe nga roli i tyre filozofik, politik e diplomatik.

Profesor Hoti gjatë dhënies së përgjigjejeve siç thamë edhe më lart kohën e kishte të kufizuar dhe i mungonin materialet për t’i cituar dhe argumentuar kronologjinë e ngjarjeve, prandaj si i tillë mendimet e dhëna, ndonjëherë nuk e kanë edhe lidhshmërinë kronologjike të ngjarjeve, por kujdesshëm i rikthehet, i plotëson dhe nuk i mbetet borxh për t’i përmendur faktorët relevant të krijimit të situatës politike.

Prandaj, nuk është e rastit kur ka menduar për “Evro-Amerikë”, sepse për ne është parë një shpresë e fuqishme për lirim dhe jo për ‘çlirim’ siç e thotë edhe vetë Ukshin Hoti.

Fjalën “Evro” e specifikon sepse e sheh shpresën e zhvillimit ekonomik, diplomatik dhe të mbështetjes së fuqishme politike, pra Gjermanizimi i Evropës apo Evropianizimi i Gjermanisë kjo në kuadër të termit “Evro” dhe “Gjermanizim”, por edhe të funksionit përmbajtjesor të saj është padyshim shpirti socio-politik i saj dhe shpresa e lirimit dhe integrimit të shoqërisë shqiptare.

Profesor Ukshin Hotit nuk i ka ikur pa i përmendur vizionaret dhe liderët e kohës, si ata kombëtar po ashtu edhe ata ndërkombëtar, të cilat kanë luajtur një rol shumë të madh në rrugën e lirimit apo ndoshta edhe të okupimit të vendit.
Fuqia e punës së organizatave studentore të UP-së qe i vlerësuar lart nga Ukshin Hoti dhe dalja e UÇK-së në skenë, e cila hapi një guxim dhe rrugëtim plotësues për të dalur nga robëria shekullore.
Prof. Ukshin Hoti në librin “Bisedë përmes hekurash” prezanton pikëpamjet dhe vizionin e tij të shëndosh për ta liruar vendin dhe për ta ndërtuar shtetin dhe shtetet shqiptare

Fuqia e fjalës së tij është e fortë sepse ai i krahason mendimet e liderëve ndërkombëtar dhe kombëtar, por në veçanti i përshkruan dhe krahason fatin e popullit shqiptar me fatin popujve të Evropës e më gjerë. Fragmenti i fundit, i cili është krahasues, por edhe përvoja e së kaluarës të popujve për prof. Ukshin Hotin është një argument i fuqishëm i nivelit të lartë të tij intelektual dhe akademik.

Ai padyshim ka një guxim komunikues mjaft të drejtë dhe është një vizionar i thellë. Njohës i thellë dhe shumë i brengosur për fatin e popullit shqiptar si në Kosovë dhe në vendet e tjera ku shqiptarët nuk i gëzonin të drejtat e tyre.
Ai me shumë të drejtë dhe objektiv i ka menduar sintagmën polisemike Republikat e Bashkuara Shqiptare.
Profesor Ukshin Hoti është arkitekt shteti, vigan dhe strateg i kohës për sintagmën kuptimore dhe diplomatike në fjalë, i cili e ka propozuar fillimisht të rregullohet gjendja e Kosovës, të bëhet shtet Kosova, e pastaj të vazhdohet me të drejtat e shqiptarëve në vendet e tjera për liri. Kjo ide nuk ka rrugë të dytë, por ka vetëm një rrugë edhe sot ajo duhet të vazhdohet për të drejtat e qytetarëve shqiptar në vendet e ndryshme.

Për të përfunduar shkrimin tim mund të themi se prof. Ukshin Hoti është njëri ndër intelektualet më meritor dhe arkitekti udhërrëfyes i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Gjuha direkte dhe diplomatike e tij është polisemike, filozofike dhe padyshim se do t’i shërben brez pas brezi shoqërisë shqiptare në gjitha rrugëtimet jetësore.
Ai është njëri ndër udhërrëfyesit dhe arkitekti i shtetit modern shqiptar.

(Kumtesa është lexuar në rastin e njëzet vjetorit të zhdukjes së profesor Ukshin Hotit. Akademia është organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifit dhe nga Universiteti “Ukshin Hoti” i Prizrenit.
Autori i shkrimit është profesor në Fakultetin e Filologjisë në Prizren).
Prizren, 16.05.2019

Më Shumë

Biblioteka e Prizrenit shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit

Biblioteka e Prizrenit shënoi Ditën Ndërkombëtare të Librit . Drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj-Kukaj, theksoi se angazhimet e institucionit janë të ofrojë librin sa më afër...

Qeveria reagon pas procesit të votimit: Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve

Qeverisë e Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me procesin e djeshëm të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në...

Lajmet e Fundit