6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Romani “Pus” i Kim Mehmetit, rrëfim për jetën dhe nënën

Të premten në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, promovohet romani i ri i shkrimtarit shqiptar në Maqedoni, Kim Mehmetit; Romani “Pus”, vjen nga botimet “Mapo Editions” duke përfshirë në kolanën e letërsisë bashkëkohore një prej autorëve më dinamikë e të angazhuar në tri trevat; Rrëfimi i pazakontë i një shkrimtari për jetën e tij, si ai, Kim Mehmeti zbërthen shqetësimet e tij për kohën, shoqëritë tona shqiptare, familjen, traditën

Në doni të gjeni nyjën se si një shkrimtar e lidh botën e tij me lexuesin, atë vetjak, personal, intim – kjo, ndonëse me vështirësi, në ironi lehtësisht kuptohet vetëm nga urat. Tipiku për këtë është shkrimtari shqiptar Kim Mehmeti. Ai jeton në Maqedoni por gjithmonë mund ta konfirmosh prezencën e tij në kufi, në periferi, në qendër; dikur duke sjellë me trasta, me plot sakrifica, librat e tij nga Shkupi në Tiranë. Ndër shkrimtarët që rolin e intelektualit nuk e ka fasadë por një angazhim të posaçëm në çështjet më të akute shqiptare politike e kulturore. Kim Mehmeti tani, është diku në gjithë hapësirën shqiptare, bash në atë nyjën që lidh botën e tij me arealin etnik; i drejtpërdrejtë, dhe ashpër aty ku është thyer fraktura e jetës kombëtare. Ndoshta kjo përsiatje në instinkt i ka krijuar romanin e tij më të ri “Pus”, që e promovon të premten në Universitetin Europian të Tiranës.

Duke hyrë në këto “ura” mes tre trevave, e formatuar qysh në themelim, Mapo Editions mori përsipër botimin e romanit të ri të Kim Mehmetit, përfshirë në kolanën e letërsisë bashkëkohore shqiptare, me garancinë se ende mund t’i rezistojë kaosit, dhe një sistemi të munguar vlerësimi.

“Më kishin ftuar të bëja çfarë gjithnjë më shkaktonte bezdi: të flisja përpara të rinjve çfarëdo qoftë për përditshmërinë e jetës apo të rrëfeja diçka për veten qoftë nga këndvështrimi profesional, qoftë nga ai i jetës sime private. Qëmoti e kisha kuptuar se, kur papritur të kërkojnë të mbash ndonjë fjalim ose të bëhesh pjesë e ndonjë paraqitjeje publike, nuk duhet ta lodhësh veten të thuash domosdoshmërish mençuri që të mrekullojnë dëgjuesit apo të tregohesh rrëfimtar i pashoq, sepse mençuria nuk vjen me porosi dhe kurrë nuk ka ndodhur që dikush të bëhet rrëfimtar i mirë se këtë ia kanë kërkuar të tjerët. Pastaj, mençuria e dhuntia për të rrëfyer nuk

kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë pjesë e rëndësishme e përmbajtjes së shfaqjeve, duke ndikuar që shumica e të rinjve të jetojnë me bindjen se nuk të vlen gjë dituria nëse të mungon bukuria, andaj edhe synim të parë kanë mirëmbajtjen e trupit e jo të trurit…”- Ky është paragrafi i parë, si nis romani ku “shqetësimi” i përfunduar me ironinë, shoqëron pothuaj gjithë rrëfimin “Pus” të Kim Mehmetit. Bëhet fjalë për një shkrimtar të njohur që është i ftuar të referojë në një konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij.

Ai nuk ka folur asnjëherë për veten, ka bërë dhjetëra romane, ndërsa nuk e ka kthyer asnjëherë vështrimin nga vetja. Ai, shkrimtari e nis rrëfimin nga fshati në shtëpinë e lindjes, ku ndodhet edhe Pusi – që e quajnë si Pusi i Shpendëve, – i cili në pranverë mbulohej nga trëndafilat, dhe ku nënës së tij i pëlqente të kalonte orë të tëra.

“Rikujtimi i shtëpisë së lindjes dhe i pusit në mes të oborrit më ringjall gjithmonë edhe zërin e nënës. Ajo shpesh ulej pranë asaj lulishteje dhe këndonte. Këndonte aq miklueshëm, sa më dukej se edhe ato i vinte në gjumë, njësoj si edhe ne fëmijëve të saj: duke na dehur me zërin e saj ledhatues, me puthjet e përkëdheljet, që na çonin të shtegtonim atje nga të dukej se kishin ardhur ato miklime të magjishme, në botën e ëndrrave”, shkruan Mehmeti. Vdekja e nënës, zhvendosja e familjes në qytet, dhe dëshpërimi i të atit që kërkon më kot të rindërtojë një pus për të rikthyer paqen e humbur, vdekja më pas e tij, nuk janë gjë tjetër veçse tablo që i bëjnë më të plota etapat e zhvillimit të një familjeje, që nuk është veçse familja e tij. “Kim Mehmeti është një emër i njohur i letrave shqipe që i bashkohet autorëve të kolanës së letërsisë shqipe, një kolanë kjo e rëndësishme kushtuar letërsisë dhe autorëve shqiptarë. Mapo Edition ka pjesë të filozofisë së saj kontributin për letërsinë shqipe, duke patur parasysh terrenin e vështirë në të cilën krijojnë dhe botojnë autorët shqiptarë këto dy dekadat e fundit”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e UET Press/ Mapo Editions. Kjo histori është kërkim drejt vetvetes, përsosjes së brendshme, që identifikon ndoshta dhe angazhimin e vazhdueshëm që vetë shkrimtari ka pasur për të shqyrtuar mbi shqiptarët, dhe në këtë rast përmes galerisë së personazheve këmbimi është trajtesë estetike, e rrallë aty ku qenësisht rikthen jetën, e përtërin përjetësinë, siç është nëna./ V.M

Më Shumë

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Kirurgu i Spitalit të Prizrenit, Zgjim Berisha aderon në Vetëvendosje

Kirurgu i Spitalit Regjional të Prizrenit, Dr. Zgjim Berisha ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje në Prizren. “Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren çdo ditë e...

Lajmet e Fundit