13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Rrëfimet në akuj mbi kalldrëmin e Prizrenit

20 mijë kube akulli, brenda të cilave janë ngrirë rrëfime të shkruara nga qytetarët, që simbolizojnë rikthimin në Prizren të 20 mijë thesareve shpirtërore janë shtruar në mbrëmjen e së premtes në rrugën “Marin Barleti”, që ndodhet në zonën historike të Prizrenit.

Me shtrimin në këtë mënyrë të rrugës së re, Prizreni u bë një urëlidhëse mes kohës së shkuar dhe të së tashmes.

I riu Artan Krasniqi tha se ka të hedhur rrëfimin e tij në një nga “kalldrëmet” prej akulli mbi të cilën do të ecë edhe vetë. “Kam shkruar atë që kam dëgjuar për qytetin me të cilin krenohem dhe me përjetime të mia fëmijërore e rinore”, tha ai duke preferuar që pjesa tjetër e rrëfimit të lexohet gjatë rrotullimit të kubeve të akullit.

Nga skena e ngritur para një objekti të vjetër historik, të pranishmit shijuan interpretimin e artistëve dhe patën mundësi të lexonin rrëfimet që ishin të ngrira brenda kubeve të akullit.

Në një formë të veçantë nga herët e tjera, në mbrëmjen e së premtes ka nisur Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës “Sculp Fest”.

Vatra Abrashi, pjesë e stafit të “Sculp Fest”, ka thënë për “Zërin” se hapja e festivalit ka shkuar ashtu siç edhe e kishin planifikuar. “Brenda kësaj ngjarjeje ka pasur qytetarë që kanë treguar rrëfimet e tyre para audiencës”, ka thënë Abrashi, duke treguar se ka qenë një atmosferë e mrekullueshme. Ajo ka thënë se e tërë kampanja ka shkuar sipas pritshmërive të tyre. “Ajo që ka qenë për ne me rëndësi është se të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë shumë të kënaqur me festivalin”, thotë Vatra Abrashi, për të shtuar se një performancë e tillë e artit bashkëkohor nuk ka ndodhur më parë në Kosovë.

“Është një shumë rekorde për ne me këto kube akulli mbi kalldrëm, aq më shumë që këtë e kanë pasuruar rrëfimet e njerëzve”, ka thënë Abrashi, duke iu referuar 20 mijë kubeve prej akulli.

“Akulli filloi të shkrihet, njerëzit mundoheshin të gjenin rrëfimet e tyre pastaj e sfidonin veten të ecnin mbi akull. Është krijuar një atmosferë e mrekullueshme”, është shprehur Vatra Abrashi, duke treguar se mbrëmja ka përfunduar pa incidente, sipas saj, përkundrazi, gjithçka ka shkuar shumë mirë.

Edicioni i katërt i këtij aktiviteti të vetëm të kësaj natyre në këtë qytet organizohet në kuadër të “Autostrada Bienniale” (Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor). “Autostrada Biennale” është një autostradë inovative në mes të Bienales së Stambollit, Venecias e Prizrenit, që kërkon të zgjojë energjinë krijuese të Kosovës, të rajonit e më gjerë.

Pikë referuese e mbrëmjes së parë të festivalit ishte kalldrëmi, që përbën identitetin historik të rrugëve të Prizrenit që prej shekujsh mbart kujtime duke pasuruar trashëgiminë e këtij vendi.

Kampanja “Kalldrëm” u karakterizua nga rrëfimet e qytetarëve në skenë, për të vazhduar me muzikë xhaz, interpretuar nga Ilir Bajri, Fation Miftari, Tomor Kuçi, Visar Kuçi, Enes Bajramliq dhe Labinot Sponca.

Pasi u shkri akulli tani e kemi moton e parkingut, “Na u shkri akulli e çka me bo tash”, thotë Vatra Abrashi. Ajo ka treguar se në ditën e dytë i tërë festivali është zhvendosur në parking, në tre metra nëntokë, ku artistët, emra eminentë të artit bashkëkohorë kanë qenë pjesë e kësaj ngjarjeje. “Artistët kanë marrë pjesë me punimet e tyre, me video-instalacione, me skulpturë, me video-dokumentar e të tjera dhe njerëzit kanë pasur rastin që të jenë pjesë e një ngjarje që ka zgjatur pesë orë”, ka thënë Abrashi, duke shtuar se festivali është një ngjarje krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim deri më tani.

Në mesin e artistëve pjesëmarrës janë Coony Karlsson Lundgren (Suedi), Obssesive Possessive Aggression-OPA (Maqedoni), Ozan Unal (Turqia), Agron Blakçori(Kosova), Sanja Latinovic (Serbia), Ranko Djankovic (Serbia), Shpend Havolli (Kosova), Boban Anastasi (Shqipëria) e Stefano Romano (Italia).

Festivali organizohet në partneritet me “M.A.M. Foundation” me kurator Klod Dedja.

Të dielën është mbyllja e festivalit ku në objektin e vjetër të Hidroelektranës do të bëhet një debat për mundësinë e shfrytëzimit të hapësirave alternative për art bashkëkohor. Me debat dhe punëtori mbyllet edicioni i katërt i festivalit “Sculp Fest”. /Zëri/

Më Shumë

Lajmet e Fundit